Mustafa Nano ose të provokosh “provokuesin”

Nov 13, 2018 | 19:43
SHPËRNDAJE
Autorja e parathënies së librit, Prof. Asc. Belina Budini, dje gjatë ceremonisë
Autorja e parathënies së librit, Prof. Asc. Belina Budini, dje gjatë ceremonisë

PROF. ASC. DR. BELINA BUDINI

Në media dhe në hapësirën publike, Mustafa Nano ka zgjedhur vetë të bëjë “provokuesin”. Me këtë libër në formën e një autorrëfimi dhe me titullin “Provocateur” shfaqet hapur në rolin e tij si i vetëprovokuar. Libri tingëllon menjëherë si provokim vetëm prej faktit që “provokon” vetveten. Mustafa Nano ka zgjedhur të intervistojë Mustafa Nanon. Qasja është në këtë rast provokimi i parë i librit.

Edhe pse kushdo mund të lakmojë t’ia drejtojë vetë pyetjet vetes, dalja hapur në vetintervistim nuk është kaq rrethanë e lakmuar. Në këtë pozitë të sikletshme e vë veten autori i këtij libri, ndërsa i lejon pra vetes të provokojë veten. Opinionet e tij për shumëçka që nga Kurani e Bibla, Jezusi e Muhamedi, te seksualiteti dhe deri te nëna e Skënderbeut, janë metodologjia e ndjekur për të ndërtuar përmbajtjen e librit. Një metodë që premton vetëm publicistikë, pasi nga pikëpamja shkencore nuk ka distancën e nevojshme subjektobjekt për t’u konsideruar e vlefshme.

Dhe në fakt, nuk është se autorit të këtij libri i bëhet shumë vonë për këtë, për ta thënë në mënyrën e tij. Nuk e synon as në këtë libër dhe askund tjetër kriterin shkencor të analizës. Stilistika dhe strukturimi i mendimit janë ato që i interesojnë më tepër dhe pa dyshim ngacmimi i brendshëm për të provokuar. Këtë synim e mbërrin pa shumë mundim, për shkak të stilit të të shkruarit, por edhe statusit që ka fituar dhe lirisë që i jep vetes. Lirisë për të pasur një opinion dhe për ta mbrojtur atë duke e “bërtitur” fort. (“Unë do ta gjeja, gjithsesi, një mënyrë për të bërtitur praninë time në shoqëri”, pohon vetë në hyrje të librit).

Ai mishëron opinionistin par excellence. Edhe kur ndërmerr një studim, e bën këtë nga pikëpamja e opinionistit në lidhje me objektin e studiuar, pa merakun e vendosjes së distancës emocionale, orientuar nga kriteri i shijes dhe preferencës personale. E bën këtë si kur shprehet për librat e shenjtë, për Kanunin e Lekë Dukagjinit, ashtu edhe kur shprehet për librat e Kasëm Trebeshinës apo hiperseksualizimin e mediave. Kriteri kryesor i përdorur është pra mendimi i ngritur mbi opinionin personal. Me Mustafa Nanon, gjithçka nis nga opinioni i vet.

Është sikur të thotë “Kam një opinion, prandaj jam!” dhe shpallja hapur e kësaj motoje e shndërron atë jo vetëm në opinionistin, por edhe në provokuesin par excellence. Me anë të këtij libri, ashtu sikurse edhe në komunikimet e tjera publike të tij, ai shpalos axhendën ose hartën e opinioneve të veta sa kulturore, aq edhe politike e sociale. Nano nuk merr përsipër të bëjë kronikanin e politikës, dukurive sociale apo kulturore të ditës në këtë libër. Ashtu sikurse nuk e ka bërë këtë as në rubrikat e tij në gazetë apo në emisionet e tij në televizion.

Aktualiteti në vetvete, pra, faktet dhe lajmet e veçuara duket se nuk e tërheqin aq sa interpretimi i tyre. Është e qartë se për të nuk vjen lajmi i pari, por interpretimi ose opinioni. Aq më tepër në një libër si ky me natyrë reflektive, ku nuk bën as interpretuesin imediat të aktualitetit sikurse shpesh në formatet televizive, por ka distancën e nevojshme kohore për t’i trajtuar më me nge çështjet dhe temat për të cilat shprehet. Nga ky kënd i ngadalësuar kohor arrin ta vrojtojë me më shumë kritikë, për shembull, Kryeministrin aktual Edi Rama dhe ta ngjyrosë edhe më “zi” se më parë ish-Kryeministrin Sali Berisha.

Teprimet ose provokimet e Ramës dhe Berishës duket se nuk bien në rrezen e pranueshmërisë së provokuesit Nano… Asgjë për t’u qortuar këtu! Tjetër gjë është të provokosh nga pozita pushteti dhe tjetër nga pozitat e një opinionisti të lirë. Megjithëse të shumtë janë ata që bien dakord me opinionet e Mustafa Nanos (kujtoj që në gazetën “Shekulli” ishte editorialisti më i lexuar dhe i komentuar në kohën kur punonim në të njëjtën redaksi), ndaj mendim të ndryshëm prej tij për shumë nga diskutimet e ngritura në këtë libër.

Por nuk do të ndalem në asnjërin prej tyre këtu, edhe për arsyen se unë nuk para i shpreh kaq hapur opinionet e mia për të gjitha llojet e temave dhe për këdo, sikundër me guxim bën Mustafa Nano. Mirëpo, nuk kam asnjë hezitim që si autore e kësaj parathënieje ta vlerësoj Muçin si një nga komunikuesit më të mirë të opinioneve të tij, me një qartësi dhe stil të admirueshëm.

Nga këndi dhe përvoja ime në media, e veçoj atë si një autor që provokon mendim dhe qëndrim me shkrimet e veta. Nga këndi dhe përvoja në universitet, e vlerësoj si një kërkues kulturor, që tejkalon mjaft studiues të pretenduar në botimet shkencore. Për më tepër, librat e tij kanë fatin të shiten dhe të lexohen më shpejt dhe më gjerë sesa mjaft libra me pretendime shkencore. E ka dëshmuar këtë edhe me botimet e mëparshme në stendat e “UET Press” dhe “Mapo Editions”, si një nga autorët më të suksesshëm. Fundja, një provokues si Mustafa Nano di si ta provokojë edhe suksesin!

*Parathënia e librit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura