Mustafa Nano: Nëse do isha kryeministër, ja cilët do zgjidhja si ministra

Apr 30, 2015 | 11:22
SHPËRNDAJE

Analisti dhe publicisti i njohur, Mustafa Nano, ishte i ftuar në programin satirik të Ermal Mamaqit “6 ditë pa Ermalin”. Ai rrëfeu që kishte pasur shumë dilema nëse do ishte i përshtatshëm për formatin e këtij programi, por që në fakt u argëtua shumë. Gjatë bisedës me Mamaqin, Muçi tregoi për eksperiencën e tij më të re, një shfaqje e stilit “One man show”, e cila u dha mbrëmë në sallën e Universitetit të Arteve, e titulluar “Edhe Profetët dinë të puthin”. Muçi tregoi se nuk është besimtar dhe se nuk ua këshillonte besimtarëve që ta ndiqnin këtë shfaqje. Më pas, Nano tregoi se po punon për një program të ri në televizionin “Top Channel”, por pa dhënë shumë detaje. Analisti i njohur rrëfeu se mbiemri Nano i ka prishur jo rrallë punë, sidomos në kohën e shkëlqimit në politikë të Fatos Nanos. Një nga pyetjet ngacmuese të Mamaqit ishte: “Nëse do ishe 24 orë kryeministër, çfarë do të bëje?”. Nano u përgjigj: “Mendoj që 24 orë si kryeministër janë të mjaftueshme për të krijuar një kabinet të mirë qeveritar. Do të merrja Ilir Metën si ministër të Brendshëm, Edi Ramën si ministër të Jashtëm dhe Sali Berishën si kryetar të SHIK-ut, meqë ai ka kuriozitet për çdo gjë.” I pyetur se cili nga politikanët e ka refuzuar ftesën e tij në program, ai tha se Jozefina Topalli nuk i ka shkuar, edhe pse ai e ka ftuar shumë herë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura