Mustafa Nano në shtypin serb: Shqipëria e Madhe nuk është më projekt, ku dallon Rama nga Vuçiç

Dec 15, 2017 | 17:35
SHPËRNDAJE

Gazeta e njohur serbe “Danas” ka intervistuar publicistin e njohur Mustafa Nano, rreth marrëdhënieve mes dy vendeve, ideve të Serbisë së Madhe apo Shqipërisë së Madhe, marrëdhënies së re Rama-Vuçiç, por dhe një analizë të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës që përfundoi me ndërhyrjen e NATO-s.

nano

Pikëpamjet e zyrtarëve serbë dhe shqiptarë në mënyrë të qartë kundërshtojnë kur bëhet fjalë për çështjen e Pavarësisë së Kosovës. A jeni ju dhe Zoran Panoviç edhe në anët e kundërta për këtë çështje?

Unë do doja të flisnim për këtë gjë, madje hapur fare, me zemër në dorë (kështu thuhet në gjuhën shqipe). Edhe Zoranin, kur e kam takuar në Tiranë, e gjeta të hapur ndaj diskutimit mbi Kosovën. Por në fund, edhe pse nuk pati ndonjë marrëveshje mes nesh për të mos u marrë me këtë çështje, kjo gjë mbeti ‘the elephant on the rom’ (elefanti në dhomë).

Kur flisni me kolegun tuaj Panoviç, a e njihni qëndrimin zyrtar serb në pikëpamjet e tij, a keni ardhur për të gjetur deklarata të mbështetura nga zyrtarët shqiptarë në tuajin?

Jo, nuk e kam parë Zoranin të mbrojë qëndrimin zyrtar të Beogradit. Madje, përsa i takon Kosovës, kam pikasur në formë të nënkuptuar një qëndrim disi kritik të Zoranit ndaj zërave serbë që thonë se asgjë nuk ka ndryshuar, se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë. Ndërsa unë nuk jam ndalur në këtë çështje. Meqë erdhi fjala, po ju them tani se çfarë mendoj për të ardhmen e Kosovës. Që të jem i drejtpërdrejtë, po ju them se serbët që besojnë tek ideja e rikthimit të Kosovës në gjendjen e mëparshme, nën juridiksionin e Beogradit, më duken deluzionalë (jashtë realitetit). Për mua, dy janë opsionet: 1. Kosova të mbetet kështu si është sot de facto, shtet e shoqëri më vete, me shumicën shqiptare dhe me garanci të plota për respektimin e pakicës serbe; dhe 2. Kosova të ndahet. Opsioni i parë mund të funksionojë veç me një kusht: shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se prej të qenit shumicë nuk buron ndonjë e drejtë për të sunduar mbi pakicat, por buron një detyrë e përgjegjësi për t’i bërë këto pakica ta shohin Kosovën si shtetin e si vendin e tyre. Një Kosovë (në kufijtë e sotëm) vetëm për shqiptarët nuk mund të ekzistojë. Kosova është edhe e serbëve të saj. Dhe Kosova mund të mbetet edhe e serbëve vetëm në këtë opsion. Sepse me opsionin e dytë, atë të ndarjes, serbët marrin Veriun, dhe më tej shkëpusin çdo lidhje me Kosovën. Janë të gatshëm serbët për këtë zgjidhje?

danas

Në një nga artikujt që keni shkruar në kuadër të programit të korrespondencës me homologun tuaj serb, që elitat tona intelektuale dhe kulturore në tërësi, në kulturat tona kombëtare, kanë helmuar shoqëritë tona me krenari boshe, gënjeshtra, fanatizëm, urrejtje të zbrazët. A është e mundur që të avokojmë një paralele të tillë, duke pasur parasysh përvojën që kemi në lidhje me qëndrimin represiv të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës në dekadat e fundit?

Sipas meje, elitat shqiptare kanë bërë dëm më pak në Ballkan, por kjo ka ardhur prej pafuqisë, e jo prej ndonjë disponimi më të fismë. Sepse në thelb, elitat tona kanë qenë njësoj: u ka interesuar propaganda, dhe jo e vërteta, kanë pasur frymë të pazhvilluar autokritike, kanë qenë të lidhura me qendrat e pushtetit, etj.. Kur them këtë, unë nuk harroj, sidoqoftë, që serbët u zgjuan kulturalisht më herët (kur ju nxirrnit një intelektual të klasit të parë si Vuk Karaxhiq, ne shqiptarët ishim ende në gjumin osman), që elita serbe ka qenë më e sofistikuar në terma akademikë (ju nxorët një intelektual antikonformist si Ilarion Ruvarac në një kohë që ethja e nacionalizmit serb ishte në kulmin e vet), dhe që pionerët e kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX e merrnin frymëzimin edhe prej vibrimit intelektual serb të asaj periudhe.

Opinioni i shumicës në Serbi është se, gjatë luftës, serbët ishin viktima dhe shqiptarët agresorë. Në Kosovë, Shqipëri dhe gjithashtu në shumicën dërrmuese të bashkësisë ndërkombëtare perëndimore, e kundërta është e vërtetë – serbët janë agresorë, shqiptarët janë viktima, e cila ishte arsyeja për bombardimin e NATO-s në Serbi. E vërteta, me sa duket, duhet të jetë vetëm një në fund?

Shikoni! Unë kam përkthyer një libër (raport) të organizatës “Human Rights Watch”, me titull “Under Orders: War Crimes in Kosovo”, të shkruar në vitin 2001. Raporti në fjalë na jep një fotografi të plotë e të detajuar të krimeve të kryera në Kosovë. Në këtë raport flitet edhe për krime të kryera nga UÇK-ja (rrëmbime e vrasje të serbëve e të shqiptarëve), apo edhe për dhunën e ushtruar nga shqiptarët në dëm të serbëve pas qershorit të vitit 1999, por në mbi 90% të faqeve të tij flitet për krime të ushtrisë serbe. Dhe me këtë krijohet një ide e qartë mbi agresorët e viktimat në atë kohë. Tani, mund të ketë plot arsye për të hedhur dyshime mbi punën e organizatës “Human Rights Watch”, por në çdo rast ajo mbetet më objektive se opinionet zyrtare në Serbi, Shqipëri apo Kosovë.

A besoni se bombardimi i Serbisë, dhe në parim, ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar ishte e justifikuar?

Ky diskutim mund të bëhet në terma legalë e në terma moralë. Nuk di nëse ka qenë e justifikuar në terma legalë. Nuk jam ekspert në këtë fushë. Por në terma moralë mund të bëhet një diskutim. Kosova nuk ka pasuri natyrore. E prandaj, asnjë prej fuqive të mëdha nuk pati interesa ekonomike aty. Përveç kësaj, në atë konflikt Perëndimi sulmoi një vend të krishterë (Serbinë) dhe u rreshtua në favor të shqiptarëve të Kosovës, që në shumicë janë myslimanë. Dhe kështu, vetëm një motivim moral e bën situatën të kuptueshme. Masakra e Raçakut dhe pamjet televizive të shqiptarëve që po shpërnguleshin prej shtëpive të tyre ishin shumë të forta për t’u shoqëruar me indiferentizëm. Kjo ishte arsyeja që ok-in për ndë- rhyrje e dhanë edhe qeveria e majtë italiane e kryesuar nga D’Alema, edhe Franca e Jean Jacques Chirak-ut, të cilat veç për antiserbizëm nuk mund të akuzoheshin në atë kohë.

A besoni, në përgjigje të pyetjes së mëparshme, se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet që ka bërë në Kosovë?

Ndjesa publike është një akt politik, dhe aktet politike kanë një efekt elektoral. Kështu që nuk më duket e lehtë për t’u bërë nga ana e autoriteteve serbe. U desh të kalonin shekuj derisa doli një Papë, Gjon Pali II, “për të kërkuar ndjesë përunjësisht” për krimet e kryera në emër të kishës e nga njerëzit e kishës. Prandaj, personalisht nuk pres që kjo ndjesë të kërkohet sot.

Si i shihni marrëdhëniet midis Vuçiçit dhe Ramës? A është marrëdhënia e tyre me të vërtetë fillimi i një epoke të re në marrëdhëniet midis dy vendeve apo jo? Cilin nga këta të dy, në këtë marrëdhënie, shihni si personin më pozitiv?

Këta të dy duket se kanë një kimi në marrëdhënien mes tyre. Por për të sjellë një erë të re në marrëdhëniet mes dy kombeve tona nuk mjaftojnë dy persona, të cilët pas ca vitesh nuk do të jenë më kryeministra e presidentë. Duhet një komunikim në stil e front të gjerë mes dy kulturave tona. Lidhur me fundin e pyetjes suaj, nuk di ç’të them. Unë njoh mirë Ramën, i cili më duket ca si shumë ‘over the top’, dhe i dhënë më shumë pas formës e stilit sesa pas përmbajtjes, gjë që, sipas meje, nuk është cilësi e mirë për një politikan. Ndërsa Vuçiçi më duket një politikan më profesionist sesa Rama, më i vetëkontrolluar, më skrupuloz. Për ta mbyllur me një shaka, po them se, sikur t’i ndërronim, unë mendoj se ne shqiptarët do dilnim më të fituar.

Si e shihni projektet e Serbisë së Madhe dhe të Shqipërisë së Madhe? Cila nga të dy është më e besueshme dhe rezistente?

Nuk e di se çfarë thuhet, mendohet e besohet në Serbi lidhur me Serbinë e Madhe. Më mungon informacioni. Ndërsa në Shqipëri, projekti i Shqipërisë së Madhe nuk është më një temë e debatit publik. Elita intelektuale e politike në Shqipëri, me pak përjashtime, nuk i kushton vëmendje një projekti të tillë. Por nuk di të them nëse kjo ndodh ngaqë ky projekt e ka humbur momentum-in e vet, apo ngaqë thjesht e konsiderojnë si një projekt të pamundur për t’u realizuar në praktikë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura