Mustafa i kërkon Shqipërisë zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe kthimin e eshtrave në Prishtinë

Sep 21, 2017 | 21:57
SHPËRNDAJE

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqin, në 19-vjetorin e vrasjes.

musttii

Duke folur për personalitetin shumëdimensional të tij, Mustafa tha se kolonel Krasniqi ishte strategu më i madh ushtarak i luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.

“Si sot 19 vjet me parë, përjetova një prej ngjarjeve më të rënda në jetën time, pasi që me sytë e mi e pash të vrarë pabesisht, në mes të Tiranës, kolonel Ahmet Krasniqin, ministrin e parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, njeriun që me vizion, me përkushtim kombëtar dhe me profesionalizëm të pashoq po e organizonte luftën për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e popullsisë në Kosovë.

Kam pasur nderin e veçantë ta njoh personalisht Ahmetin, një personalitet që të bënte për vete, që rrezatonte dije shumëdimensionale, mirësi njerëzore, mençuri karakteristike dhe burrëri të trashëguar nga familja e tij atdhetare.

Diapazoni i gjerë i dijes dhe potenciali intelektual e bënin atë personalitet frymëzues, cilësi që ai i vuri në shërbim të plotë të unifikimit dhe motivimit të të gjithë njerëzve në rrugën e shenjtë të lirisë”, tha Mustafa.

Sipas tij, kolonel Ahmet Krasniqi ishte strategu më i madh ushtarak i luftës së fundit çlirimtare dhe një patriot i paepur i çështjes kombëtare.

“Ai u vra pas shpine aty ku më së paku e priste dhe ende askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë krim të madh ndaj vendit. Shteti shqiptar duhet ta zbardhë sa më parë se kush e vrau kolonel Ahmet Krasniqin. Ndërkaq, ne na mbetet që eshtrat e tij t’i varrosim në Prishtinë dhe që ai të përkujtohet përherë për kontributin kolosal për lirinë e vendit. Lavdi të përjetshme jetës dhe veprës kombëtare të kolonel Ahmet Krasniqit”, ka shkruar Mustafa. /tesheshi.com/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura