Musli, basketbollisti nga Prizreni injoron Kosovën

Jan 30, 2016 | 10:05
SHPËRNDAJE

Basketbollisti i lindur në Prizren dhe i rritur në Serbi, Dejan Musli, nuk i ka vlerësuar përpjekjet e përzgjedhësit kosovar, Arben Krasniqi, për ta afruar në ekipin shtetëror të Kosovës në kualifikimet e “EuroBasketit 2017”. Musli duket se është duke pritur ftesë nga ekipi A i Serbisë.

musli1Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Arben Krasniqi ka filluar ta projektojë ekipin për kualifikimet e Kampionatit Evropian “EuroBasket 2017”. Ndërsa, ai ka paralajmëruar se do të kontaktojë edhe me basketbollistë me prejardhje nga Kosova, që luajnë për shtete tjera, apo në klube të huaja. Në planet e tij është edhe Dejan Musli, i cili ka lindur në Priszren, e që ka luajtur për përfaqësueset e reja të Serbisë, dhe gjithnjë është kandidat edhe për përfaqësuesen A serbe. Musli është rritur në Serbi dhe në Evropë njihet si lojtar serb.

Ai aktualisht luan për ekipin spanjoll Basquet Manresa, ku po shkëlqen me paraqitjet e tij. Gazeta “Zëri” ka mësuar se Arben Krasniqi e ka nisur përpjekjen për ta afruar në skuadrën e tij këtë basketbollist, përmes kontakteve me menaxherin e tij.

Po ashtu, “Zëri” merr vesh se Krasniqi njihet shumë mirë edhe me babain e tij, i cili e ka paralajmëruar selektorin kosovar se nuk do ta ketë të lehtë t’ia bind djalin për të luajtur për Kosovën, vetëm shkaku i raporteve të brishta mes dy shteteve.

Në anën tjetër, në lidhje me këtë çështje tashmë ka folur edhe vet basketbollisti, të cilin e kanë kontaktuar mediat serbe. Dejan Musli e ka injoruar mundësinë për të luajtur për Kosovën, edhe pse e ka pranuar se mund të merr thirrje nga ekipi i Kosovës. “Kam dëgjuar rreth kësaj nga menaxherë, por askush nuk ka kontaktuar direkt me mua”, tha Musli për portalin serb “Kurir”.

musli“Nuk kam fare koment për këtë. Kam luajtur për të gjitha kategoritë e Serbisë, madje edhe në kualifikime. Aktualisht jam i përqendruar tek obligimet me klubin dhe vetëm mendoj që ta ruaj këtë nivel të lojës në ligën e Spanjës”, u shpreh ai. Në pyetjen nëse pret ftesë nga Serbia për Lojërat Olimpike, Musli theksoi: “Kjo është pyetje për selektorin Djordjevic”.

Musli luan në pozitën e qendrës, pasi shquhet me 213 centimetrat e tij. Ai depërtoi edhe në ekipin senior të Serbisë, por Sasa Djordjevic nuk e ftoi në skuadër për Kampionatin e fundit Evropian. Por, pas shkëlqimit të tij në Spanjë, “Kurir” shkruan se Musli do të jetë kandidat serioz për ekip që nëpërmjet kualifikimeve do të synojë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike. /Zëri/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura