Murinjo sulmoi gazetarët për statistikat, por ja numrat që turpërojnë “djajtë”

Nov 13, 2018 | 18:30
SHPËRNDAJE

Zhoze Murinjo tha pas humbjes ndaj Sitit se statistikat janë për njerëz që nuk marrin vesh nga futbolli, por edhe ai vetë duhet të jetë i shqetësuar për faktet dhe shifrat që po qarkullojnë pas humbjes në derbi. “Njerëzit që nuk kuptojnë nga futbolli e analizojnë futbollin me statistika. Unë nuk shoh statistikat. Unë shoh atë që ndjeva në ndeshje”. Mançester Junajtid mori një leksion nga “qytetarët”, të cilët i mundën 3- 1 të dielën në “Etihad”. Por, cilat janë disa nga statistikat që turpërojnë skuadrën e Zhoze Murinjos pas këtij zhgënjimi?

murinjo

KATRA, NUMRI MAGJIK – Skuadra e portugezit ka humbur 4 nga 12 ndeshjet e Premier Ligës këtë sezon, duke e pësuar nga Brajtoni, Totenhemi, Uest Hemi dhe Mançester Siti. Hera e fundit që “djajtë e kuq” kanë humbur 4 në 12 javët e para, ishte sezoni 1990-91, 28 vite më parë.

VUAJNË PËR TË MOS PËSUAR – Junajtid e ka ruajtur rrjetën të paprekur vetëm njëherë gjatë këtij sezoni në kampionat (fitorja 2-0 ndaj Bërnlejt në fillim të shtatorit). Vetëm ekipi i fundit në renditje, Fulhami, që ka vetëm një fitore në 12 javët e para, ka mbyllur më pak ndeshje pa pësuar gol (0).

KU JANË MJESHTRIT E PASIMIT? – “Djajtë” prodhonin futboll të rrjedhshëm me pasime të shpejta me Fergusonin në stol, por sot janë një skuadër që vuajnë në zotërimin e topit. Pas 12 minutave, kur Siti zhbllokoi rezultatin me David Silvën, Junajtid bëri 11 pasime turpëruese, nga të cilat 5 ishin të gabuara. Nemanja Matiç dhe Maruan Felaini nuk janë në gjendje të luajnë futbollin argëtues që yjet e Sitit e bëjnë të duket aq i thjeshtë.

STOLI I DËSHTUAR – Po, Lukaku fitoi penalltinë pas vetëm 30 sekondave pasi hyri në fushë nga stoli, por në tërësi ai sërish vuajti për të tërhequr skuadrën. Sançez ishte po aq i dobët, sa të dy së bashku bënë vetëm 4 pasime në 50 minutat që qëndruan në fushë. Për ta kuptuar më mirë, Fill Foden, i cili hyri në fushë në minutën e 89-të, bëri 7 pasime për aq minuta sa luajti.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura