Murinjo, “shuplakë” për Kumbulla & Co. pas disfatës historike në Norvegji: Formacioni i tyre kishte më shumë cilësi se i yni

Oct 21, 2021 | 21:56
SHPËRNDAJE

Ndeshja e sotme mes Bodo / Glimt dhe Romës ka qenë historike, pasi rezultati 6-1, ishte humbja me më shumë gola të pësuar në karrierën e Zhoze Murinjos, një e dhënë e cila ka acaruar jo pak trajnerin edhe pse në fund ka marrë përgjegjësinë mbi veten.

murinjo

Në fjalët e tij pas sfidës, ai nuk ngurroi të theksonte se skuadra norvegjeze kishte më shumë cilësi në grupin e lojtarëve të vet se ata që kishte zgjedhur tekniku si titullarë, mes të cilëve edhe Marash Kumbulla.

“Përgjegjësia është e imja, jam unë që vendosa të luaj me këtë skuadër. E bëra me dëshirën e mirë që t’i jepja mundësinë të luanin njerëzve që punonin shumë e nuk luanin shumë. Me ekipin që kemi, me gjithë ndeshjet që duhet të luajmë, desha të pushonin njerëzit që luajnë gjithmonë. Kemi humbur kundër një skuadre që ka më shumë cilësi se ne. Sa i përket formacioneve titullarë, ata kishin më shumë cilësi se ne.

Nëse do të mund të luhej gjithmonë me të njëjtit lojtarë, do ta bëja, por është rrezik i madh pasi kemi një diferencë të ndjeshme mes një grupi lojtarësh dhe një tjetri. Unë i dija kufizimet e lojtarëve të mi, nuk është asgjë e ri, por qartësisht prisja një përgjigje më të mirë. Por përgjegjësia mbetet e imja”, tha ai pas duelit.

“Kam folur me lojtarët në dhomat e zhveshjeve, kam qenë i sinqertë me ta. Nuk e kam fshehur asnjëherë, e dija që kisha skuadër me shumë limite. Një gjë është të kesh një skuadër me 12-13 lojtarë dhe një gjë tjetër janë të tjerët. Tani askush nuk do të më pyesë më pse luajnë gjithmonë të njëjtët”, tha Murinjo, duke bërë të qartë se për Kumbullën dhe të tjerët që luajtën sot, nuk do të kishte më hapësira.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura