“Muri i Gjallë”, shtatzënia e Luiza Xhuvanit që përkoi me shtatzëninë në film

Nov 16, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Në librin e tij me kujtime, “Të pathënat”, një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, Muharrem Fejzo, ndan me publikun ca nga ato sekretet e paskuintave.

Luiza Xhuvani në rolin e Fatës, në filmin “Muri i gjallë”
Luiza Xhuvani në rolin e Fatës, në filmin “Muri i gjallë”

Duke folur për filmin “Muri i gjallë”, regjisori Fejzo thotë se shtatzënia e aktores Luiza Xhuvani përkoi me shtatzëninë e saj në këtë film.

“Në episodet që vinin, barku i Luizës ishte krejtësisht i justifikuar dhe aktorja e ndiente veten të njëjësuar me rolin mrekullisht”,-shkruan ai në libër.

PJESE NGA LIBRI

Kohë mbas kohe, për fat të keq, do të mungonin shumë detaje, sende, veshje e rekuizitë, vende dhe mjedise që do ta pasuronin atmosferën e filmit. Eprorët ngulnin këmbë:

“A ke mundësi që filmin ta xhirosh në një vend të vetëm? Jemi në rrethim kapitalistorevizionist, kuptoje shoku regjisor. Këtu fshati digjet e ti do të ndezësh cigaren…”

Ato që po thuheshin, mjerisht s’kishin asnjë lidhje me përfytyrimin tim. Kështu, plan mbas plani, episodet varfëroheshin e zbeheshin nga ai përfytyrim që kisha ëndërruar. Ishte e trishtueshme, por nuk kisha rrugëdalje.

Regjisori Muharrem Fejzo
Regjisori Muharrem Fejzo

Në sy më kishte mbetur një ndriçim pengues për fjalët e zemra më përpëlitej si një flutur rreth kandilit. Në kësi rastesh, ngushëllimin e gjeja te vështrimi i humbur drejt qiellit, që kishte humbur dritën e unë rrekesha më kot të gjeja rrugën. Isha i verbër si “kokat” e Omerit. Mora frymë thellë me një dyshim idhnak ndaj asaj që po ndodhte me filmin dhe vëzhgova si i dehur drejt asaj thellësie mavi ku po shfaqeshin yjet e parë.

Në episodet që vinin, barku i Luizës ishte krejtësisht i justifikuar dhe aktorja e ndiente veten të njëjësuar me rolin mrekullisht. Gjergji, gjasme i shkujdesur, e ndiqte ecurinë e foshnjës që aktronte bashkë me të ëmën me një ngazëllim të fshehur.

Disa herë i dhashë të drejtën të xhironte, por ai i bishtnonte kërkesës sime me atë buzëqeshjen e tij të ndrojtur, duke më falënderuar, por nuk mundte. Ishte rasti kur Fata (Luiza) ulet e lumturuar rrëzë një mullari me bar dhe fërkon barkun, fëmijën e adhuruar. Përlotet…dhe muzika në këtë rast do të fliste në vend të saj.

U mundova shumë duke kërkuar dhe i gjeta, dy lule fushe nga ato që kanë formën e globit dhe që era ia shpërndan sporet, fekondimin e saj. Ideja ishte pllenimi i luleve dhe njeriut, simboli i vazhdimit të jetës, por askush nuk e pikasi këtë detaj, metaforën.

Fundi i shkurtit do të na gjente në pyjet e mrekullueshme të Qaf Shtamës, me valëzim malesh në një kaltërsi të jashtëzakonshme. Do të xhironim “lindjen e Fatës”. Qengji që po piqej në hell, ajri i pastër dhe uji i burimeve rrëzë lajthive, e bëri grupin të punonte me përkushtim.

…Mëngjes herët. Fata e çmeritur, me një sëpatë në dorë, vrapon pyjeve e zgërbonjave për t’u shpëtuar “kalorësve të zinj”, të cilët kanë shembur murin dhe kanë varur Klaudin (V.Toçe). Papritur ajo ndalon dhe përkulet nga dhembja. I kanë plasur ujërat.

Klithma e saj përhapet në rrjedhat e rrëmbyera të lumit Valbonë… male, pyje e dete. Lëngata e saj. Ajo është e shtrirë midis rrënjëve të një rrapi madhështor. Me sytë e Fatës: vështrimi në panoramën në trungun e një ahu. Një mahisje e tij ka dukjen e një barku të fryrë me kërthizën në mes. Kamera ngjitet te degët e shumta e më pas kurora e rrapit në një sfond qielli të kaltër me re.

Duart e Fatës dërmohen te rrënjët. Sytë e përlotur. Goja e shtrembëruar nga dhimbja. Përtej maleve po lind dielli. (Improvizim: për të mposhtur dhembjen, tehun e sëpatës i them ta vendosë midis dhëmbëve). Klithma e fëmijës. Lindja e diellit.

Përbri saj duket spikthi i një luleje mali të sapoçelur. Në një montazh vetëtimë të planeve të njohjes me Gjeton; dashuria e tyre; rrënjët e rrapit; mahisja e të tjera panorama që përfundojnë në një det të qetë, i xhirova pa qenë në skenar. Gjithë këtyre planeve të xhiruara me frymëzim, u ra rrufeja. M’i hoqën. I quajtën efekte moderniste. Lanë vetëm lulen e sapoçelur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura