Muntaz Dhrami: Nudot nuk përbënin objekt krimi në diktaturë

Feb 11, 2016 | 12:06
SHPËRNDAJE

Me një natyrë dhe shëndet të brishtë, ajo nuk donte të hapte një ekspozitë. “Nuk i pëlqen salltanetet”, thotë i shoqi, skulptori Muntaz Dhrami, të cilit i duhet që t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, në vend të saj.

Por nuk ka asgjë për salltanet. Lumturije Dhrami është grafistja e parë e shkolluar femër në Shqipëri, e si e tillë, meriton të njihet. Në kuadrin e Programit të Edukimit përmes Kulturës, Atelieja e Edukimit Artistik, në Galerinë Kombëtare të Arteve, hapi dje ekspozitën retrospektive të Lumturije Dhramit.

muntazi-ne-galeri

Një rrugëtim në krijimtarinë e saj, që në vitet e shkollimit në Varshavë, deri kur vendosi të mbyllë krijimtarinë e saj. Në ekspozitë gjen një cikël nudosh, vizatime të kohës së Varshavës, për të vijuar me disa vepra në vaj, por pjesën kryesore e zënë grafikat, të grupuara edhe ato më së shumti në ciklet kushtuar Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, klasës punë- tore dhe një më vete për Gjirokastrën.

Në një pozicion pak të sikletshëm për të, Muntaz Dhrami flet për punën e së shoqes, ndikimin që ai ka pasur në punën e saj dhe tërheqjen e Lumturijes nga jeta artistike. Duke u ndalur pak te nudot, Dhrami do të thoshte se ato nuk ishin një vepër krimi as në kohën e diktaturës, por ama, mirë do të ishte të mbuloheshin nëpër studio.

U bënë vite që zonjën Lumturije nuk e shohim më nëpër ekspozita, si ia mbushët mendjen për këtë retrospektivë?

Kjo ekspozitë ishte kundër dëshirës së Lumturijes, por meqë ishte 80-vjetori i saj, unë insistova. Ajo nuk i ka pasur asnjëherë qejf këto salltanetet, intervistat. Është natyrë e tërhequr, emotive.

Shohim se ka shumë vizatime nudosh, si janë ruajtur këto punë?

Pjesën dërrmuese të këtyre punëve i kam ruajtur unë në studion time. Kolektivi pedagogjik i Institutit të Varshavës i kishte mbledhur dhe i kishte ruajtur. Lumja nuk e dinte nëse do të vinin apo jo nga Polonia, vetëm i thanë se punët do t’i ruajmë ne. Kur erdhi këtu, mori vesh që marrëdhëniet mes dy vendeve ishin prishur. Veprat ishin të mbledhura në rulon, unë u habita kur i pashë, pasi ishin mbi 30 vizatime nudosh. Disa ishin dëmtuar, por më duhet të tregohem edhe më i kujdesshëm, sepse është një krijimtari që mua më dhemb. Nuk dua që të prishen më tej, pasi ju e dini se ambienti i studios sime është i papërshtatshëm me allçi, baltë e lagështirë.

Prej vitit 1986, znj. Lumturije nuk ka ekspozuar më, pse kjo shkëputje?

Po, është e vërtetë, që nga viti ’86 nuk ka ekspozuar më. Gratë e kanë pak të vështirë në këtë punë. Ajo ka përballuar rritjen e fëmijëve, ka përballuar largimet e mia për të realizuar monumente të ndryshme, dhe asaj i është dashur të mbajë familjen e fortë. Dhe nga kjo pikëpamje është konsumuar, për më tepër që gjendja e saj shëndetësore e këtyre viteve të fundit nuk ka qenë e mirë dhe tani më duhet të flas unë në vend të saj.

Ka lëvruar vizatimin, penelin, por më së shumti grafikën, si u lidh me të?

Ajo e përdor mirë bardhezinë. Unë vizatoj ndryshe, pasi artistë të ndryshëm e trajtojnë ndryshe vizatimin, e ndiejnë ndryshe linjën, kontrastin e dritës. Është zotësia e saj që ndryshe e trajton figurën në gjilpërë të thatë, litografi apo linoleum. Më praktike ka qenë të trajtonte linoleumin, sesa grafikën me acide, në shtyp etj. Asokohe ekspozitat ishin me një tematikë të caktuar. Ajo ka trajtuar edhe penelin, edhe skulpturën në Varshavë, por u specializua për dekoracion në Akademinë e Varshavës, në degën e grafikës, dhe normalisht që do të kultivonte më shumë atë.

A ka vepra të tjera të paekspozuara?

Pak janë në fondin e Galerisë, të cilat unë nuk munda t’i nxirrja, por këtu janë veprat më përfaqësuese të saj. Cikli i nudove ekspozohet për herë të parë.

A e kufizoi grafika krijimtarinë e saj?

Sigurisht, u mor më pak me peizazhe. Të merrje pjesë nëpër ekspozita duhej të përshtateshe me tematikën që caktohej, si tema e klasës punëtore, tema e ushtrisë, temat e përvjetorëve të ushtrisë.

A ka tentuar elementë të modernizmit?

Ishte e vështirë. Unë vetë isha në komisione dhe do t’ia kisha hequr nëse do të shihja ndonjë shfaqje formalizmi, që e kemi bërë me të tjerë. Unë vetë isha në organet e partisë dhe nuk e lija të devijonte e të krijohej ndonjë dramë e madhe, përse?

Me sa duket, “censura” niste që në shtëpi…?

Nuk ishte punë shtypjeje, por ne orientoheshim sipas kërkesave të opinionit publik. Vepra e artit ishte ndihmëse për edukimin e masave. Ndërsa tani arti është kthyer në një lojë. Nuk sheh më vepra të ndjera. Mania për t’u larguar nga natyra, nga realiteti, më duket se është një devijim. Nëse do të bësh diçka që të mbetet, atëherë nuk ka përse të shtrembërosh gjëra. Arti ka për objekt të bukurën.

Kishit debate mes jush në shtëpi?

Po, edhe kemi diskutuar… Në një rast të tillë, ajo mund ta linte punën fare dhe nuk merrte pjesë fare.

Kur u kthyen veprat nga Varshava?

U kthyen në vitin 1956.

A nuk ishin të ndaluara nudot në atë kohë? Dimë që artistë, si Janaq Paço, për shembull, i ka thyer veprat e veta…

Jo, nuk kanë qenë të ndaluara nudot. Çdo artist ka nudo në krijimtarinë e tij. Nuk përbënin objekt krimi. Ca gjëra u bënë gogol, u frynë shumë në Shqipëri. Unë vetë kam pasur nudo, momente erotike në studion time. Kush ka pasur frikë i ka thyer, të tjerë i kanë mbuluar me çarçafë nëpër studio.

A nuk e vuanin artistët ndrydhjen brenda kornizave të realizimit socialist?

Jo, nuk kanë vuajtur. Nëse më jepej një punë për klasën punëtore, unë e bëja me shumë dashuri. Vetëm një herë më ka ndodhur që kur kam bërë një cikël nga miniera, brenda galerive të Mborje Drenovës (vizatime që nuk i bëj dot më tani), një nga Komisioni i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve më tha: “I ke bërë shumë të errëta”. “Po janë bërë brenda në galeri”, i thashë. Nuk u ekspozuan dhe unë nuk protestova. E donin minatorin më të qeshur, mbi tokë… në rregull. Artisti është një kompleks natyrash, por dikush e përjeton më me dhimbje një situatë të tillë, si puna e profesor Paços, ndonjë tjetër e kalon më lehtë me idenë se mund të bëjë edhe më të mira.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura