Mungon opozita, plas sherri mes Manjës dhe Braçes te Konferenca e Kryetarëve

Jun 15, 2018 | 10:21
SHPËRNDAJE

Në mungesë të opozitës, deputetët socialistë janë përplasur me njeri- tjetrin në konferencën e Kryetarëve.

Gjithçka ka ndodhur pasi në kalendarin e punimeve 3 javore është vendosur që propozimi i kandidatëve për Komisionin e Prokurimit Publik të kalojë për dhënie mendimi edhe nga Komisioni i Ligjeve.

Konferenca e Kryetareve
Konferenca e Kryetareve (foto arkive)

Kjo duket se nuk i ka pëlqyer aspak kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, i cili nuk ka pranuar që Ulsi Manja ta diskutojë këtë procedurë në komisionin që drejton.

DEBATI I PLOTE (KLIKO KETU)

Diskutimet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve

-Erion Braçe: Shikoj se është rikthyer procedura për propozimin e kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik dhe shoh se komision përgjegjës është ngarkuar Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe komision për dhënie mendimi është ngarkuar Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike. Kjo është e re, nuk ka ndodhur ndonjëherë, për më tepër që ligji për prokurimet publike ngarkon Komisionin e Ekonomisë për këtë gjë. Nuk e kuptoj se çfarë do të vlerësojë Komisioni i Ligjeve, do të bëjë seancë dëgjimore më vete?

-Gramoz Ruçi: Si qëndron puna, mund të na shpjegoni Moza?

-Mimoza Pano: Kryetar, Komisioni i Ligjeve është përfshirë për dhënie mendimi, për shkak se Komisioni i Prokurimit Publik është një strukturë kuazi gjyqësore, e cila shqyrton ankimet e procedurave të prokurimit dhe ndoshta mund të vlerësojë anën juridike të çështjes.

-Erion Braçe: Cilës çështje? Së pari, që Komisioni i Prokurimit Publik është një strukturë kuazi gjyqësore, ky është opinion. Ligji e ngarkon Komisionin e Prokurimit Publik me detyra të posaçme, nuk i ka dhënë as detyrën e gjykatës dhe as detyrën e gjykatësit asnjërit prej atyre njerëzve atje. Kështu që ky është opinion. Së dyti, ligji ngarkon Komisionin e Ekonomisë, madje është shprehur specifikisht që i jep të drejtën të bëjë edhe seanca dëgjimore me ta. Për çfarë duhet komisioni tjetër, në tejkalim të ligjit për prokurimin publik?

-Ulsi Manja: Unë nuk shoh asgjë të keqe këtu, sepse ne jemi komision për dhënie mendimi dhe kemi Nënkomisionin për Administratën Publike.

-Erion Braçe: S’ka asnjë lloj lidhjeje. T’i lëmë këto histori, se nuk ka asnjë lloj lidhjeje.

-Ulsi Manja: Komisioni për Ekonominë është komision përgjegjës dhe, sigurisht, raportin përfundimtar për seancën e përpilon Komisioni për Ekonominë. Nuk mendoj se… Dakord! Nuk mendoj se e cenon Komisionin e Ekonomisë, si komision që ka sferë të veprimtarisë përgjegjëse direkt ekonominë, nëse struktura, propozimet e Kuvendit për anëtarë të Komisionit të Prokurimit Publik kalojnë në Komisionin e Ligjeve. Gjithsesi, nëse Erioni nuk do të kalojë te komisioni ynë, ne nuk kemi ndonjë merak të madh, se komision për dhënie mendimi jemi.

-Erion Braçe: Mua nuk më intereson fare meraku i kurrkujt. Mua më intereson zbatimi i ligjit. Në qoftë se ligji për prokurimin publik ka ngarkuar Komisionin për Ekonominë dhe Financat për këtë gjë, këtë punë duhet ta bëjë ky komision dhe kaq.

-Ulsi Manja: Unë nuk dua të bëj debat për këtë çështje, sepse…

-Gramoz Ruçi: Mos bëni debat tani. Njëri kërkon të kalojë, tjetri të mos kalojë. E mora vesh.

-Ulsi Manja: Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë Komisionit të Ligjeve i ka dhënë Nënkomisionin për Administratën Publike.

-Erion Braçe: Shumë mirë, ndryshoni ligjin për prokurimin publik dhe bëjeni Rregullore të Kuvendit, pastaj vazhdoni, bëjeni ju, se unë s’merrem me këtë punë.

-Taulant Balla: Në fakt, ky është një diskutim që e kemi bërë edhe herën e kaluar, por e rëndësishme është që komision përgjegjës është Komisioni i Ekonomisë, por e zgjidhim, nëse Erioni mendon se nuk ka nevojë, dakord.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura