Mungesa

Jul 8, 2020 | 10:30
SHPËRNDAJE

NAUN SHUNDI Naun_shundi

Të munguarit është fatkeqësi. Kur mungohemi, nuk e dimë është faji ynë apo i të tjerëve. Mbase edhe ata të munguar. Që në fillore, unë duhej të justifikoja mungesën me një letër nga prindi. Kjo vazhdoi në 8- vjeçare, të mesme e kështu me radhë deri në shkollën e lartë. Për 24 mungesa përjashtoheshe nga universiteti. Unë munda të rezistoja me raporte false (si djalë mjeku). Mungesa kthehet në terror. Të jesh apo të mos jesh.

Por, edhe në qoftë se ti do të jesh, mundet që të jesh i munguar. Të gjitha përpjekjet me veten, duke i vënë qëllim që të mos jem i munguar, gjithmonë mungoj. Nuk më mungojnë aftësitë, inteligjenca, talenti, por më mungon përshtatja me realitetin. Realitetin e munguar. Kjo mungesë e imja, që nuk do doja kurrë ta kisha, dashje pa dashje i kapërcen kufijtë e personit tim. Duke mos qenë asnjë gjë, unë jam askush dhe nuk mund të vendos ose influencoj për çfarëdolloj problemi.

Mungesa është fenomen kombëtar. Nuk ka asnjë armë me të cilën mund të luftohet. Unë, që e quaj veten të mëndur, nuk di si ta luftoj, sepse gjërat janë absolutisht të largëta për zgjidhje. Duke qenë të munguar si popull, ne krijojmë fatkeqësinë më të madhe mbi vetveten. Zgjedhim ata që na sundojnë, jo që na udhëheqin. Pushteti vertikal të bën të mos jesh asgjë. Veç njëshit. Kreu i piramidës ka në dorë gjithçka dhe bën çdo gjë siç i intereson atij dhe disa elementëve, që edhe pse nuk i njeh kush, përbëjnë atë që quhet terror ekonomik.

Mungesa rri pa bukë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ndërsa vetëm paksa vetë vazhdojnë të jenë të pangopur. Kushtetuta nuk ka më asnjë vlerë për këta. Është shkelur me dhjetëra herë. Duke qenë të munguar, nuk kemi asnjë mjet lufte karshi kësaj lukunie hajdutërish. Nuk e di kur do të vijë koha që të munguarit të mund të bëhen elementë vendimmarrës. Jam i bindur që kjo do jetë një rrugë shumë e gjatë dhe për moshën që kam, nuk do të mund ta arrij kurrë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura