“Mungesa e strategjisë nga qeveria, ka sjellë rëndim të situatës”- Basha me Dhomën Gjermanë të Tregtisë: Ja 5 shtyllat e planit që nxjerrin vendin nga kriza

Jul 8, 2020 | 15:40
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot përfaqësuesit e Dhomës Gjermane të Tregtisë, ku u diskutua për situatën ekonomike të krijuar në vend, si pasojë e pandemisë së COVID-19.

Gjatë takimit, Basha tha se qeveria nuk ka ndihmuar ekonominë dhe qytetarët, por se  investoi në tendera, koncesione dhe PPP.

2.2 miliardë euro janë kontratat për PPP-të, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë është paguar për ekonominë, biznesin dhe shtresat në nevojë 22 herë më pak, vetëm 100 milionë euro. Mungesa totale e strategjisë dhe masave, nga ana e qeverise, ka sjellë jo vetëm rëndim të situatës së pandemisë, por edhe thellim të krizës ekonomike “- theksoi Basha.

PD, me anë të një njoftimi për mediat, bën me dije se Përfaqësuesit e Dhomës Gjermane të Tregtisë e njohën kryetarin Basha me disa nga rekomandimet e tyre publike si masa për të përballuar situatën e krijuar në ekonomi nga pasojat e pandemisë së COVID-19, si dhe ngritën shqetësimet e investitorëve të huaj në vend, veçanërisht atyre gjermanë.

Po ashtu, Basha u prezantoi përfaqësuesve të Dhomës Gjermane të Tregtisë shtyllat e programit ekonomik të PD, kur të vijë në pushtet:

  1. Klimë pozitive, hapje, konkurrencë dhe luftë monopoleve. Transparencë totale e çdo akti qeveritar, që nga prokurimet publike.
  2. Karantinim të inspektoriateve deri në hartimin e një kuadri ligjor europian për inspektoratet. Kjo i jep fund klimës së terrorit. Moratorium 1-vjeçar për inspektoratet.
  3. Reduktimi i lejeve, liçencave dhe shumë procedurave të tepërta.
  4. Taksë e sheshtë 9 përqind. Sigurimet shoqërore 18 përqind dhe eliminim të rritjes së taksës së qarkullimit të vendosur 24 lekë/litër nga qeveria Rama.
  5. Vetëm 1 taksë biznesit të vogël, 0.5 përqind të xhiros.

Ndryshe nga vendet rajonit, qeveria Rama paratë e taksapaguesve shqiptarë i ka shpërdoruar me rilindjen urbane, 800 milion euro, dhe 2.2 miliard për koncesione e PPP. Ne do t’i kthejmë këto para në ekonomi, infrastrukturë dhe stimuj për të thithur investimet e huaja strategjike”, deklaroi Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura