Mungesa e hapësirave, Biblioteka Kombëtare drejt zgjerimit

Feb 26, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

Edhe pse nuk do të mjaftojnë vetëm 6 muaj, tashmë është e sigurt, Biblioteka Kombëtare do të marrë zgjerim.

Persida Asllani, dje në Bibliotekën Kombëtare

Këtë lajm e konfirmon drejtorja e këtij institucioni, Persida Asllani, çka do të thotë se librat e fondit, por edhe frekuentuesit e BK do të mund të marrin frymë lirisht.

“Problemi i mungesave të hapësirave në Bibliotekën Kombëtare është një problem, i bërë publik tashmë prej vitesh. Është një shtrëngesë e madhe në hapësirat e fondit, por lajmi i mirë është që Bibliotekës Kombëtare do t’i jepen hapësira që do të lejojnë tejkalimin e këtij ngërçi dhe jo vetëm të ruajtjes së librit, por edhe hapësirave për publikun, për të shfrytëzuar sa më mirë fondin. Po kështu, shpresojmë në ngritjen e një salle të përhershme ekspozimesh, për të mos bllokuar gjithmonë sallën amerikane të leximit dhe duke krijuar më shumë mundësi për aktivitete”, thotë Asllani.

Mësohet se Bibliotekës do t’i kalojë e gjithë këmba jugore e ndërtesës së njohur si Pallati i Kulturës, ku strehohet prej vitit 1966, por nuk ka për të qenë një proces aq i thjeshtë dhe as i shpejtë.

“Procesi tashmë ka nisur që me negociatat e marrjes së hapësirave, studimin e kushteve fizike, teknike, inxhinierike të ndërtesës, ku do të ndërhyhet për ta bërë sa më funksionale. Është një çështje që kërkon kohë dhe, me gjithë dëshirën time, nuk e shoh të zgjidhshme për 6 muaj”, thotë drejtorja e BK-së.

U bënë vite tashmë që ka dalë si domosdoshmëri zgjerimi i hapësirave të BK-së, e cila shtohet çdo ditë me njësi të reja bibliotekare dhe me frekuentues të rinj. Deri më datë 1 janar 2015, BK numëron në fondet e veta rreth 1.164.705 materiale bibliotekare: libra, periodikë, harta, atlase, mikrofilma e materiale të tjera. Ndërsa është frekuentuar gjatë vitit të shkuar nga 195.138 veta.

VITI I DONACIONEVE

Ndërsa Biblioteka Kombëtare është në pritje të ambienteve të reja, fondi i saj shtohet me hyrje të reja, blerje dhe donacione. Madje, ky vit pritet të jetë tepër i rëndësishëm në këtë drejtim.

Në muajin korrik mbushen plot 95 vjet nga themelimi i Bibliotekës Kombëtare, por i gjithë viti do të jetë një përvjetor, duke u shoqëruar me aktivitete të shumta kushtuar figurave të shquara të letrave shqipe, por edhe të huaj, me kontribut të veçantë në albanologji e ballkanologji. E megjithatë, ky do të jetë viti i donacioneve dhe i homazheve.

Ndërsa ftohen të gjithë ata që disponojnë materiale me vlerë t’i kthejnë ato në një pasuri publike, do t’u bëhet homazh edhe atyre që kanë bërë pikërisht këtë.

EKSPOZITAT

Gjatë këtij viti publiku do të ketë mundësi të shohë nga afër bibliotekat e dhuruara apo sekuestruara, të personaliteteve si Lumo Skëndo, Mustafa Kruja, Karl Gurakuqi apo Aleks Buda, e kjo e fundit momentalisht është në proces përpunimi.

“Kemi vendosur të bëjmë homazh të një prej gjesteve më të bukur, që është ai i dhurimit dhe gjatë vitit do të ketë ekspozime që tregojnë këto koleksione të dhuruara. Ndërsa në korrik, që është edhe data e themelimit të Bibliotekës, do të zhvillojmë një aktivitet që do ta quajmë “Biblioteka e Bibliotekave”, ku nuk do të mungojnë surprizat dhe publiku do të ketë mundësi të shohë bibliotekat e shumë personaliteteve të letrave shqiptare, që sot janë pasuri e përbashkët kulturore e jona. Më vjen mirë që janë këtu, sepse shërbimi dhe kujdesi që BK mund t’u ofrojë është i papërsëritshëm në çdo fond tjetër privat në Shqipëri”, thotë Persida Asllani.

Këto ekspozita do të jenë një grishje për publikun, por edhe një ftesë për donatorët.

“Do ta quajmë viti i donacioneve, ftojmë publik, studiues, shkencëtarë, njerëz të biznesit apo që kanë të ardhura monetare, t’i ofrohen BK që të bëjnë një gjest dhurimi, veçanërisht për të pasuruar fondin albano-ballkanologjik. Specialistët tanë janë duke hartuar një listë, në të cilën do të tregohen nevoja, apo mungesat që do të donim të mbusheshin në BK. Jam e bindur që edhe nëpër shtëpi ka ende biblioteka personale, të trashëguara, që mbajnë vlera të mëdha dhe është mirë që përmes një gjesti dhurimi ato të kthehen në një pasuri për të gjithë, e ruajtur në kushtet më të mira të mundshme”, shton ajo.

Vetë BK ka një fond të posaçëm për blerjen e botimeve me karakter albano-ballkanologjik, që kap një shifër prej 500 mijë lekësh të rinj.

Alma Mile 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura