“Mundimet që ‘kalorësi i errësirës’ më shkaktoi mua dhe vajzës sime së vogël”- Dëshmia e gruas pas 35 vitesh: Si më inskenoi akuzën për një pasazh në…

Jul 28, 2020 | 19:21
SHPËRNDAJE

Nuk është hera e parë, që një postim për Edmond Cajën, të provokojë komente dhe mesazhe në adresën e kujto.al. Janë reagime të të dënuarve politikë që kanë parë dhe kanë provuar dhunën dhe mizorinë e të ashtuquajturit “kalorës i errësirës” gjatë kohës që ai ishte shef policie dhe më pas komandant i burgut të Qafë-Barit.

aferdita

Janë dëshmi të qarta dhe thirrje të hapura të këtyre të dënuarve për t’u përballur me ish-drejtorin e kampit ku kanë vuajtur dënimin, i cili jeton prej vitesh në Gjermani dhe vitin e kaluar është bërë subjekt i një padie penale për krime kundër njerëzimit, një çështje që, siç e tregon dhe dokumentari i Luljeta Prognit, për ABC news, publikuar ditën e djeshme në kujto.al, ka tërhequr së fundmi edhe vëmendjen e drejtësisë gjermane.

Por mesazhi që mbërriti sot në adresën e kujto.al për Edmond Cajën, nuk është i një ish-të dënuari politik, por dëshmia e një gruaje që është përballur me kërcënimet dhe egërsinë e tij, pikërisht në ato vite, kur Caja drejtonte burgun e Qafë-Barit.

Afërdita Xhafo Hall, aktualisht e martuar me një shtetas amerikan, na ka rrëfyer ngjarjen e 35 viteve më parë, kur rrethanat e sollën që të përfshihej në sferën e ndikimit të Edmond Cajës dhe familjes së tij, të cilët tentuan ta fusnin në burg, sepse po iu rezultonte pengesë në një çështje familjare, ku viktima ishte ajo. Afërdita në atë kohë ishte e martuar me ish-bashkëshortin dhe kishte një vajzë një vjeçe e gjysmë, por babai i vajzës së saj kishte vendosur të ndahej me të për të nisur jetën me V.Cajën, motrën e Edmond Cajës. Në këtë çast, ndërhyjnë vëllezërit Caja.

Gruaja e re, nënë e një fëmije fare të vogël, u bë shenjestër e presioneve të jashtëzakonshme duke i shkuar shumë afër burgut, nga i cili Zoti deshi të shpëtonte pa e provuar. E megjithatë, jeta e saj, për vitet e mbetur deri në rënien e diktaturës u shenjua prej tronditjes që shkaktoi ky ballafaqim me pushtetin e errët të Edmond Cajës, të aftë për gjithçka dhe kërcënimet e familjes së tij.

“Pothuajse 35 vjet më parë, pra rreth 1985 – 1986 pata fatin e keq që të ndeshesha me familjen Caja, saktësisht dy vellëzerit Caja, njëri me i rrezikshëm se tjetri. Isha në proces divorci nga martesa ime dhe jetoja me vajzën e vogël, 1 vit e gjysmë, në një apartament me ish-bashkëshortin që menjëherë u martua me të motrën e vëllezërve Caja, kur këto bisha-njerëz m’u vërsulen si gjakpirës duke përdorur çdo mjet që mundeshin për të arritur qëllimet e tyre të mbrapshta. Gjyqi i atëhershëm, pas divorcit, i lejonte gruas të qëndronte në dhomën e gjumit së bashku me fëmijën deri sa Këshilli i lagjes t’i gjente shtëpi, gjë që nuk ndodhi kurrë.

Gjatë kësaj kohe, meqë motra e këtyre dy kriminelëve, V. Caja, kishte hyrë në martesën tonë duke shkaktuar edhe ndarjen, vëllezërit planifikuan çdo kurth dhe poshtërsi për të më përzëne me gjithë vajzën e vogël nga shtëpia, kështu që motra e tyre V. Caja të merrte edhe dhomën ku unë rrija. Pra, për një dhomë ata më çuan në polici dhe hetuesi duke më kërcënuar se do të më fusnin në burg dhe do më përjashtonin nga arsimi, ku unë punoja si mësuese në një fshat të Fushë-Krujës.

Në hetuesi më akuzuan se kisha simpati për mbretin Zog dhe se babai im kishte shkruar në vitet e mbretërisë një libër për Zogun. Në të vërtetë, babai im pasi mbaroi shkollën amerikane të kohës, merrej edhe me përkthime dhe pat përkthyer një libër për nënat e reja dhe rritjen e fëmijëve, por në parathënien e këtij libri, babai i dedikonte disa rreshta mbretit Zog.

Mbi këtë fakt vëllezërit Caja pretendonin të më burgosnin dhe si rrjedhim ëndërronin të rehatonin motrën e tyre që tashmë ishte martuar me babain e vajzës sime. Fati e desh që unë t’ju shpëtoja kurtheve të tyre për të më burgosur me shpifje dhe dëshmitarë fals. Por kurrë s’do t’i harroj fytyrat e egra të vëllezërve Caja dhe mundimet që më shkaktuan si mua dhe vajzës së vogël, po ashtu edhe familjes sime”, shkruan Afërdita Xhafo Hall në mesazhin e saj për kujto.al.

Në atë periudhë ajo jetonte në Tiranë, qytetin ku ishte lindur dhe rritur, në një apartament në Kinostudio, ku tashmë kishte dalë e tepërt. Dhe për ta larguar që aty, vëllezërit Caja, funksionin e tjetrit ajo nuk e di, por di që edhe ai u tregua njëlloj kërcënues sa vëllai i madh, Edmondi, menduan ta kërcënonin me burg.

Prej paaftësisë, gjithsesi naive, për të perceptuar sesi dikush mund të porosisë burgun e një nëne të re të pafajshme, thirrjet e saj në polici mund të interpretohen edhe si tentativë për ta trembur, por Afërdita dëshmon që hetuesit po merreshin seriozisht me çështjen e saj. Iu rrëmua e shkuara, ku, veç librit të të atit, iu gjet një paralajmërim për përjashtim nga universiteti për pikëmpamje të huaja dhe u bashkua me akuzat e kota për muzikën e huaj dhe modën perëndimore.

“Në hetuesi më thoshin: “Çfarë di ti për mbretin Zog, ke simpati për atë kohë, kush të ka frymëzuar, dëgjon muzikë të huaj dhe ndjek modën perëndimore, kur ke qenë studente ke qenë paralajmeruar për t’u përjashtuar nga universiteti për pikëpamje të huaja”. Kjo e fundit ishte e vërtetë sepse shokët revolucionarë të kursit tim më kanë bërë gjyq deri në mesnatë dhe propozuan që të përjashtohesha nga shkolla dhe të shkoja të punoja “në gjirin e klasës punëtore”. Kështu që në hetuesi ma përmendën edhe këtë”.

Kundër Afërditës nuk kishte asnjë provë të denjë për ta burgosur, por në regjimin e asaj kohe, kjo nuk do të thoshte asgjë. “Shkaku që i shpëtova arrestimit ishte krejt rastësor. Një e njohur që punonte në permanent, kishte lidhje krushqie me hetuesin e Tiranës dhe kur dëgjoi  historinë time, i erdhi keq dhe ndërhyri për të më shpëtuar”, tregon Afërdita. Ishte gjendur rastësisht në rrugën e një personi më vendimtar në atë proces, sesa komandanti i burgut të Qafë-Barit, që kishte mbajtur anën e saj dhe të së drejtës.

Ndërkohë Edmond Caja, do të urdhëronte tortura dhe dënime, në kampin e largët të Qafë-Barit, ku edhe për tre katër vite të tjerë, do të bëhej çfarë donte ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura