Mundi Gjermaninë, kush është trajneri i Meksikës? Njeriu që studioi Liverpulin e mësoi nga Fergusoni

Jun 19, 2018 | 20:36
SHPËRNDAJE

Fitorja kundër Gjermanisë nuk ishte rastësi. Por, një plan 6- mujor i përgatitur me kujdes nga Huan Karlos Osorio. Madje, edhe më i vjetër po të doni. Sepse trajneri meksikan ka studiuar për dy vite me radhë në qendrën stërvitore të Liverpulit, “Melwood”. Osorio, trajneri i Meksikës, i cili mban dy stilolapsa fshehur poshtë çorapeve të tij (një blu dhe një të kuq për gabimet), nuk ka pasur një karrierë të lavdishme si futbollist. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për atë të trajningut.

4D5918FD00000578-0-image-m-174_1529325473213

I diplomuar në Shkenca Fizike, ai vendosi të transferohej jashtë vendit për t’u specializuar më tej dhe zgjodhi Universitetin e Liverpulit “John Moores”, ku studioi Shkencë dhe Futboll. Por, ai nuk i kaloi vitet e tij të studimit në aulën e universitetit. Familja MeKanus në Liverpul, e cila e ka shtëpinë ngjitur me qendrën stërvitore “Melwood”, tregon për surprizën kur dikush u trokiti në derë. Jashtë qëndronte një kolumbian, i cili me mirësjellje u kërkoi nëse mund t’u merrte hua një tavolinë dhe një shkallë për të parë nga afër stërvitjen e Liverpulit.

Në fund të bisedës, ai e bindi familjen që ata ta pranonin në shtëpinë e tyre. Osorio qëndroi për dy vite, duke analizuar stërvitjen e skuadrës së Zherard Huliesë. Ai mbajti shënime të shumta që do ta ndihmonin më vonë në karrierë. 57-vjeçari kujton: “Mendova se përveçse duhet të bëj Masterin, duhet ta shfrytëzoj kohën në mënyrë të vlefshme. Kështu që ajo çka bëra ishte gjetja e shtëpisë së duhur që shikonte nga rruga “Melwood”, në mënyrë që të mund të shikoja Liverpulin të stërvitej çdo ditë. Pata shansin të jetoja në atë shtëpi me familjen MekManus, kështu që jo vetëm e shikoja stërvitjen mbi gardh me shkallë, por kur koha ishte me shi, e shikoja nga dritarja brenda shtëpisë”.

Liverpuli nuk e lejoi kurrë të hynte brenda “Melwood” për të parë një seancë, ndërsa Evertoni ishte më mikpritës, me Dejv Uotsonin që e akomodoi në “Finch Farm”. Viteve të tij të studimit u erdhi fundi dhe pas një periudhe të shkurtër si zëvendëstrajner i Metrostars në SHBA, ai u rikthye në Britani për të marrë një rol asistenti te Mançester Siti i Kevin Kiganit. Shon RajtFilips ishte një nga lojtarët që punoi me Osorion, i cili prezantoi një stil të ri stërvitjeje në “Etihad”. “Erdhi me një filozofi të re, e cila ishte me të vërtetë unike. Ai është njeriu i parë që solli në Britani këtë stil, me sa di unë”, tregon Filips për “ESPN”. Në katër vitet që punoi te Siti, ai pati shansin të takonte edhe Sër Aleks Fergusonin.

Osorio flet për ndikimin e jashtëzakonshëm që trajneri i Mançester Junajtid pati tek ai. “Në vitin 2001, kur unë erdha për herë të parë te Siti, nëse ju kujtohet, Siti atëherë ishte në Championship, unë shkova edhe në ‘Carringon’ dhe u takova me zotin Ferguson. Dhe i kërkova që të mund të ndjekë seancat stërvitore të Mançester Junajtid”, tregon Osorio për “Sky Sports”. “Më kujtohet që ndiqja me durim çdo seancë stërvitore, derisa ai vinte për pesë minuta me pallton e tij të gjatë dhe më thoshte disa gjëra. Vetëm për ato ia vlente që të qëndroja për dy orë të tëra atje, sepse një nga gjërat kryesore që mësova ishte përse dhe si duhej bërë rrotacioni. Dhe ato fjalë të mençura të tij, më kujtohen ende sot”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura