“Mund t’i shpëtonin jetën, fëmija u nxor i pari pa ndjenja”- U bë dëshmitar i ngjarjes tragjike, flet i riu: Absurde, ambulanca qëndronte matanë rrugës

Jun 28, 2022 | 13:00
SHPËRNDAJE

Një aksident tragjik i mori jetën nënë e bir mesditën e së hënës në Berat. 25-vjeçarja Klaudia Xhaferaj po udhëtonte me një makinë tip ML, së bashku me djalin e mitur, kur humbi kontrollin e mjetit dhe ra në ujërat e lumit Osum.

Aksidenti rezultoi fatal për nënë e bir, të cilët nuk mundën të mbijetonin dot pavarësisht se disa qytetarë vrapuan që t’i shpëtonin duke u munduar t’i nxirrnin nga makina.

Një i riu, i cili ishte në mesin e qytetarëve që tentuan të shpëtonin nënën dhe të birin e saj 6-vjeç, rrëfeu momentin e rëndë.

Ai tregoi se fillimisht u nxor nga makina fëmija, që ishte pa ndjenja. Ndërsa theksoi se nëse do ishin më shumë persona, do të kishin mundur të shpëtonin të paktën një prej viktimave.

I riu tregoi se ambulanca qëndroi matanë rrugës, ndërkohë që nuk diheshin se sa persona mund të ishin në automjetin e aksidentuar.

“Pashë momentin kur nxorën fëmijën të parin, ishte pa ndjenja. U preva shumë, ambulanca rrit këtu, ndërkohë trupat ishin matanë. Do dilnin njerëzit nga makina, si do i çonim matanë rrugës. Ishte absurde. Ambulanca e parë kaloi në lumë, tjetra këtu. Nuk dihej sa veta ishin në makinë. Kanë vdekur nga mbytja, se makina u fut ngadalë në lumë. Nuk arritëm të hapnim dyert, absolutisht jo. Makina ishte në një pozicion ku nuk dilnin dot. Ishim 5 veta, nëse do ishin dhe 10 të tjerë mund ta kishim kthyer makinën dhe t’i shpëtonim jetën, fëmijës ose mamasë”, tregoi i riu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura