“Mund të ndodhte para shtëpisë, Prokurorisë, jo në autostradë”- Prokurori Ndoja flet pas atentatit: S’isha unë shënjestra e atentatit

Nov 3, 2019 | 13:09
SHPËRNDAJE

I vetmi që ka mundur të japë dëshmi për grupin e hetimit që kryesohet nga prokurori Anton Martini, është vetë prokurori Arian Ndoja, pasi Aleksandër Laho dhe Andi Maloku e kanë pasur të pamundur komunikimin për shkak të gjendjes shëndetësore.

arjan-ndoj

Prokurori i Durrësit, Arian Ndoja, ka mohuar të ketë parë autorët e atentatit që ndodhi ndaj tij dy ditë më parë, në orën 16:30 te Mbikalimi i Shkozetit. Kolegët nga Krimet e Rënda e kanë pyetur në katin e dytë të Spitalit të Durrësit prokurorin e plagosur nga dy plumba, i cili dje ka dalë nga reanimacioni.

Ai mësohet se nuk ka dhënë shpjegime të detajuara, duke përsëritur shpesh frazën: “Nuk kam parë gjë”. Gjithashtu, 44-vjeçari Ndoja u ka thënë hetuesve se nuk ka asnjë lloj konflikti me askënd dhe për rrjedhojë nuk mund të jetë ai objekti i atentatit ku mbeti i plagosur. Pak kohë më parë, prokurori Arian Ndoja u akuzua nga Kryeministri Rama si i lidhur me bandat e krimit, pas urdhrit që ai dha për arrestimin e ish-kreut të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula.

DESHMIA

Arian Ndoja ka shpjeguar dje para hetuesve se pasi kishte drekuar në një lokal në zonën e plazhit në Durrës me shoferin e tij Andi Maloku, në tavolinë u është afruar edhe shtetasi Landi Muharremi, me të cilin më pas janë nisur me makinën me targa AA 333 ZD për në Tiranë. Ndoja është shprehur se nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë deri në momentin kur breshëritë e armëve janë derdhur mbi makinë krejt papritur.

Prokurori ka pohuar se nuk ka arritur të fiksojë asgjë në lidhje me autorët e atentatit pasi makina ka humbur drejtimin dhe ka dalë nga rruga. “Nëse do të më adresoheshin mua, nuk kishin arsye të më vrisnin në autostradë. Mua mund të më vrisnin në derë të shtëpisë, në Prokurori. Nuk ka arsye që të më sulmonin në autostradë”, ka pohuar prokurori. Sipas Ndojës, devijimi i lëvizjes së makinës që ka bërë shoferi i tij u ka shpëtuar jetën të tre personave, pasi plumbat kanë qenë të shumtë.

AKUZAT

Prokurori Arian Ndoja është lakuar javët e fundit nga Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministri Erjon Braçe, pas urdhrit të arrestit që prokurori kishte lëshuar ndaj shefit të Kadastrës, Liridon Pulës. Duke e konsideruar arrestimin e këtij të fundit të padrejtë, Rama akuzoi prokurorin për bashkëpunim me grupet kriminale.

“Sa kohë kam që e them, këto kanë vënë pasuri marramendëse. Me çfarë i bërë, zotrote, faturat e bixhozit në Monte Karlo. Nuk është pushim nga puna vettingu, por do të hetohet. Sot është prokuror dhe punon për organizatat kriminale e u bën shantazh nëpunësve të shtetit. Nuk arreston qeveria, arreston drejtësia dhe procesi i një drejtësie që arreston, është ky që po bëjmë”, tha Kryeministri disa javë më parë.

Akuzat për prokurorin u vazhduan me tej edhe nga zëvendëskryeministri, Erjon Braçe, që ndoqi edhe seancën për vlerësimin e masës së sigurisë. “Nuk ishte provuar që drejtuesi i Kadastrës të kishte sjellë dëme mbi shtetin, që nuk e pretendon as prokurori dhe dëme mbi privatin, kompaninë që ka bërë ndërtime në Lalëz ose partnerët e saj, që janë pronarët e truallit.

Çdo gjë, në gjykimin tim personal, është e stisur dhe prokurori e gjykatësi duhet të vërtetojnë në Apel ato që nuk i provuan, por edhe u përgjigjën që deri në këtë moment kemi këto, nëse na sillni prova, ne ndryshojmë qëndrim.

Nuk sjell i akuzuari prova, por prokurori. E kuptoni se në çfarë shkelje të rëndë kushtetuese është ky prokuror?”, tha Braçe. Kreu i Kadastrës akuzohet për “Shpërdorim detyre”, ndërsa u la në burg në Shkallë të Parë, vendim që u prish disa javë më vonë nga Gjykata e Apelit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura