“Mund të ndodhte katastrofë edhe më e madhe”- Kreu i zjarrfikësve në Tetovë jep detajet e frikshme: Flakët mbuluan spitalin brenda pak kohe, pati një shpërthim. Brenda 28 minutave…

Sep 9, 2021 | 12:04
SHPËRNDAJE

Komandanti i shërbimit të kundërzjarrit në Tetovë, Uka Aliti dha detaje të frikshme në një deklaratë para mediave për zjarrin që përfshiu spitalin Covid nga ku mbetën të paktën 14 të vdekur dhe disa të plagosur.

Sipas tij, flakët e zjarrit ishin shumë të mëdha dhe mund të ndodhte një katastrofë edhe më e madhe

“Kemi dalë me 3 makina dhe 17 zjarrfikësa në vendngjarje. Kemi nisur menjëherë ndërhyrjen në brendësi të klinikës me dy automjete në njërën anë, meqë bëhet fjalë për një objekt shumë të madh.

Kemi parë që kishim nevojë dhe në anën tjetër të ndërhyjmë dhe nxorrëm një makinë tjetër me një ekip. Flakët e zjarrit ishin aq të mëdha, mundoheshim që flakët e zjarrit t’i shuajmë, por edhe në anën tjetër kolegët e tjerë të bëjnë evakuimin apo nxjerrjen e njerëzve të cilët ishin në atë objekt. Me shuarjen e zjarrit apo ndaljen e flakëve kemi parandaluar që mos të kapen edhe objekte të tjera që dëmi të bëhej edhe më i madh apo që të ndodhte ndonjë katastrofë edhe më e madhe”, tha ai.

Kreu i zjarrfikësve sqaroi se zjarri kishte filluar në pjesën e përparme të objektit të spitalit Covid dhe për një kohë shumë të shkurtër përfshiu tërë spitalin.

“Mund të them që gjatë ndërhyrjes, meqë ishte mbrëmje, kemi nxjerrë njerëz edhe të gjallë, por edhe të pajetë fatkeqësisht. Puna jonë ishte vetëm të nxjerrim njerëz e të shuanim zjarrin, për numër nuk mund ta di numrin e saktë, do jenë organet kompetente që do japin numrin e saktë të të mbijetuarve apo ata që ndërruan jetë për fat të keq.

Flakët për një kohë të shkurtër kanë mbuluar tërë objektin, kështu që kanë depërtuar dhe në brendësi të objekteve”, u shpreh Aliti.

Ka pasur shpërthim të bombolave të oksigjenit?

“Primare për ne ka qenë për ne të nxjerrim njerëzit nga flakët e zjarrit se bëhej fjalë për një temperaturë jashtëzakonisht të lartë në një ambient të mbyllur. Para se të mbërrinim ne ka pasur vetëm një shpërthim ku është dëgjuar dhe nga ai shpërthim i bombolës me oksigjen, që ndihmon zjarrin të zmadhohet, por me arritjen tonë, brenda 27-28 minutave kemi arritur ta vëmë nën kontroll dhe ta lokalizojmë tërësisht”, tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura