“Mund të ndalohet në gjysmën e shteteve”/ Debate në SHBA për ligjin e abortit, ja reagimet që solli vendimi i Gjykatës së Lartë

Jun 25, 2022 | 17:54
SHPËRNDAJE

Gjykata e Lartë amerikane ka rrëzuar një vendim dhjetravjeçar, të njohur si rasti Roe kundër Wade, sipas të cilit gratë gëzojnë të drejtë kushtetuese për të kryer një abort.

gjykata e larte

Vendimi pritej pas rrjedhjes në media në fillim të këtij viti të një opinioni paraprak mbi këtë çështje. Tashmë janë shtetet që do të vendosin nëse do ta lejojnë ose jo abortin. Pritshmëritë janë që ai të ndalohet në rreth gjysmën e shteteve amerikane.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë amerikane aktivistët kundër abortit po festojnë. Ky institucion i dha fund mbrojtjes kushtetuese gati 50-vjeçare për abortin duke hedhur poshtë çështjen historike “Roe kundër Wade”.

“Ne jemi këtu për të festuar. Jemi shumë të gëzuar me vendimin e gjykatës. Është diçka për të cilën kemi luftuar për dekada”, thotë një aktiviste kundër të drejtës së abortit.

Në një reagim menjëherë pas vendimit, presidenti Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë një ligj federal që mbron të drejtën grave për të abortuar.

“Ishin tre gjykatës të emëruar nga Presidenti Donald Trump, të cilët me vendimin e sotëm eleminuan një të drejtë themelore për gratë në këtë vend. Me këtë vendim, shumica konservatore e Gjykatës së Lartë tregon se sa ekstreme është. Sa larg janë ata nga shumica e këtij vendi”, tha Presidenti Biden.

Sondazhi i fundit nga organizata “Gallup” tregon se besimi tek Gjykata e Lartë ka rënë në nivelin më të ulët, në 25%.

Gjykatësi konservator Samuel Alito, i emëruar nga ish-Presidenti George W. Bush, në opinionin përfundimtar të lëshuar të premten shkruante:

“Kushtetuta nuk i referohet abortit dhe asnjë e drejtë e tillë nuk mbrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga asnjë dispozitë kushtetuese”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë erdhi pasi shqyrtoi një ligj të shtetit të Misisipit që ndalon shumicën e aborteve, pas javës së 15-të të shtatzënisë.

Me vendimin e fundit Gjykata e Lartë mbështi ligjin e Misisipit.

“Shtetet duhet të vendosin nëse do të lejojnë apo ndalojnë abortin”, thuhet në opinionin e Gjykatës së Lartë amerikane.

“Janë rreth 13 shtete që kanë masa kufizuese për abortin dhe që menjeherë do të bëjnë ligje që të ndalojnë abortin plotësisht. Në përgjithësi, rreth 26 shtete mund ta ndalojnë praktikisht abortin”, thotë Elizabeth Beske, nga Universiteti Amerikan.

Vendimi i fundit mund t’i detyrojë gratë të shkojnë në shtete të tjera për të kryer abort. Rreth 15 shtete pritet të garantojnë të drejtën për abort. Mbrojtësit e abortit e shohin vendimin si një sulm ndaj të drejtave riprodhuese dhe privatësisë.

“Do të punoj që abortet të mos ndalen”, thotë Helen Luryi, aktiviste për të drejtat e abortit.

“Do të luftojmë duke zgjedhur më shumë gra në Kongres, në organet legjislative të shtetit në këshillin e qytetit. Gra që i kuptojnë çështjet dhe do të jenë në vijën e parë për të miratuar ligje për ta hedhur poshtë këtë vendim të tmerrshëm”, thotë ligjvënësja demokrate Carolyn Maloney.

Aktivistët kundër abortit thonë se vendimi i fundit është një “fitore për jetët njerëzore”

“Do të luftoj për të drejtat e grave. Si eksperte ligjore jam shumë e shqetësuar për këtë, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që flasim për jetë njerëzore. Ata janë qënie humane e kanë të drejta gjithashtu, kështu që ne duhet të gjejmë një mënyrë për të mbrojtur gratë, por edhe të drejtat themelore të këtyre fëmijëve”, thotë Theresa Brennan.

Vendimi nga Gjykata e Lartë erdhi rreth një muaj pas rrjedhjes së opinionit paraprak që tregonte se gjykata ishte e përgatitur për të ndërmarrë këtë hap. Ndërkohë disa shtete në të gjithë vendin kanë nisur të ndryshojnë me ligj qasjen ndaj abortit./ Marrë nga VOA

 

© Panorama.al

Te lidhura