“Mund ta gënjejë publikun sa të dojë”/ Gjuriç: Avdullah Hoti nuk do t’i ikë dot krijimit të…

Sep 28, 2020 | 13:57
SHPËRNDAJE

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, “mund ta gënjejë publikun sa të dojë”, por ai “nuk do t’i ikë” krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

gjuric“Ai [Hoti], në takimet në Bruksel, këndon këngë tjetër dhe jo vetëm që premton se do ta mundësojë formimin e Asociacionit të komunave serbe, por edhe garanton autorizime shtesë për të”, tha Gjuriq në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

Gjuriq, i cili është edhe udhëheqës i delegacionit të Serbisë në bisedimet në nivel ekspertësh me Kosovën, tha se Hoti duhet të ndërmarrë urgjentisht hapa për të formuar Asociacionin, pas një vonese shtatëvjeçare.

Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Derisa Kosova insiston tani se nuk dëshiron ta hapë më çështjen e Asociacionit në bisedimet me Serbinë, kjo e fundit kërkon që të bisedohet për të.

Edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lakçak, ka thënë se Asociacioni “duhet të adresohet në kuadër të marrëveshjes gjithëpërfshirëse” midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, Hoti përsëriti të hënën se çështja e Asociacionit është një temë e mbyllur tashmë dhe se ajo nuk hapet.

Gjuriq, në anën tjetër, tha se çështja e Asociacionit “do të mbyllet kur ai të formohet në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel, madje as atëherë, sepse Asociaioni është menduar dhe dakorduar si një institucion, që mund ta zhvillojë dhe zgjerojë edhe anëtarësimin, edhe kompetencat e tij”.

Një takim i Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, ka qenë i paraparë të mbahet sot në Bruksel, por ai është shtyrë për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët evropianë, situatës së krijuar me koronavirus./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura