Muça: Kampionati i mbyllur, Tirana ia del në Kukës. Për FSHF-në votojnë njerëz që s’kanë lidhje me sportin

Feb 13, 2018 | 22:00
SHPËRNDAJE

Emri im e ka CV brenda dhe mjaftonte që ishte në listë për Komitetin Ekzekutiv, nuk kisha pse të bëja lobim për të kërkuar votën”, shprehet ndër të tjera Shkëlqim Muça, teksa, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon punimet e Asamblesë Zgjedhore 2018, si dhe shqetësimet reale që i kanosen familjes së futbollit.

muca

Në analizën që bën, Muça shprehet se rregullimi i raporteve për njerëzit e sportit dhe të politikës në Komitetin Ekzekutiv janë lehtësisht të përcaktueshme me anë të kritereve, por duhet që të ekzistojë vullneti i familjes së futbollit.

Sa i përket garës sportive në vend, Muça evidenton pjekurinë e Skënderbeut si skuadër aktuale dhe si klub me planet që ka, ndërsa nënvizon ecurinë shqetësuese të Teutës. Për dy skuadrat e kryeqytetit, nuk e sheh aspak si të pamundur kualifikimin në kupë, teksa u jep njësoj shanse si Flamurtarit edhe Partizanit, po ashtu deklaron pëlqimin për kualifikimin e Tiranës.

Shkelqim Muca

A jeni i zhgënjyer për moszgjedhjen në Komitetin Ekzekutiv?

Jo, absolutisht, ishte një garë e cila ka fitues dhe të humbur. Unë do të isha i zhgënjyer nëse 65 apo 66 anëtarët që do të votonin, të ishin njerëz të sportit. Pjesa më e madhe aty ishin njerëz që nuk kishin lidhje direkte me sportin. Pjesa dërrmuese ishin njerëz të bashkive, të politikës etj., etj.

Çfarë ndjesie ju la mënyra e votimit, ku pjesa e përzgjedhjes së anëtarëve të KE-së u bë në rrëmujë e sipër për nga nxitimi i anëtarëve të Asamblesë për t’u larguar nga salla?

Nuk di të them shumë sepse, unë nuk e ndoqa si proces. Unë u ula diku jashtë kur nisi procesi i votimit për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv. Mund edhe të isha larguar dhe ta mësoja më pas.

Pati ankesë për numërimin e votave nga dy kandidatë…

Kishte shumë të interesuar prej kandidatëve, që ishin të preokupuar dhe mbajtën edhe shënimet e veta që është diçka normale. Isha prej tyre, që nuk isha shumë i interesuar te procesi, por doja vetëm që të dilte vendimi përfundimtar dhe kaq. Që në përfundim të raundit të parë, kur e pashë që nuk isha votuar, mund të isha larguar. Pashë njerëz shumë të interesuar dhe që lobojnë shumë, ndërsa unë thjesht kisha dëshirë që të isha pjesë e komitetit dhe kandidova. Emri im i përfshirë në atë listë e ka CV brenda dhe unë nuk kisha pse t’u thosha që të më votonin mua. Që në momentin që i kam lexuar emrat e atyre që do të votonin, isha i bindur që nuk do të zgjidhesha në Komitet.

 

Kandidatët nga politika qenë të shumtë edhe në garën për Komitetin Ekzekutiv, një prej të cilëve fitoi…

Ju si media e keni ngritur shqetësimin e politikës, por është lehtësisht e zgjidhshme me statut. Mjafton që të ndryshohet statuti, të vendosen kritere për ata që duhet të jenë në Komitetin Ekzekutiv dhe, për shembull, të ketë një kriter që 60% të jenë njerëz nga bota e sportit, pra 6 nga 11 anëtarët dhe pjesa tjetër të vijnë nga fusha të tjera.

Nëse Asambleja kërkon që ta ndryshojë, mjafton të vendosen kritere dhe në Komitet do të ketë më shumë njerëz të sportit, pra jo vetëm ata që kanë luajtur futboll, por ishpresidentë, ish-drejtues etj., nga bota e sportit. Siç ka kritere për KLP apo KLGJ, që nuk mund të futet dikush që ka luajtur futboll, edhe familja e sportit të vendosë vetë kritere që Komiteti Ekzekutiv të ketë më shumë hapësira për njerëzit e sportit. Është e thjeshtë, vetëm nëse Asambleja nuk ka vullnet për ta ndryshuar.

U zhvillua Asambleja e futbollit, por nuk u diskutua aspak për infrastrukturën, nisur që me klubet e Superiores për problemet që kanë…

Problematika është e vërtetë, por nuk kanë sesi të diskutojnë njerëzit e bashkive të politikës, kur infrastruktura është përgjegjë- si e tyre. Duke qenë i ftohtë nga procesi, dua të them se, ata njerëz që votuan për sportin, nuk kanë si t’i kërkojnë përgjegjësi një presidenti apo Komitetit Ekzekutiv, kur përgjegjësia për infrastrukturën është e tyre. Në të gjithë vendet e botës, infrastruktura është përgjegjësi e pushtetit vendor.

Ata që kanë ekipe, në planet dhe buxhetet e tyre, duhet të përfshijnë edhe sportin. Po të shohësh aktualisht buxhetet e bashkive për sportin janë qesharake, minimale. Përveç Korçës dhe Tiranës deri diku, që po bëhet diçka edhe për infrastrukturën sportive krahas të gjitha ndryshimeve dhe investimeve në fushat e tjera, bashkitë e tjera janë inekzistente në këtë aspekt. Të gjitha bashkitë, në buxhetet e tyre vjetore, duhet të përfshijnë patjetër ndërtimin e fushave nëpër periferi, pallatet e sportit, palestra noti etj., etj.

 

Prandaj, është normale që asnjë prej tyre nuk i ngriti problemet e infrastrukturës, as për elitën e futbollit në vend, sepse është përgjegjësi e tyre. Federata është shoqatë që organizon kampionatin dhe ajo vendos kritere për t’u kërkuar llogari klubeve. Me fondet që ka, mund të ndihmojë klubet në vështirësi, por nuk është ky zhvillimi i futbollit.

Që të zhvillohet futbolli, duhen impiante moderne. Që të kesh njerëz në stadiume, duhet të ketë të tilla impiante. Dhe, për këtë, duhet të ndërhyjë shteti, bashkia me qeverinë.

Siç ndodhi në Shkodër apo edhe në Elbasan. Imagjinoni që në çdo qytet të ketë një stadium si i Elbasanit, do të ketë të paktën 50% më shumë tifozë. Federata duhet të bëjë përpjekje të shumta për të bërë garë të pastër, transparente dhe të luftojë fenomenet e trukimeve, ndërsa infrastruktura nuk është përgjegjësi e saj.

Arbitrimi, në Asamble ishin të gjithë drejtuesit e klubeve që ankohen për xhaketat e zeza, por nuk pati asnjë shqetësim të ngritur…

Nuk është vendi aty për të diskutuar problemet sportive. Asambleja vjetore mund të diskutojë të tilla shqetësime, për problemet, buxhetin, arbitrat etj. Ndërsa, kur ka asamble zgjedhore, gjërat janë të fokusuara te zgjedhjet. Rreth 50 apo 60% e atyre që ishin aty, nuk kanë lidhje direkte me sportin dhe nuk kishin si të diskutonin për të tilla gjëra.

Ishin njerëz që kanë probleme të tjera me qytetet, me ujin, dritat, kanalizimet dhe kishin ardhur thjesht me urdhër. Tjetër gjë do të jetë kur të marrin pjesë shefat e klubeve. Këtë vit kishte njerëz që s’merren me sport në përditshmëri, madje nuk më ka folur njeri. Kjo tregon edhe nivelin…

Gara futbollistike. Në Kupë, Tirana do të luajë ndeshjen e kthimit ndaj Kukësit. Duke kujtuar çfarë ndodhi një vit më parë, si e prisni këtë përballje?

Natyrisht që Kukësi, me rezultatin e sfidës së parë, është i favorizuar. Megjithatë, pritet një ndeshje e fortë. Personalisht anoj nga Tirana, kam dëshirë që të kualifikohet, por është e vështirë për faktin se luhet brenda në Kukës. Jo vetëm kaq, por Kukësi është skuadër e motivuar, pasi, duke u gjendur në pozita jo komode në kampionat, do të tentojë finalen e Kupës dhe fitimin e saj si shpëtim.

Sa të mundur e shihni përmbysjen e Partizanit në Kupë ndaj Flamurtarit?

Sipas meje, mundësitë janë 50 me 50. Mos u ndikoni vetëm nga fitorja minimale e Flamurtarit, pasi është pak më i avantazhuar, por nuk do të thotë gjë. Unë i shoh në kushte të barabarta të dyja skuadrat.

Fitorja e Skënderbeut ndaj Flamurtarit, e shihni si ndeshjen që mbylli garën për titull?

Mendoj që Skënderbeu këtë vit do të jetë fituesi i kampionatit, sepse rezultatet nuk i ka sporadike, por është skuadër që ka bindur me lojë, me kontingjentin që ka, me përgatitjen që kanë lojtarët, me gjendjen e pikëve etj., etj. Është skuadër që nuk toleron në këto momente dhe që ia di shumë mirë benefitet kampionatit. Jam 100% i bindur se edhe këtë vit do të jetë prapë kampion.

Impenjimi në Kupë, prisni një Skënderbe që të impenjohet maksimalisht për të synuar trofeun që i mungon?

Të fitosh trofe, është gjëja parësore për një klub dhe secili duhet të jetë i etur për ta bërë këtë gjë. Megjithatë, në Kupë ka edhe hapa falsë, sidomos kur ekipi arrin objektivin madhor në kampionat. Lufta në Kupë është e një tjetër natyre dhe mund të ketë edhe befasi, ndërsa për kampionatin, sipas meje, është i mbyllur.

Me sa kemi parë deri më tani në kampionat dhe Kupë, cilën skuadër veçoni si “surpriza pozitive” dhe cilën si “surpriza negative”?

Skënderbeu, këtë vit, ka treguar që është serioz, që në fazë përgatitore në Kupat e Europës dhe ka pasur rezultate pozitive dhe vazhdimësi. Ka objektiva të qartë për të ruajtur një vazhdimësi të tillë, sepse ja ka parë edhe benefitet pozitive. Drejtuesit dhe i gjithë stafi kanë mësuar tashmë që, duke punuar cilësisht dhe kërkuar suksesin, ka benefite grupi, klubi dhe skuadra, por edhe lojtarët si individë. Mendoj që është një klub shumë i pjekur dhe i ka të gjitha mundësitë që të fitojë si nga ana sportive, ashtu edhe nga ajo financiare. Sa i përket surprizës negative, sinqerisht e them se, klubi që më ka bërë përshtypje në këtë aspekt, është Teuta. Prisja më shumë nga kjo skuadër që të ishte më lart. Ka paraqitur një gjendje që e ka vendosur aktualisht në vështirësi.

Çfarë mesazhi dhe sa rëndon ngjarja me Këlcyrën, pas vendimit që u mor në Apel për ta falur?

Natyrisht që dhuna është e papranueshme në futboll dhe kudo. Duhet të jemi shumë të fortë edhe me masat. Por, që të dënosh një qytet të tërë, një ekip të tërë, për mua është jo normale. Për mua, ka përgjegjësi personale dhe duhet të dënohen ata njerëz që janë aktiv në atë dhunë. Këta njerëz që kanë bërë këtë lloj dhune, s’duhet të kenë më lidhje me futbollin. Të dënosh një skuadër dhe një qytet, nuk më duket normale. Mendimi im është që kush e ka shkaktuar dhunën, të përjashtohet përjetë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura