Muç Nano: Rama lidhi aleancë me gangot, për të mos i lënë asgjë në dorë Berishës, ai…

Nov 17, 2018 | 14:00
SHPËRNDAJE

Ka provokuar me ‘Provocateur’ Mustafa Nano. Në këtë libër, Nano rrëfehet me një stil interesant në një autointervistë. Mes të tjerave, ai flet për Edi Ramën. Pjesë të këtij libri, publikuar nga Mapo, janë bërë virale në rrjet.

nano

Ishim tek Edi Rama …

Po. Nëse ka një gjë, për të cilën do të doja ta vija Edi Ramën në bankën e të akuzuarve, është pikërisht kjo: Nuk ka bërë asgjë për ta luftuar këtë klimë e kulturë korruptimi në shoqëri! Atë nuk e ka sikletosur, thjesht e ka lezetuar, fakti që shqiptarët janë të korruptueshëm. Këtë veçori të shqiptarëve ai nuk e ka luftuar, përkundrazi e ka shfrytëzuar, dhe duke bërë këtë gjë, ka shtuar diçka prej vetes në këtë kulturë të korruptimit. Shqipëria e sotme është edhe më e korruptuar sesa ishte në momentin kur Edi Rama hyri në zyrën e katit të dytë të ndërtesës midis hotel “Rogner”- it e Piramidës. Ky është një nga kryqet që unë do t’ia vija Ramës mbi shpinë. Por ka edhe një kryq tjetër. Në Shqipërinë e Edi Ramës u rishfaq gangoja si një personazh i jetës publike.

Ç’kuptoni me termin gango?

Termi “gango”, që nuk përfshihet në fjalorët e gjuhës shqipe, ka hyrë tanimë, prej kohësh, në zhargonin urban. Duhet të ketë ardhur në shqip prej anglishtes: gang (bandë kriminale), ose gangster (pjesëtar i një bande kriminale). Por në të folmen e përditshme ka marrë një kuptim më të zbutur: dikush që urren punën dhe varfërinë, e që për t’u ikur të dyjave, zgjedh të bëhet mujshar, i dhunshëm dhe t’i bëjë karshillëk autoritetit (ligjor e moral). Shqipëria është e mbushur me të tillë. Gjithnjë kështu ka qenë. Njeriu i fortë e kokëkrisur, pa asnjë ideal, i dhënë pas qejfeve, ngrefosjes, rehatisë, pasurisë, plaçkës, njeriu që pëlqente pasurimin e shpejtë nëpërmjet një mundimi qesharak, ka qenë tip shumë i përhapur mes shqiptarëve. Dhe njihej me emrin cub. Gangoja pra është një version i përditësuar i cubit. Këtij të fundit i është kënduar nga shpirti këtyre anëve. Përpara se të vinte puna që t’u këndohej heronjve kombëtarë, u është kënduar cubave, që jetonin me plaçkën e bërë nëpër prita malesh. Për ca kohë, teksa pushtimi osman ishte në grahmat e fundit, do cuba, me emrin kaçakë, u morën për heronj kombëtarë dhe kjo është një ngatërresë që bëhet, si pa të keq, edhe në kohët tona.

Gazetaret shqiptare të kronikës së zezë, andej nga viti 1999, shkonin ta takonin në burg vrasësin e Azem Hajdarit, Jaho Salihin, e dilnin prej andej të pushtuara prej empatisë, e të pështjelluara prej syve të bukur e shikimit zhbirilues të njeriut që sapo e kishin intervistuar. Edhe nderimi që i bëhet Azem Hajdarit e ka burimin, në thelb, tek e njëjta ngatërresë. Më tej, rojat e trupit të Sali Berishës, që janë të së njëjtës prerje, kanë qenë gjithë kohën personazhe të gazetave. Opinionet e njërit prej tyre, që sot është në burg, janë nga më të komentuarat në rrjetet sociale. Por kulmi u shenjua nga Dritëro Agolli që, në vazhdën e traditës sonë orale, në të cilën u është kënduar cubave të maskuar si kreshnikë (tradita jonë orale do të duhej të quhej Eposi i cubave, e jo Eposi i kreshnikëve), i këndoi Zani Çaushit. Në vitin 1997, ai i bëri një poezi të ndier kapos së bandave “antiqeveritare” të Vlorës. Dhe e quajti Rubin Hud.

Gangot e sotëm janë fuqizuar pak e nga pak në harkun e tridhjetë viteve të fundit. Sali Berisha, që e frymëzoi këtë proces të rivalorizimit të tyre, i ka përdorur ata për të bërë shumë punë të pista, por ishte Edi Rama ai që në vitin 2013, për ta kopsitur deri në fund strategjinë elektorale të fitores e për të mos i lënë asgjë në dorë fatit e Berishës, lidhi një aleancë të fortë me ta. Në këmbim, ndonjëri u bë deputet, ndonjëri kryetar bashkie e të tjerë u bënë zyrtarë të lartë të administratës. Dhe në këtë rrethanë të “legalizimit” të gangove, njëri syresh kandidoi i vetëm, kundër partive të mëdha, në emër të një partie të vogël që ekzistonte veç në letër e që ai e kishte krijuar tok me vëllain e vet. Dhe fitoi, u bë anëtar i Kuvendit të Shqipërisë. Erdhi një moment që një tjetri i shkoi në mendje se mund të merrte nën kontroll edhe garën për drejtues të institucionit më të fuqishëm akademik të Republikës së Shqipërisë, Universitetit të Tiranës. What a shame!

MAPO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura