Pse jam kundër dënimit të prostitutave

Sep 13, 2018 | 23:13
SHPËRNDAJE

MUSTAFA NANO/

Mustafa-Nano

Herë pas here na jepen lajme mbi ndalimin e burgosjen e prostitutave. Janë lajme që kanë për burim komisariatet e Policisë. Këto të fundit ua përcjellin gazetave e televizioneve me shumë qejf këtë lloj lajmi. Madje, edhe informojnë në detajet më të imta. Ndonjëherë u japin televizioneve edhe pamje filmike. Dhe ne kemi rast të shohim vajza të reja, që fshehin fytyrën për të evituar një turpërim publik. Sepse shoqëria jonë kështu e sheh ushtrimin e prostitucionit, si një turpërim publik. Dhe unë do të thosha se kjo tentativë për turpërimin publik të këtyre vajzave është krim më i madh sesa krimi i supozuar i tyre. Policët duhet të heqin dorë nga kjo taktikë e turpërimit publik të prostitutave. Ata kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe ligji u thotë se duhet të arrestojnë edhe vajzat që ushtrojnë prostitucionin. Kaq. Madje unë, po të isha në vend të policëve, do ta bëja një sy qorr e një vesh shurdh. Do bëja sikur nuk do t’i shihja prostitutat. Do t’i injoroja të gjitha denoncimet që do më vinin për këtë “krim”. Prej policëve pritet të bëjnë gjëra të mëdha, të rëndësishme, pritet t’u tregojnë vendin kriminelëve, pritet t’ua bëjnë rup-sup banditëve gjithfarësoj, por jo të kapen pas ca vajzave që nuk i bien askujt në qafë. Nuk është shenjë force e zotësie të arrestosh ca vajza që prostituojnë. Ashtu si nuk është shenjë force e zotësie të arrestosh ndonjë djalë që përdor drogë, ta arrestosh me pretekstin se ai e mban dhe e shpërndan atë.

E vërteta është që ne kemi një ligj që e ndalon ushtrimin e prostitucionit. Në nenin 113 të Kodit tonë Penal thuhet: “Ushtrimi i prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Kështu që policët, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, bëjnë punën që u takon të bëjnë. Nuk është problemi te policët pra. Ose le të themi që problemi me policët lidhet vetëm me ekspozimin e vajzave para kamerave. Problemi në të vërtetë është te ligji që dënon me burg prostitutat. E kanë këtë ligj edhe vende të tjera, në të cilat, ashtu si te ne, kode mesjetare të nderit janë një gjë shumë e rëndësishme. E kanë edhe vende të tjera që prostitucionin e kanë de facto një industri me peshë të madhe në GDPnë e tyre kombëtare. Fjala vjen, prostitucioni është ilegal, d.m.th i ndaluar dhe i penalizueshëm edhe në Moldavi, në Ukrainë. Nuk e dinit? Po, po, kështu është. Dhe kjo është ironike. Të furnizosh botën me prostituta dhe t’i ndalosh këto të fundit të prostituojnë në vendin e origjinës nën motivin e ruajtjes së moralit publik, kjo është gallatë e shkuar gallatës. Është si të tallesh me veten. Dhe është kjo që bëjmë edhe ne në këtë rast. Tallemi me veten. Sepse ne jemi gjithashtu eksportues të mëdhenj të prostitucionit. Prostitucioni zë një vend të rëndësishëm në GDP-në tonë kombëtare. Pa prostitucionin do ishim më të varfër sesa jemi. Dhe me këtë po bëj një konstatim. Po them një të vërtetë. Nuk është se po inkurajoj ushtrimin e prostitucionit.

Por nga ana tjetër, jam kundër dënimit të prostitutave. Jam kundër Kodit tonë Penal në këtë pikë, i cili, duke dënuar ushtrimin e prostitucionit, nuk bën gjë tjetër veçse ndalon disa vajza në moshë madhore të bëjnë zgjedhjet e tyre në jetë. Sepse të bësh prostitutën, është një zgjedhje. Dhe këtu po flas për rastin, që ato nuk shfrytëzohen nga dikush. Është një gjë shfrytëzimi i prostitucionit dhe është një gjë tjetër ushtrimi i prostitucionit. Kush dëshiron të jetë prostitutë, le të jetë. Ne nuk kemi asnjë të drejtë as t’i turpërojmë publikisht, as t’i dënojmë ligjërisht vajzat e gratë, apo në përgjithësi njerëzit, për faktin se përdorin trupin e tyre për të mbijetuar, për të mbajtur me bukë familjet e tyre, apo ndoshta sepse kështu ua ka qejfi. Sepse prostitucioni ky është: t’i ofrosh trupin tënd dikujt në këmbim të parave.

Është koha që dikush të ndërmarrë nismën për shfuqizimin e ligjit, që ndalon ushtrimin e prostitucionit. Le të ndalojnë hapjen e bordellove, ndonëse për mua edhe kjo ha diskutim, le të penalizojnë ata që i përfitojnë shërbimet seksuale, ata që paguajnë për seks, pra, sido që edhe kjo është shumë e diskutueshme. Por jo ushtrimin e prostitucionit. Nuk ka kuptim të penalizohen vajzat që prostituojnë. Është krejt absurde. As ndëshkimet e natyrës administrative me gjoba, nuk duhet të na shkojnë në mendje. Në këtë rrethanë ne, përsëris, duhet të dënojmë të tjerë, duhet të dënojmë ata që i shfrytëzojnë vajzat. Dhe te shfrytëzimi nuk ka pse të futet tentativa e dikujt për të punësuar dikë si prostitutë. Nëse nuk bëhet fjalë për ushtrim dhunë fizike e psikologjike, apo për forma të tjera mashtrimi, presioni e shantazhi, nëse vajzës thjesht i bëhet një ofertë normale, të cilën edhe ajo vetë e sheh si normale, atëherë është e qartë se nuk kemi të bëjmë me shfrytëzim prostitucioni. Këtu jemi në rrethanat që një vajzë bën prostitutën me vullnet të lirë. Shkurt, bën një punë, punën që do. Punë e mbarë i qoftë! Me këtë nuk po them se të bësh prostitutën është alamet pune. Jo, nuk ma nxë goja këtë. Sepse nuk e mendoj një gjë të tillë. Nuk do të isha i lumtur nëse vajzat apo mbesat e mija do të bëheshin prostituta. Po nuk e kuptoj se si mund të dënohet një vajzë që bën prostitutën nga halli. Sepse, duhet thënë kjo, të shumtat nga halli e bëjnë. Dhe prandaj, duhet t’i lëmë prostitutat në hallin e vet. Mos t’u bëhemi atyre hall mbi hall.

Apeli im është: Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, shfuqizojeni nenin 113 të Kodit Penal! Bëni një ligj, nëpërmjet të cilit të mbroni vajzat shqiptare prej dhunës së gangove, bëni një ligj që dënon, madje rreptë, tutorët e vajzave, por hiqeni prej Kodit Penal ligjin që penalizon vajzat që ushtrojnë prostitucionin. Sepse është një ligj demode. I kapërcyer nga koha. Dhe i padrejtë.

*Marrë nga “Provokacia” në “AbcNews”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura