Muç Nano, blasfemi me Muhametin dhe Krishtin: Besimi në Zot është pesë me hiç

Apr 27, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Edhe pse u kushtoi një show të tërë, ku nuk la blasfemi pa përmendur, Mustafa Nano thotë se “me fetë nuk bëhet shaka!” Sipas tij, ato luajnë tashmë një rol shumë të rëndësishëm e duhet pasur kujdes që të mos krijohen fërkime mes tyre.

MUSTAFA NANO GJATE SHFAQJES “DHE PROFETET DINE TE PUTHIN”

Pas “Much Nano’s Show” që mbajti të premten mbrëma, gazetari i njohur Muç Nano shuan ca kuriozitete mbi arsyet se pse i duhej një spektakël mbi fetë, pse zgjodhi të fliste mbi trajtimin e gruas dhe homoseksualëve në librat e shenjtë dhe cili është raporti i tij me këto të fundit.

Një gazetar, që i përdor mirë të dyja, edhe gazetën edhe televizionin, pse ka nevojë edhe për një show skenik?
Shikoni, të gjitha format e komunikimit janë të vlefshme në këtë botë. Pastaj, çdo formë komunikimi ka gjuhën e vet, magjinë e vet, spektatorin e vet. Mua nuk më kish shkuar mendja deri tani se mund të bëja një shfaqje-monolog, por ja që erdhi një moment kur i thashë vetes: “Provoje! Bëje! Mund ta bësh!” Dhe e bëra. Pas një libri mbi fetë, edhe një show mbi to.

Ç’ju shtyn të merreni me këtë temë, që duhet thënë nuk është pak delikate?
Kam nja 3-4 vjet që thellohem në këtë temë. Është fakti që fetë janë duke luajtur një rol të rëndësishëm në botën e sotme që më ka bërë të thellohem. Po të shtojmë këtu dhe faktin tjetër që shoqëria shqiptare është shumëfetare, tok me ndjeshmëritë e rreziqet që burojnë me këtë, interesi për fetë është i kuptueshëm. Sa për delikatesën e argumentit, këtë e di mirë, madje kam bërë çmos që t’ua bëj të njohur të tjerëve. Në librin tim “Pax Albanica” përcjell, përveç të tjerash, mesazhin: Hej kujdes, me fetë nuk bëhet shaka! Dhe me këtë kam parasysh që të mos ushqejmë animozitete e fërkime mes feve, e mes besimtarëve të feve të ndryshme. Por kjo nuk do të thotë që ne të mos e themi tonën lidhur me fetë.

Mos këto të fundit (fetë) po fitojnë ca më shumë terren seç duhet, mos po i japin më shumë “rëndësi” vetes? (Kur flas për fetë, kam parasysh klerikët, jo besimin)
Në fakt, fetë në këtë botë janë të rëndësishme. Në Perëndim ato e kanë humbur rëndësinë që kanë pasur, por unë kam frikë se radikalizmi që vjen nga anë të tjera të botës, mund ta vitalizojë sërish nervin fetar të perëndimorëve. Mund të ndodhë kjo si një efekt pasqyrë, a për një instinkt mbrojtjeje. Ka shumë jofetarë në këtë botë që mendojnë se fetë dhe besimi në fe janë të rrezikshme. Unë jam jofetar, gjithashtu, por nuk e mendoj këtë gjë. Unë mendoj se besimi në Zotin, për të cilin flitet në librat e shenjtë, është një pesë me hiç, por nga ana tjetër e di se njeriu është i brishtë, i pasigurt, i trembur në këtë e në atë jetë, e prandaj ai ka nevojë të besojë. Edhe kur nuk beson, ai ka nevojë të besojë. E prandaj besimtarët do të ekzistojnë gjithnjë. Por e keqja nuk është tek ata, nuk është te fakti që ka ca njerëz që mendojnë se “i përkasin Zotit”. E keqja është te fanatizmi, me fjalë të tjera te fakti që ka ca njerëz që mendojnë se “Zoti u përket atyre..

 Në show-n tuaj iu referuat përgjithësisht librave të shenjtë, cila është marrëdhënia juaj me ta? I keni lexuar (i lexoni) për kureshtje, për kënaqësi stilistike apo se ka edhe ca gjëra të “mira” në ta?

Po, i kam lexuar. Por nuk i kam rilexuar. As që kam ndërmend t’i rilexoj. Nuk janë libra për t’u rilexuar. Kur kam ndërmend të gjej referenca biblike apo kuranike, nuk ka nevojë të rishfletoj librat e shenjtë. Futem në google dhe i gjej. 

 U ndalëm në tri tema të mëdha që lidhen me gruan, homoseksualët dhe kombin, në një kohë që në librat e shenjtë flitet edhe për gënjeshtrën, vjedhjen (korrupsionin), çka ne kemi me shumicë… Përse?

 Shikoni, nuk mund të mohohet që në librat e shenjtë thuhen edhe plot gjëra të paqortueshme, por unë me show-n tim kisha ndërmend t’u bëja një kritikë këtyre librave. Prandaj, fokusimi ishte në ato argumente, që ju vutë në dukje.

 Gjithashtu iu referuat edhe traditës kanunore apo letrare, mos donit të thoshit se kemi edhe ne ata librat tanë të “shenjtë”, të cilët duhet t’i trajtojmë thjesht si objekte të një bukurie të rrallë stilistike (Kanuni i Lekë Dukagjinit)?

 Kanuni i Lekë Dukagjinit në veçanti, dhe kodet tona zakonore në përgjithësi, nuk kanë vetëm vlerë stilistike. Ato janë dokumente fantastike të historisë e të kulturës sonë. Ato kode shpjegojnë më mirë se çdo gjë tjetër pse ne kemi qenë ata që kemi qenë e pse jemi këta që jemi. Unë e thashë edhe në show-n tim që për ca e ca këtejpari Kanuni është libër më i shenjtë s sa librat e shenjtë. Kështu ka qenë prej kohësh që s’mbahen mend. Dhe është për të ardhur keq që është kështu. Sidomos, kur respektohet tharmi patriarkal e maskilist i tij, apo kur marrim prej tij frymëzim për të mbrojtur nderin, gjakun (në kuptimin kanunor, merret vesh), identitetin fisnor etj. etj.

 Blasfemi nga fillimi deri në fund, nga ato që nuk u shpëton dot as besimtari më i devotshëm, pse duhej dhe një tjetër, nuk mendoni si do të “inatosen” komunitetet fetare?

 Komunitet fetare mua më interesojnë po aq sa unë u interesoj atyre. D.m.th zero. Ose le ta themi që më interesojnë në atë masë, e në ato rrethana që ato bëjnë/nuk bëjnë ndonjë gjë në të mirë të interesit publik apo kombëtar.

 Në fund e mbyllët me blasfeminë e puthjes dhe “I pari është kombi!”. Është e vërtetë se dasitë fetare nuk kanë qenë një problem në Shqipëri, por a mos vallë patriotizmi i shqiptarëve është më shumë sipërfaqësor seç e mendojmë? Po të ishim kaq patriotë, a s’duhet të ishim udhëhequr nga një dashuri më e madhe për vendin, nga dëshira për të qenë më të mirë, më dashamirës ndaj punës, ndaj gjuhës…?

 Unë nuk them në show që shqiptarët janë patriotë. Unë them të kundërtën, d.m.th që shqiptarët duhet të jenë më shumë patriotë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura