“M’u duk i sinqertë e simpatik, sapo ishim takuar kur na erdhi policia”, 20-vjeçarja që u arrestua me të dashurin grabitës: Çfarë më tha kur i kërkova të hiqte dorë nga…

| 13:32
SHPËRNDAJE

adela1

Adela Berisha u arrestua disa ditë më parë në kryeqytet si bashkëpunëtore e grabitësit serial Astrit Thaçi, i cili akuzohet se ka kryer tetë grabitje në harkun e shtatë ditëve në Durrës, Tiranë dhe Elbasan. 

20-vjeçarja nga Kombinati ka rrëfyer në një intervistë për gazetën “Panorama”, sesi u gjend në mes të kësaj historie dhe pse arriti deri në situatën ku akuzohet për “Moskallëzim krimi”.

Adela u arrestua bashkë me të dashurin e saj, Astrit Thaçi, në një lokal në zonën e Kombinatit në Tiranë, teksa ishin duke konsumuar kafe. E pyetur për lidhjen me 27-vjeçarin nga Durrësi, Adela shprehet se kishte një muaj e gjysmë njohje me të, ndërkohë mohon ta ketë ndihmuar apo mbështetur Astritin në vjedhjet dhe grabitjet e kryera gjatë ditëve të fundit.

20-vjeçarja u shpreh se gjatë një takimi ka pikasur se i dashuri mbante me vete një pistoletë, por ka pasur frikë për ta denoncuar në Polici. Gjykata e Durrësit e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e saj, ndërsa caktoi si masë sigurie atë të detyrimit të paraqitjes, masë të cilën e kërkoi edhe organi i akuzës.

astriti dhe adela

Adela, mund të na tregoni si jeni njohur me Astrit Thaçin?

Me Astritin jemi njohur nëpërmjet rrjeteve sociale. Jemi njohur rreth një muaj e gjysmë-dy muaj më parë nëpërmjet “Facebook”-ut. M’u duk djalë i pashëm, simpatik dhe thashë pse jo, po dal ta takoj një herë nga afër. U takuam nga afër në një lokal në zonën e Kombinatit, pranë shtëpisë sime dhe prej asaj dite flisnim shpesh. Më pas frekuentoheshim rregullisht.

A ishit ju në dijeni të faktit se Astriti ishte person me precedentë dhe që kryente grabitje?

Sigurisht që jo. Nëse do kisha dijeni për këtë fakt, nuk do vazhdoja të dilja me të. Siç edhe thashë, m’u duk njeri i sinqertë dhe simpatik. Pastaj nuk është se e njihja edhe aq mirë, pasi shumë pak kohë kishim që ishim lidhur dhe për më tepër ai jeton në Durrës, ndërsa unë në Tiranë.

Policia thotë se ju e keni mbështetur në disa raste Astritin. Sa qëndron si akuzë?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë realisht nuk kisha dijeni për jetën e tij dhe aktivitetet kriminale të tij. E vërtetë është që në një moment e pashë që kishte me vete një pistoletë, por nuk e denoncova pasi kisha frikë.

Nga kush kishit frikë, nga Astriti?

Nuk është se kisha frikë nga Astriti, por më shumë nuk doja t’i hyja asaj pune që të merresha me denoncime. Aty kuptova që Astriti merrej me gjëra të paligjshme dhe i thashë hiq dorë pasi unë të dua dhe s’dua të të humbas”.

“Mirë,- më tha-nuk do vazhdoj më, do heq dorë”.

Çfarë ju tha ditën që u arrestuat, si sillej atë ditë Astriti?

Në fakt, ne kishim dy-tre ditë pa u takuar, ndoshta edhe më shumë. Dhe nuk vura re ndonjë gjë të çuditshme tek ai. Thjesht i thashë pse s’ke ardhur të më takosh.

“Kam pasur disa punë të vogla”, më tha.

Kur pak çaste më vonë erdhi Policia dhe na mori.

E prisje të arrestoheshe nga policia?

Jo, jo, fare. Nuk e prisja se nuk kisha bërë asnjë shkelje, pse duhet të më kapte Policia. Më thanë që duhet të vish edhe ti me ne. U habita, por nuk kisha çfarë të bëja. Në Polici pastaj më pyeten rreth lidhjes dhe pak a shumë këto që po më pyesni edhe juve. Për fat të mirë sot (dje) dola dhe jam shumë e lumtur për këtë.

Te lidhura

Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.