Mozart dhe Haydn, dy premiera në Teatrin e Operës dhe Baletit

Apr 29, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Mozart dhe Haydn, një kombinim i veçantë pjesësh dhe instrumentesh, vjen sot në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Orkestra Simfonike e TKOB, nën drejtimin e dirigjentit Edmond Doko dhe solistët Fatos Bardulla (violinë), Ilir Mergjyshi (violonçel), Erik Tauzi (oboe), Orges Malaj (fagot) rikthejnë ciklin e koncerteve “Klasikët në opera”.

Violonçelisti Ilir Mergjyshi
Violonçelisti Ilir Mergjyshi

Ky koncert shënon dhe rikthimin pas 15 vitesh në skenën e TKOB të violonçelistit Ilir Mergjyshi, i larguar prej vitesh në Australi. Me mallin e të larguarit, Mergjyshi ua dedikon këtë koncert gjithë artistëve, kolegëve të dikurshëm, që nuk i gjeti më në formacionin e orkestrës dhe atyre të rinjve, për të cilët ai thotë se janë shumë të talentuar.

“Kam ardhur për pushime në Tiranë dhe kur erdha të takoj kolegët, ata më ftuan në koncert. Shumë kolegë të mitë kanë dalë tashmë në pension, por kam njohur artistë shumë të talentuar, me të cilët patëm menjëherë kimi”, do të thoshte Mergjyshi, i cili prej 15 vitesh zhvillon karrierën e tij në skenat e Australisë së largët. Sipas tyre, koncerte të tilla duhet të zhvillohen më shpesh, pasi promovon edhe instrumentistët, që në shumicën e kohës i shohim si pjesë e orkestrës, si shoqërues të veprave të mëdha operistike e koreografike.

Sa i takon programit të zgjedhur, sipas violinistit Fatos Bardulla, i cili luan me një violinë të vitit 1911, ky koncert sjell një kombinim jo fort të zakonshëm të instrumenteve, me një rol shumë të rëndësishëm në orkestër, si violina, violonçeli, oboeja dhe fagoti.

Çka e bën edhe më të veçantë këtë mbrëmje, është interpretimi për herë të parë për publikun shqiptar e Simfonisë Nr. 25 në G Minor K. 183, e shkruar nga Mozart në moshën 17 vjeç, në tetor të 1773-shit, pas suksesit të operës “Lucio Silla”. Po ashtu edhe Simfonia koncertale e Haydn, për solist dhe orkestër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura