Moviola e javës së dytë / Kontestime, por vendime të drejta. Arbitrat kalojnë “klasën”

Sep 20, 2017 | 20:08
SHPËRNDAJE

Kategoria Superiore ka mbyllur javën e dytë të saj, ku surprizat në rezultate nuk kanë munguar. Kamza i ka marrë një pikë Skënderbeut në shtëpi, ndërsa supersfida mes Partizanit dhe Kukësit është mbyllur në barazim. Por, kjo javë konsiderohet pozitive për arbitrat. Këta të fundit kanë marrë kryesisht vendime të drejta dhe klubet nuk kanë pasur ankesa.

Moviola e javës së 2-të

PARTIZANI-KUKËSI 0-0
Gjyqtarë: J.Xhaja, E.Barushi, D.Myftari/ pas porte: O.Sokoli, R.Sadiku

juxhin xhaja

Ndeshja më e rëndësishme e javës së dytë ishte vlerësuar maksimalisht nga sektori i gjykimit, që kishte vendosur edhe arbitra mbrapa porte. Kryesor i takimit ishte arbitri i ri, Juxhin Xhaja, që e menaxhoi mirë takimin, sa u takon dy momenteve të diskutueshme. I pari ishte gjatë pjesës së parë të takimit, ku Çani, në një dyluftim me Shametin, nuk ruan dot ekuilibrin dhe rrëzohet.

Sulmuesi pretendon 11-metërsh, por në pamjet filmike duket qartë se kemi të bëjmë me një rrëzim të Çanit dhe se vendimi i kryesorit për të dhënë goditje dënimi në favor të Kukësit ishte i saktë. Rasti i dytë ishte ai i minutës së 55-të, kur protagonist është sërish Çani. Ky i fundit në duel me Hallaçin rrëzohet në zonë dhe pretendon për penallti. Por, edhe këtë herë, arbitri merr vendim të saktë duke vazhduar lojën, pasi duket qartë se sulmuesi ka simuluar dhe nuk kemi të bëjmë me 11-metërsh.

FLAMURTARI – LUSHNJA 3-1
Gjyqtarë: I.Myrtja, M.Dervishi, F.Thorja (Shkodër)

indrit myrtja

Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Adush Muça” të Bylisit, sektori i gjykimit pranë FSHFsë ia ka besuar këtë ndeshje kryesorit Indrit Myrtja. Vlonjatët kanë fituar në këtë ndeshje, ndërsa ka pasur vetëm një moment të diskutueshëm. Në minutën e 25-të të ndeshjes, qendërmbrojtësi i Flamurtarit, Ditmar Bicaj, ndëshkohet me karton të kuq.

Ndërkohë që arbitri ka qenë pranë një prej lojtarëve të Lushnjës të rrëzuar në fushë, Bicaj është afruar duke ofenduar. Kryesori e ka dëgjuar dhe nuk është menduar dy herë për t’i dhënë ndëshkimin maksimal futbollistit. Nga pamjet filmike dallohet qartë ofendimi i lojtarit dhe vendimi i kryesorit ka qenë i drejtë.

VLLAZNIA – TEUTA 0-1
Gjyqtarë: E.Sino, A.Tartari, O.Grabova

Takimi mes Vllaznisë dhe Teutës i është besuar një tresheje gjyqtarësh të kolegjiumit të Fierit. Dy skuadrat në fushë ua kanë bërë më të lehtë punën arbitrave, pasi nuk ka pasur raste të diskutueshme. Ndërsa, në tërësi, vendimet e arbitrit kryesor dhe atyre të linjës kanë qenë të sakta.

LAÇI – LUFTËTARI 0-1
Gjyqtarë: A.Koçi, F.Lamaj, H.Lisaku

Në ndeshjen e fituar nga Luftëtari me rezultat minimal, vendimet e arbitrave kanë qenë korrekte. I vetmi rast i diskutueshëm, nëse mund ta quajmë kështu, është ai minutës së 80-të, kur Abazaj del i vetëm përballë portierit Selmani, por nuk gjuan. Lojtari preferon të pasojë te Bregu, i cili arrin të shënojë, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Në pamjet filmike duket qartë se lojtari i Flamurtarit vjen nga pozicioni i parregullt dhe vendimi i arbitrit anësor është i saktë. Në pjesën tjetër të ndeshjes nuk ka pasur momente të diskutueshme.

KAMZA – SKËNDERBEU 1-1
Gjyqtarë: K.Kola, D.Agaraj, A.Shkreta

kamza skenderbeu klajdi kola

Skënderbeu nuk ka mundur të fitojë në transfertë, ndërkohë që trajneri Daja ka pasur pretendime për gjykimin e kryesorit Kola dhe ndihmësve të tij për vonesat e lojës nga rivalët, apo edhe për goditjet e dënimit. Megjithatë, rastet e diskutueshme, s’ndikojnë drejtpërdrejtë në rezultatin final të takimit, si 11-metërsha apo kartonë të kuq, nuk ka pasur gjatë luajtjes së kësaj sfide. Sa u takon vendimeve për goditjet e dënimit, trajneri i korçarëve ka pasur deri diku të drejtë, pasi disa prej tyre edhe mund të ishin shmangur nga kryesori i takimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura