Moviola e javës së 34-t / Gabime pafund, arbitrat e bëjnë “baltë”

May 17, 2017 | 15:35
SHPËRNDAJE

Java e 34-t e Kategorisë Superiore është mbyllur mes polemikave për gjyqtarët, të cilët kanë bërë gabime të pafalshme, që kanë ndikuar edhe në rezultatet e ndeshjeve.

SKËNDERBEU – TIRANA 1-0
Gjyqtarë: E.Hamiti, P.Simoni, A.Shkreta

skenderbeu tirana salihi

Skënderbeu ka marrë një fitore të vështirë ndaj Tiranës në shtëpi, duke shënuar një gol nga pika e bardhë. Kanë qenë dy momente flagrante në këtë ndeshje, të cilat kanë ndryshuar komplet rrjedhën e sfidës. Në minutën e 83-të, Salihi brenda zonës bardheblu mundohet të gjuajë, por ka një kontakt me Karabecin. Kryesori Hamiti nuk është menduar dy herë dhe ka dhënë 11-metërsh për Skënderbeun dhe pamjet filmike i japin të drejtë atij për vendimin që ka marrë.

Ndërsa në minutën e 93-të, gjyqtari ndëshkon skuadrën e Tiranës. Moise merr një pasim nga Daja dhe gjuan në drejtim të portës, një top që ndërpritet me dorë nga Radas. Kemi të bëjmë me një 11-metërsh të pastër, për Tiranën, por për arbitrin nuk ka asgjë dhe loja vazhdon normalisht, duke penalizuar bardheblutë.

LAÇI – VLLAZNIA 3-0
Gjyqtarë: O.Sokoli, I.Tartari, R.Dobruna

ilir daja olsi sokoli

Kryesori Sokoli dhe ndihmësit e tij nuk kanë pasur shumë punë në ndeshjen e luajtur në Laç. I vetmi rast i diskutueshëm ishte 11-metërshi i dhënë në favor të Laçit. Në minutën e 44-t, Gocaj rrëzon në zonën shkodrane Qaqin dhe arbitri me të drejtë ka dhënë 11-metërsh.

FLAMURTARI – PARTIZANI 1-1
Gjyqtarë: B.Ziri, R.Avdo, R.Çokaj (pas porte: K.Cjapi, E.Durmishi)

flamurtari partizani arbitrat blerim ziri

Partizani ka rënë sërish pre e gjykimeve të gabuara, dje në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Kur rezultati ishte në shifrat 1-1, të kuqtë kanë pretenduar për 11-metërsh. Ekuban arrin të shkëputet nga mbulimi i mbrojtësve në minutën e 73-të dhe Jakovljeviç e tërheq nga fanella duke e rrëzuar. Kemi të bëjmë me penallti, por gjyqtari Ziri gabon, duke lejuar vazhdimin e lojës. Por, gjyqtari gjithashtu ka falur Veliun dhe Jakovljeviç, të cilët duhet të ishin ndëshkuar me kartonë.

KORABI – KUKËSI 1-3
Gjyqtarë: I.Myrtja, D.Rexha, R.Shaba

indrit myrtja

Pavarësisht se kishte një sfidë të lehtë në letër, Kukësi është favorizuar edhe nga gjykimi dje ndaj Korabit. Në minutën e 64- t, kryesori Myrtja akordon në mënyrë të habitshme penallti në një aksion ku mbrojtësit të Korabit, Kraja, i përplaset topi në shpinë.

LUFTËTARI – TEUTA 1-1
Gjyqtarë: L.Alla, D.Korreshi, M.Qose

Alla-Koreshi-Malaj

Në sfidën e luajtur në Gjirokastër, mes Luftëtarit dhe Teutës, kryesori Alla ka gabuar në dy raste. Ai akordon një 11-metërsh të dyshimtë për Luftëtarin, pas një ndërhyrjeje të Beqjes ndaj Bregut, që më shumë ishte “i vjedhur”, nga ana e këtij të fundit. Gjithashtu goli i shënuar nga Teuta, që ishte edhe i barazimit, ka qenë i parregullt, duke qenë se ai është prekur me dorë nga lojtarët durrsakë përpara se të shkonte në rrjetë. Kështu që skuadra durrsake është favorizuar në këtë moment.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura