“Motra nuk e dëbonte dot burrin, që vajzat të mos rriteshin pa baba”

Feb 2, 2016 | 9:43
SHPËRNDAJE

“Kujtimi sherrin e ka pasur me të gjithë dhe për këtë gjë motra ime u nda prej tij. Ai pinte vazhdimisht dhe nuk ka punuar asnjë ditë të vetme”. Kështu shprehet tezja e dy motrave, Esmeralda dhe Elidona Ibraj, të cilat dy ditë më parë u qëlluan me thikë nga babai i tyre Kujtimi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Eli tregon se motra e saj ka pasur vazhdimisht konflikte në familje, por pas divorcit nuk kishte mundur ta dëbonte nga shtëpia bashkëshortin e saj, pasi nuk kishte dashur që fëmijët të rriteshin pa baba.

vajza-vrasja

Kunati juaj, Kujtimi qëlloi për vdekje një nga vajzat e tij, ndërkohë la të plagosur edhe vajzën tjetër. Mendoni se sherri mund të ketë nisur pikërisht për fëmijët?
Ai sherrin e ka pasur me të gjithë. Pikërisht për këtë gjë u nda edhe motra ime. Unë ngjarjen e mora vesh nga lajmet. Motra ime ka pasur edhe më parë sherr me burrin e saj. Ai pinte gati çdo ditë dhe në punë nuk shkonte. Nuk ka punuar asnjë ditë të vetme dhe shkak i konflikteve të tyre ka qenë gjendja e vështirë ekonomike.

Ju thoni se motra juaj është ndarë nga Kujtimi. Atëherë pse nuk e ka dëbuar nga banesa?
Mbase ngaqë nuk ka pasur se ku të shkonte tjetër. Një herë më ka thënë se nuk e përzinte dot, sepse ai ishte babai i fëmijëve dhe nuk donte që ata të rriteshin pa baba.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, kush ka qenë në banesë?
Di që në shtëpi kanë qenë të gjithë si familje. Motra ime me fëmijët jetojnë në një pjesë të shtëpisë, ndërsa në një dhomë tjetër jetonte Kujtimi.

Cili ka qenë konflikti që kishin para se të ndodhte ngjarja e rëndë?
Mbesat kishin qenë në dhomën ku rrinin gjithmonë dhe Kujtimi kishte ardhur në shtëpi në gjendje të dehur, dhe pasi kishte debatuar me motrën time dhe vajzat e tij, i kishte qëlluar me thikë. Por Kujtimi kishte diçka që, në sy të njerëzve nuk sillej asnjëherë keq me familjen e tij. Ai rrinte gjithmonë i kollarisur dhe nuk të linte përshtypjen se do të bënte një veprim kaq të rëndë.

Me çfarë merrej Kujtimi? Po motra juaj apo ndonjëri prej fëmijëve të saj, punonin?
Kujtimi nuk bënte asnjë punë. Pinte gjithë ditën. Që prej 24 vitesh që ai ka ardhur dhëndër në familjen tonë, nuk mbaj mend të ketë punuar qoftë edhe një ditë të vetme. Kurse motra ime ishte në punë si pastruese, dhe me një rrogë rreth 200 mijë lekë të vjetra mbante gjithë shtëpinë.

Aktualisht si është gjendja e Esmeraldës? Po e nënës së saj?
Si mund të jetë kur një vajzë i ka ikur nga kjo botë?! Është e dërrmuar, me vrimë në zemër! Ndërsa Esmeralda është më mirë. Fatmirësisht shpëtoi ajo! Ka vetëm një plagë në gjoks. /GSH/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura