“Motra ime do ishte gjallë sot”, vëllai i 34-vjeçares fajëson policinë: Ishte aty 10 minuta para krimit, por…

Sep 18, 2020 | 8:44
SHPËRNDAJE

Vëllai i 34-vjeçares që u vra të martën në Bathore nga kunati ka bërë përgjegjëse Policinë e Shtetit për krimin e rëndë, që sipas tij, mund të ishte parandaluar në rast se Policia do të bënte siç duhet punën që i takon.Viktima ne Bathore dhe autori

Sipas Rajmond Hasanit, Policia është njoftuar nga vetë motra e tij, vetëm pak momente para se të ndodhte ngjarja, duke qenë se kishin pasur edhe më përpara konflikte.

Madje mësohet se më 14 korrik të këtij viti, viktima, Jetmira Hasani, kishte marrë edhe urdhër mbrojtjeje, duke denoncuar në Polici kunatin që dy ditë më parë i mori jetën, Agron Tanushin. “Po të ishte Policia në krye të detyrës, që të bënte punën siç i takon, motra ime do të ishte gjallë sot. Policia vërtet ka shkuar aty, po çfarë ka bërë? E ka shoqëruar në Komisariat? Nuk e ka shoqëruar. I ka kërkuar të paraqitet në mënyrë vullnetare”, u shpreh dje vëllai i viktimës.

KONFLIKTI

Jetmira Hasani, 34-vjeçarja që mbeti e vrarë të martën nga vëllai i ish-bashkëshortit, ishte larguar para 3 muajsh nga shtëpia ku kishte jetuar prej vitesh me vajzën 8- vjeçare, për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte me kunatin e saj, Agron Tanushin.

Vetë familjarët e ish-bashkëshortit të saj kanë deklaruar në Polici se konflikti kishte nisur për shkak se ajo nuk pranonte të dilte nga shtëpia, megjithatë ky version hidhet poshtë nga vëllai i viktimës, i cili thotë të kundërtën. Ai ka treguar edhe se Jetmira kishte shkuar të martën në shtëpinë e ishbashkëshortit, e shoqëruar edhe nga një i afërm i saj, për të marrë disa veshje dhe objekte që kishte aty, në mënyrë që të largohej përfundimisht nga ajo shtëpi. E pikërisht në këtë moment ka nisur të konfliktohet me kunatin.

Për këtë konflikt që pati, pak para se të vritej, ajo ka lajmëruar Policinë. Efektivët e rendit janë paraqitur në adresën e dhënë, por në atë moment Agron Tanushi ishte larguar dhe ata kanë kërkuar që ai të paraqitej vullnetarisht në Komisariatin nr. 5. Pak momente pasi patrulla e Policisë është larguar nga aty, Tanushi është kthyer dhe ka qëlluar për vdekje ish-bashkëshorten e vëllait, i cili ndodhet në Greqi.

VELLAI I VIKTIMES

Sipas Rajmond Hasanit, motra e tij, Jetmira, e cila u vra të martën nga vëllai i ishburrit, ka shkuar aty për të marrë disa plaçka të saj.

“Ka qenë shtëpia që ajo ka banuar dhe shkoi të merrte materialet e veta që të mos shkonte më kurrë në atë vend. Në atë moment ka ndodhur konflikti me kunatin dhe personat e tjerë që kanë qenë në shtëpi. Motra ka njoftuar Policinë që ka shkuar në adresën e dhënë. Me Jetmirën ka qenë edhe nusja e vëllait tim që jeton në Bathore, pasi po e shoqëronte që të merrte plaçkat dhe ajo na ka treguar. Mirjeta, kunata ime që e shoqëronte, e cila ka qenë prezente kur motra është vrarë, na tha se Policia ka kërkuar që Agron Tanushi, personi që kreu vrasjen, të paraqitej vetë vullnetarisht në Komisariat.

Kjo ka ndodhur më pak se 10 minuta para se motra ime të vritej. Policia nuk e shoqëroi, madje nuk kontrolloi as banesën, pasi aty mund të gjente edhe armën e krimit. Autori u ka ikur me vrap. Para pak muajsh ajo mori urdhër mbrojtjeje, por ka pasur edhe disa herë të tjera urdhra mbrojtjeje, pasi e sulmonin të gjithë. Konfliktin e parë e ka pasur po për të njëjtën arsye me prindërit e ish-bashkëshortit, pastaj me vetë ish-bashkëshortin e në fund tani me këtë që e vrau.

Ish-vjehrra e saj është nxitësja e këtij krimi. Motra ime, që sot nuk jeton më, më ka pas thënë vetë me gojën e saj që e vjehrra e ka kërcënuar duke i thënë se do ta vriste vetë ajo me pushkë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura