Motra e Laura Vorpsit: Nëse Rama do përkthejë librin tim do isha e lumtur

Oct 31, 2015 | 10:57
SHPËRNDAJE

“Nëse Edi do të gjejë kohë për këtë libër, unë do të isha shumë e lumtur”. Kështu i është përgjigjur shkrimtarja Ornela Vorpsi kureshtjes së gazetarëve dhe lexuesve në lidhje me përkthimin e librit “Il paese dove non si muore mai”.

vorpsi

Një libër që nuk ka kaluar pa u vënë re kur është botuar në Itali, për notat autobiografike. Në ditën e dytë të takimeve me publikun e “Detit të bardhë”, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë, që organizohet në Tiranë e që sot është në ditën e tij të tretë e të fundit, erdhën pranë lexuesve shqiptarë, shkrimtarë nga Austria, Gjermania, Italia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Shqipëria dhe Zvicra. 21 autorë tregojnë përmes motos së sivjetshme të festivalit: “Letërsi në Tranzit” rrugëtimin e tyre letrar dhe reflektojnë me njëri-tjetrin mbi letërsinë dhe artin bashkëkohor në tranzicion, si atë politik e shoqëror, ashtu edhe në procesin e tyre letrar përmes gjuhës.

Ornela Vorpsi në festivalin e Letërsisë
Ornela Vorpsi në festivalin e Letërsisë

Njëra nga të ftuarat e djeshme ishte edhe autorja e librit të shumëfolur vite më parë “Vendi ku askush nuk vdes” (“Il paese dove non si muore mai”), Ornela Vorpsi. Meqenëse deri sot, librat e autores janë shkruar në italisht o frëngjisht, siç ajo vetë ka zgjedhur, sigurisht që kurioziteti parësor i gazetarëve ishte pikërisht rreth përkthimit në gjuhën shqipe të librit të sipërpërmendur që sipas disa hamendësive e gjysmëpohimeve të autores pak kohë më parë do të përkthehej nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ishte një dëshirë e Edit dhe e imja, varet nëse Edi do të ketë kohë, sepse ai është jashtë mase i zënë, dhe detyra e tij është e qartë, detyra e tij e parë është që t’i shërbejë Shqipërisë, detyra e tij e parë më e rëndësishme është që t’u shërbejë shqiptarëve dhe nëse ai do të ketë kohë për këtë libër, unë do të isha shumë e lumtur”, kjo ka qenë përgjigjja e djeshme e Vorpsit kur është pyetur nëse do të ishte pikërisht Kryeministri përkthyesi i librit të saj.

Pra, ashtu siç është shkruar e komentuar edhe më parë, përgjigjja mbetet evazive, sado që disa zëra të tjerë thonë që libri është në proces përkthimi, madje edhe se është caktuar edhe shtëpia që do ta botojë. Sidoqoftë, autorja nuk konfirmoi asgjë, duke lënë të kuptohet se në fakt përkthimi i librit nuk ka nisur ende.

Ndër të tjera, Vorpsi foli edhe për pamundësinë për të shkruar në gjuhën e saj, me gjithë ndjesitë thellësisht shqiptare që ka.

Nga festivali i Letërsisë “Deti i Bardhë”
Nga festivali i Letërsisë “Deti i Bardhë”

“Shkruaj në gjuhë të huaj, sepse është e qartë që jam në tranzit, sikur e thotë dhe ky festival. Në tranzit prej 25 vjetësh sepse kam lindur në Shqipëri dhe jam në tranzit si shumë shqiptarë të tjerë, nga kushtet historike të këtij vendi. Kam lënë Shqipërinë kur Shqipëria u hap në 1991, dhe që atëherë unë kam jetuar në Itali, bëra shkollën atje dhe më pas bëra studimet në Francë dhe nga atëherë jetoj në Paris. Është më e thjeshtë që të jetoj në gjuhë të huaj, sepse nuk jetoj më në gjuhën shqipe, është shumë e vështirë që të shkruash në një gjuhë të cilën nuk e jeton më. Kam 25 vjet që nuk e jetoj me gjuhën shqipe. Unë tani vazhdoj që të shkruaj në frëngjisht, sepse prej 18 vjetësh jetoj atje, domethënë gjuhët për mua janë një mjet. Kam kaluar nga italishtja në frëngjisht dhe ndoshta edhe nesër mund të kthehem në shqip. Për mua ishte e mundshme vetëm në gjuhë të huaj, sepse më krijonte një distancë shumë të shëndetshme në gjuhën shqipe do të ishte çdo gjë shumë e dhimbshme dhe pothuajse e pamundur”, thotë Vorpsi për krijimet e shkruara, ndërsa një tjetër ka në dorë që po e shkruan në gjuhën frënge.

E në gjuhë të huaj apo jo, janë disa cilësi shqiptare të cilat Ornela Vorpsi nuk i ka gjetur në asnjë nga vendet ku ka jetuar e punuar këto 25 vitet e fundit. “Bujaria dhe zemërgjerësia e këtij populli, për këtë më merr jashtë mase malli. Në Paris më mungojnë spontaniteti, krijimi i gjërave me shumë miqësi dhe shkëmbimi. Këto më mungojnë jashtë mase në Paris”. Ndërsa ende nuk kemi asnjë përgjigje të qartë se çfarë do të bëhet me përkthimin e librit të saj të parë në shqip, autorja premton se në të ardhmen, mund të përkthehen edhe të tjerë.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura