Motra e Ibrahim Bashës: Ne nuk donim të bëhej pjesë e RENEA-s, tani presim drejtësi

Jul 3, 2015 | 11:40
SHPËRNDAJE

“Ne nuk donim që të bëhej pjesë e këtij reparti, madje i kishim thënë edhe që të shkëputej nga forca speciale në Zall-Herr dhe mos të as në misionet paqëruajtëse në Irak dhe Afganistan”. Kështu thotë motra e Ibrahim Bashës, oficeri i RENEA-s që mbeti i vrarë gjatë sulmit në Lazarat, sot “Dëshmor i Atdheut”. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Vjollca, motra e madhe e Ibrahimit rrëfen dashurinë e tij për misionin, punën që bënte.

Ibrahim Basha

Vjollca, sa kohë kishte vëllai juaj te RENEA?

 Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, vëllai u bë pjesë e këtij reparti. Ne nuk donim që të bëhej pjesë e këtij reparti, madje i kishim thënë edhe që të shkëputej nga forca speciale në Zall-Herr dhe mos të as në misionet paqëruajtëse në Irak dhe Afganistan.

Si u bë pjesë e RENA-s vëllai juaj?

Edhe pse ne i thoshim që të tërhiqej nga ky repart apo dhe nga forcat speciale, Bimi, nuk hoqi dorë, sepse ai e donte aksionin, e donte këtë punë dhe kur e donte diçka, ai nuk dorëzohej. Te reparti RENEA është futur pasi i kapi të gjitha normat. Atë ditë që ishte konkursi, vëllai shkoi që të shoqëronte një shokun e tij për të marrë pjesë te konkursi dhe kur kishte shkuar atje, përgjegjësit që ishin te normat i kishin thënë që të merrte edhe ai pjesë. Pasi i kapi të gjithë normat, Ibrahimi u fut te RENEA.

Po në misionet paqeruajtëse, sa herë ka marrë pjesë Ibrahimi?

Prej vitit 2004, Ibrahimi ka marrë pjesë 3 herë në Irak dhe 2 herë në Afganistan. Dua t’u them të gjithëve atyre që kanë hedhur baltë mbi vëllain tim pas vdekjes, nuk dua të përmend asnjë emër, por dua t’u them atyre se vëllai im nuk ka paguar asnjë lek për t’u përzgjedhur pjesë e misioneve paqeruajtëse. E para, sepse ai nuk kishte ku t’i gjente gjithë ato para që është thënë se ka paguar, dhe e dyta, Ibrahimi nuk kishte nevojë që të paguante lekë, sepse ai i plotësonte të gjitha normat dhe në të gjitha herët u përzgjodh për shkak të aftësive të tij.

Çfarë natyre ishte Ibrahimi?

Ai ishte natyrë e mbyllur, nuk shprehej shumë. Sidomos për pjesën e punës nuk na tregonte asnjëherë asgjë, për shkak të sekretit të punës që bënte, por edhe për shkak se nuk donte të na bënte merak me vështirësitë e punës së tij. Ibrahimi fliste më shumë me vëllain, Denisin. Ishte njeri i shoqërueshëm, kishte shumë shoqëri, por nuk ishte i martuar ashtu siç kanë shkruar dhe kanë thënë deri tani disa media. Ne donim shumë ta shikonim Ibrahimin të martuar, por gjithmonë na thoshte, “edhe pak do prisni, pastaj do martohem”. Por, Zoti e deshi më shumë sesa ne, aq sa e mori pranë vetes. Ne tani jetojmë me kujtimet e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura