“Moti i madh”, gravura e armë të epokës së Skënderbeut në Muzeun Kombëtar

Jan 18, 2018 | 12:56
SHPËRNDAJE

Ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e kambanës së shek. XV, përpara syve të kalojnë skena luftimesh të përgjakshme. Europa humaniste e periudhës së Marin Barletit, kështu e ka imagjinuar heroin e viseve arbërore, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ndryshe nga ekspozitat që jemi mësuar të shohim rëndom nëpër institucionet tona, Muzeu Historik Kombëtar, kësaj here, në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, është përpjekur të sjellë diçka ndryshe. Nuk kemi të bëjmë me ekspozime për herë të parë dhe as objekte të bujshme, por publikim gravurash, hartash, armësh dhe të një kambane të vitit 1465, që na sjell jehonën e “Motit të madh”.

harta

Pikërisht kështu e ka titulluar MHK ekspozitën e hapur dje në hollin e institucionit. “Kjo ekspozitë sjell një mori gravurash të shkëputura nga libri i Marin Barletit, të cilat i kemi zgjedhur qëllimisht për të kuptuar se si e ka perceptuar figurën e Skënderbeut publiku i Europës humaniste të asaj kohe. Veç këtyre gravurave, kemi riprodhuar një hartë të madhe të principatave shqiptare në vitin 1443, pikërisht në momentin kur Skënderbeu kthehet në Krujë e më vonë organizon dhe Kuvendin e Lezhës. Po ashtu, edhe stemat e principatave, për të pasur një perceptim më të thellë të kësaj epoke historike”, shpjegon drejtori i MHK, Dorian Koçi.

Pjesë e kësaj atmosfere janë bërë edhe disa armë origjinale, topuzë e shpata, që ruhen në ambientet e muzeut. “Kemi ekspozuar edhe disa objekte origjinale, si armë të shek. XV-XVI, që ne i kemi në pavijonet tona, për të vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me epokën që ne po përkujtojmë. Janë objekte unikale dhe ndër të paktat që ne kemi nga kjo kohë, pasi siç e dimë, armët origjinale të Skënderbeut janë në Vjenë. Mes tyre do të veçonim kambanën e kishës së Karpenit, që i takon vitit 1465 dhe mban një mbishkrim në gjuhën latine”, shton Koçi.

Sipas tij, ky është aktiviteti i parë i këtij institucioni në nder të figurës së heroit. Duke qenë që libri i Barletit përmban 107 gravura, ai thotë se do të ndërtohet një ekspozitë më e plotë, e cila do të jetë lëvizëse. Ajo do të udhëtojë nëpër Shqipëri, në trojet shqiptare përtej kufijve, si edhe në qendra europiane, ku rezonanca e heroit shqiptar vazhdon të ketë jehonë. Ashtu si edhe historia e Shqipërisë, nevojë për rishikim kanë edhe pavijonet e muzeut, mes së cilëve edhe ai i periudhës së Skënderbeut, i cili ka nevojë të zhvishet nga elementët populistë dhe mitologjikë.

“Në kuadër të rikonceptimit të linjës muzeale të Muzeut Kombëtar, do të shihen me përparësi, jo vetëm pavijoni i Skënderbeut, por çdo pavijon. Fatkeqësisht, ne nuk kemi objekte origjinale që do t’i shtoheshin, por përmes riprodhimit të faksimileve, pikturave dhe gravurave të kohës, do të mund të arrijmë që vizitori apo brezi i ri, të mund të perceptojë një hero europian të asaj kohe, për t’iu larguar idilit të një Skënderbeu shumë popullor, të veshur me opinga dhe tirqe, çka pasqyron edhe epokën në të cilën është ndërtuar Muzeu Historik Kombëtar”, thotë Dorian Koçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura