Moti i keq, vështirësi në disa zona të vendit

Dec 9, 2012 | 13:10
SHPËRNDAJE
Pamje nga reshjet e debores ne Kukes mbremjen e se shtunes

UPDATE- Policia ka bërë thirrje për kujdes ndaj të gjithë drejtuesve të mjeteve të cilët do të udhëtojnë në zonat e prekura nga reshjet e dëborës. Gjendja paraqitet mjaft e rënduar në qarkun e Korçës, ku reshjet e dëborës vazhdojnë. Raportohet se të gjitha akset kombëtare në këtë zonë kalohen vetëm me zinxhirë. Në këtë qark mësohet se janë edhe disa zona të bllokuara, mes të cilave edhe fshati turistik i Dardhës. Në drejtim të Pogradecit dhe Kapshticës duhet patur kujdes gjithashtu. Reshjet e dëborës vazhdojnë në këtë momente edhe në qytetin e Korçës me një intensitet mjaft të lartë, ndërsa mësohet se ka probleme edhe me mirëmbajtjen e rrugëve, për shkak të mosbërjes së tenderave në kohë. Disa komuna kanë mungesë të energjisë elektrike.

Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ka sjellë probleme edhe në zonën verilindore të vendit. Në Kukës, prej dje dhe deri mesditën e sotme nuk ka patur energji elektrike, ndërsa temperaturat kanë pësuar ulje të ndjeshme. Probleme ka patur edhe në qarkullimin e automjeteve, ndërsa disa zona të qarkut Kukës janë krejtësisht të bllokuara për shkak të trashësisë së dëborës.

Në Pukë po ashtu ka patur mungesë të energjisë elektrike, si dhe probleme në qarkullimin e automjeteve, ku rekomadohen patjetër zinxhirët.

CEZ po ashtu njoftoi sot se janë dëmtuar dy shtylla të tensionit të mesëm nga ujrat e lumit Osum duke lënë pa energji disa komuna.

Sipas të dhënave të Meteoalb për gazetën Panorama, temperaturat në mëngjes kanë pësuar renie në zonat malore, ndërsa mesdita do të sjellë po ashtu një rënie të lehtë në të gjithë vendin. Ndërkaq, për ditën e nesërme pritet një mot i kthjellët por i ftohtë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura