Moti i keq, përmbytje në Elbasan e Fier, lshmi del nga shtrati në Krujë

Jan 5, 2016 | 10:22
SHPËRNDAJE

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Mësohet se si pasojë e daljes së lumit nga shtrati në Labinot-­Fushë, janë përmbytur toka, ndërsa rrezikohet dhe një banesë.

Sakaq, Shtabi i Emergjencave ka kërkuar evakuimin e kësaj familjeje.

permbytje

Probleme ka pasur dhe në Elbasan, pasi prurjet e përroit të Zaranikës kanë dëmtuar argjinaturën. Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në aksin rrugor Gramsh­ Sult.

E njëjta situatë është dhe në Fier, pasi janë përmbytur tokat bujqësore në Mbrostar Ura.
Ndërkaq, është hera e dytë brenda një muaji që lumi Ishëm del nga shtrati, duke përmbytyr zonën e Bilajt në Krujë.

Sipas administratorit Xhemal Daci pohoi se nga dalja e lumit nga shtrati janë shkaktuar dëme në bujqësi, ndërsa janë përmbytur 200 hektarë tokë.

Moti i keq në gjithë vendin, ja zonat problematike ku duhet kujdes

Në disa rajone të vendit ka pasur reshje dëbore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Probleme të tilla janë shfaqur në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë-Dardhë, Bilisht-Kapshticë, Krumë-Qafë Prush (Kosovë), Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth, në Shkodër.

Mjegull e dendur në Rrugën e Kombit nga Rrësheni në Kalimash, e cila shkakton vështirësi lëvizjeje në këtë aks rrugor ndaj policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes.

Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile dhe pushtetit lokal këshillojnë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të vendosin zinxhirët në disa akse problematike. Pas monitorimit të situatës dhe masave të marra, në qarqet e lartpërmendura nuk raportohet ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike apo probleme të emergjencave mjekësore.

Debore-Puke-1Foto-G4-370x277

Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të Emergjencave Civile, situta sipas qarqeve më problematikave:

Në qarkun Kukës, mjetet borëpastruese po punojnë për të mbajtur hapur akset Kalimash – Morinë; Kukës – Ura e Zapodit; Krumë – Qafë Prush – Kam -B.Curri – Valbonë, ku vërehet prezencë e ngricave.

Qarku është përfshirë nga reshje të dendura dëbore ku lartësia në qytete shkon: Kukësi 12 cm, Has 25 cm, Tropojë 30 cm. Në lartësitë mbi 700 m lartësia e dëborës varion nga 30 deri në 50 cm.

Në qarkun Korçë, përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të aksit rrugor Korçë – Dardhë.

Në qarkun Shkodër, rrugët në Pukë, Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të kalueshme, përveç aksit Bardhoc – Iballë, dhe Bogë – Theth, i bllokuar në vendin e quajtur Qafë Thore ku ka rreth 70 cm dëborë, si edhe në aksin Bardhet – Iballë.

Në aksin Qafë Mali – Fierzë dhe Pukë – Fushë Arrëz, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në qarkun Dibër, temperaturat e ulëta sot janë pasuar nga një mot me vranësira dhe reshje lokale shiu. Kujdes duhet treguar në akset nacionale Kala e Dodës – Peshkopi, si edhe në aksin rural rrugor Selishtë – Muhurr.

Firmat që mirëmbajnë rrugët kanë nisur hedhjen e skorjes dhe pastrimin e akseve të tjera kombëtare Peshkopi – Kala e Dodës; Peshkopi – Bllatë; Maqellarë – Ura e Topojanit – Fushë Bulqizë.

Në qarqet e tjera nuk ka problematika, nga kushtet e motit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura