Mospërputhje me shifrat e pandemisë/ Ministria: Kemi 16 të riinfektuar, ISHP e mohon

Feb 24, 2021 | 8:17
SHPËRNDAJE

Imunizimi nga virusi Covid-19 është një ndër çështjet ende në studim dhe me rëndësi për ata që e kanë kaluar, të cilët duan të dinë për sa kohë janë të mbrojtur. Te ne nuk është se pretendohet një studim për këtë gjë, por së paku linja zyrtare të dalë në një zë.

spitali covid rama pamjet3

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, flet për 16 raste të rikonfirmuara pozitive me Covid-19.

“Pavarësisht faktit se e kemi kaluar dhe kemi shfaqur klinikë dhe jemi konfirmuar me Covid-19 për të minimizuar rieskpozimin, duhet të vazhdojmë të mbajmë maskën dhe të zbatojmë të gjitha masat e distancimit fizik”.

Sakaq, mjeku infeksionit në ISHP, Artan Simaku, mohon të kemi rast të vërtetuar që të jetë infektuar për së dyti herë, duke treguar një kompleks kushtesh që duhen plotësuar që një person të quhet i riinfektuar.

“Të sqarojmë diçka me termin ‘riinfektim’. Termi ‘riinfektim’ përdoret me rezervë, sepse nuk është vërtetuar akoma dhe çështja e riinfektimit është në studim e sipër. Pra, nuk është vërtetuar plotësisht.

Termi i saktë është ‘persona të dyshuar për riinfektim’. Që një person të jete i dyshuar për riinfektim duhet të paktën të plotësojë tri kritere. Që është sëmurë apo ka pasur shenja klinike, duhet ritestuar me anë të tamponit, jo me test të shpejtë, pra me testim molekular. Duhet të jetë negativizuar pas herës së parë. Në herën e dytë duhet përsëri të ketë rezultuar pozitiv po me tampon dhe diferenca nga infektimi i parë tek infektimi i dytë duhet të jetë rreth 90 ditë. Që të flasim për riinfektim duhet të kemi parasysh këto tri kushte dhe përveç kësaj, ekziston dhe kushti i katërt, që duhet kryer edhe analiza gjenetike e virusit. Nëse në infektimin e dytë është infektuar personi nga i njëjti shtamb i virusit apo nga një shtamb i ri qarkullues që ka pësuar mutacion.

Është ky konteksti i kushteve që duhet plotësuar për të dyshuar te personi për riinfektim. Duke pasur parasysh vështirësinë e bërjes së një tamponi të vetëm (në publik), mjekimit të kushtueshëm, një test serologjik në fund për nivelin e antitrupave që bëhet vetëm në privat është ‘luks’ për një qytetar me të ardhura të mesme (pa përmendur ata me paga minimale). Veç kësaj, ne ende nuk e dimë zyrtarisht (ndonëse të gjitha të dhënat të çojnë në këtë konkluzion) nëse ka virus të ri në vendin tonë. Jo më, të mësohet nëse personat e dyshuar se janë infektuar për herë të dytë të mësojnë që në trupin e tyre është virusi që kanë pasur apo mutacioni i tij”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura