“Mosndërhyrja do sillte katastrofën”/ Katër oficerët që u dogjën të gjallë në Picar, flet i mbijetuari i tragjedisë së majit ‘97: Askush më shumë nga ata nuk e dinte…

May 16, 2023 | 11:29
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Këtu ku është qafa e parë që të fut në fshatin Picar të Kurveleshit, anarkia që përjetoi ushtria në vitin 1997, la zbuluar e jashtë kontrollit një mal me eksploziv e municione luftarake të grupdepove të Divizionit të Gjirokastrës. Furtuna e tmerrshme që kaloi i “fali” këtë dhuratë fshatit e zonës si një varr të hapur e kërcënues te porta.

4 oficeret

Këtij rreziku i vunë gjoksin të parët, oficerët dhe specialistët e shtabit, duke e marrë vetë rrezikun në sy. Sa kishte ndodhur katastrofa e shpërthimit të depove të Qafë-Shtamës që gllabëroi 23 jetë njerëzish e kjo e bënte operacionin e tyre më emergjentë…

ISHTE 15 MAJI I PRANVERËS SË TRISHTË TË ’97-ËS

I rikthehemi atij operacioni me një rrugëtim te kjo qafë, që ato ditë fshihte në gjoksin e saj gjëmën e madhe për një krahinë të tërë. Është hera e parë që vijmë këtu pas asaj dite-hata. Jemi bashkë me Ilo Rizon, Jorgo Nikollën, Fejzi Duror, Neki Hajredini dhe një pjesë të atyre misionatrëve. Na prin kolonel Pëllumb Shalari, që tashmë drejton njësinë e mbrojtjes nga zjarri në Bashkinë e Gjirokastrës. Janë gati të gjithë ata që mundën të shpëtojnë të gjymtuar nga ajo tragjedi.

Mungojnë vetëm ata që lanë në këtë operacion jetën e tyre, Vladimir Çumaku, Albert Lela, Bardhyl Këlliçi e Fedinand Dosti. Po dhe ata që mundën të mbijetojnë morën “peshqesh” shumë plagë e gjurmë predhash e flakësh nga ajo ditë e tmerrshme. Njëri syresh, Fotaq Neti, gjatë gjithë këtyre viteve është marrë me kurimin e pasojave të rënda në disa spitale brenda dhe jashtë shtetit. Jeta me vdekjen u kacafytën për muaj e vite me radhë, por për asnjë çast atij nuk i humbi kuraja e durimi. Dhe arriti të mbijetojë, edhe pse i dëmtuar shumë në trup. Për vite të tëra nuk mundej të ulej në karrige. Edhe bukën e hante në këmbë. Edhe kafen me shokët në këmbë e konsumonte. Gjumin vetëm në njërën anë mund ta bënte. Mjafton një ndryshim i vogël moti dhe dhimbjet e plagëve i ndjen deri në dridhje zemre…

Ecim me ata në këtë “amfiteatër”, që ende ruan pamjen e një pasbombardimi të rëndë dhe mundohemi të rindërtojmë diçka nga tragjedia e 15 majit. Janë fusha e kodrina të tëra që ende fshehin brenda tyre predha të plasura nga të gjitha llojet e kalibrave, pemë e dushkaja që ruajnë gjurmët e shkrumbimit nga gjuhët e flakëve, godina të rrënuara e shkurre të shkulura nga rrënjët, makina e karroceri të dëmtuara e të shpërfytyruara, ashtu si relieve, në të cilat para 25 vitesh u përpi trupi i 15 ushtarakëve të divizionit “Labëria”.

Po si ndodhi ngjarja, nga nisi gjëma që mori katër shokë nga më të mirët e sakatoi për tërë jetën 11 të tjerë? Ata që deshi fati e rastësisht mbetën gjallë, me lot në sy nisin e kujtojnë…

Mëngjesin e 15 majit, 15 oficerët e shtabit të divizionit u nisën mbi karrocerinë e një makine për të filluar operacionin e vështirë në këto grupdepo të shkatërruara e të nxjerrë jashtë kontrollit. Vladimir Çumaku, me detyrën e shefit të armatimit të njësisë, sa kishte hequr shiritin e shërbimit 24 orësh. Dikush i kujtoi porosinë e së shoqes, për t’u kthyer një herë nga familja, po ai shtoi se nuk priste koha. Dhe u nisën me shpejtësi.

“A e dinit ku shkonit?”, pyesim duke iu kujtuar rrezikun që i kërcënonte nga gjendja “rifuxho” e predhave, barutit dhe municioneve të tjera.

“Si jo, përgjigjet Pëllumb Shalari. Ne vinim këtu ku jeta ishte në fije të perit. Po mos harro ama se në fije të perit e mbante kjo gjendje jetën e popullsisë të krahinës së Kardhiqit dhe Lunxhërisë. Nga dita në ditë mund të përsëritej në përmasa shumë herë më të mëdha ajo që ndodhi në grupdepot e Qafë-Shtamës. Ky operacion, sado i rrezikshëm, duhej nisur sa më parë. Këtu te kjo qafë, te kjo luginë, ishte një “minë” e stërmadhe që nga çasti në çast mund të shpërthente. Na takonte ne dhe vetëm ne ta nxirrnim jashtë luftimit atë. A kishte rrezik? Më mirë se ushtarakët askush nuk mund ta dinte. Ishte pikërisht moment që kërkonte të shmangej vdekja e lëndimi i mijërave, duke luajtur me jetën tënde. Me vdekjen, thuaj më mirë. Dhe e di ç’do të thotë të luash me vdekjen, ta ndjesh si të pulson ajo te veshi? Në sy kishim vetëm fëmijët. A ka gjë më të dashur se ata kur e ndjen se vetëm milimetrat të ndajnë nga vdekja? I kërkon t’i marrësh kështu në sy për të të mbetur ata imazhi i fundit…”

“A mund të parandalohej ngjarja?”, e shkëpusim kështu rrëfimin e Pëllumb Shalarit, duke u kthyer edhe nga të tjerët. Këtu mendimet e tyre ndahen. Po, thonë disa e jo, thonë të tjerët. Më shumë se këto përgjigje disi kategorike, aty për aty ata mendohen të risjellin pamjen e asaj katrahure që kishte mbetur nga grupdepot në ato ditë. Ishin përzier bashkë predhat me barutin. Do vije dorën te predhat, kishte të bëje me barutin. Po të hiqje barutin, kishe të bëje me predhat. Filluam me kujdes të jashtëzakonshëm. Grumbulluam predhat e para. Vazhduan disa çaste punë nën tension e stres. Me duart te predhat u përballëm me barutin përvëlues.

E ngacmojmë Jorgo Nikollën për të na përshkruar çastet e para. Aty nuk bëhej fjalë për çaste të para e të dyta, por për një shpërthim të menjëhershëm, për një vullkan të madh zjarri që shpërtheu sa hap e mbyll sytë, për rënkime e britma rrëqethëse. “Kur dola nga flakët, kujton Pëllumb Shalari, pashë të kalonte Vladimir Çumamni dhe Arben Çela që m’u dukën se ishin veshur me kostume të kuq me kuadrate të zeza. Trupi I tyre vazhdonte të digjej dhe ata vraponin të dilnin në zonën jashtë zjarrit, të shuanin flakët dhe të futeshin përsëri mes tyre, për të shpëtuar shokët. Në çast mu gjend pranë Ferdinand Dosti, togeri që i kishte aq nur buzëqeshja dhe tani nxirrte nga goja currila gjaku. Më tha të nxitonim për të ndihmuar Albertin me Bardhin, që kishin mbetur mbi karroceri të makinës duke sistemuar predhat. Flakët lëpinin faqet e tyre e nga çasti në çast pritej shpërthimi. Shpërthimi I tmerrshëm…Gjëmimi I tij ishte shurdhues. Dridhej toka si nga një tërmet I fuqishëm. Që nga ky çast nuk mbaj mend gjë tjetër, Vonë shumë vonë e morëm vesh hatanë që kishte ndodhur. I gjori Albert e Bardhi ishin bërë shkrumb, mbi karrocerinë e makinës…”.

Atë çfarë ndodhi më tej e ka memorizuar me kujdes në memorie Halim Saraçi, një banor i zonës që atë ditë është ndodhur disa metra larg dhe e ka parë nga afër katastrofën e tmerrshme. Përveç gjëmimit të furishëm e të beftë, ai kujton trupat e përvëluar e të zhuritur tërë gjak, britmat e zërat e mekur të atyre që kishin përjetuar llahtarin e vërtetë. “Fotaq Neti vazhdonte të digjej”, shton ai. “Forcat e kishin lënë dhe me sa dukej, veten ia kishte dorëzuar gjuhëve të flakëve. Iu afrova e mora për gjoksi, i fika zjarrin dhe fillova t’i lyej plagët në trup. Në moment mbërriti tërë fshati. U dhamë ndihmën e parë dhe i nisëm për mjekim, në fillim në Gjirokastër më vonë në Greqi. Katër ndër ta nuk mundën të rikthehen në jetë. Ishin në lulen e moshës. Të katër të rinj. Të porsa martuar.. Jeta e tyre mbeti një monument trimërie e heroizmi këtu te ky shteg që të fut në fshatin tonë. I shikon këto lule që nuk mbarojnë kurrë te lapidari i tyre, picariotët i kanë vënë, sepse u janë mirënjohës këtyre bijve të ushtrisë që shkelën mbi vdekjen e tyre për të shmangur vdekjen e fëmijëve tanë. I ka patjetër ushtria krenari të saj, po këta trima janë dhe krenaria e zonës sonë.

Ka qenë një llahtarë e paimagjinueshme. Katër nga oficerët më dinjitozë të divizionit “Labëria” ranë në krye të detyrës, duke shkuar me ndërgjegje drejt rrezikut. Ata patën një vdekje të njëjtë. Gati të njëjtë patën dhe jetën e karrierën ushtarake, vështirësitë e detyrave, madje dhe hallet e shqetësimet familjar. Nuk është rastësi që fati i tyre të takohej në udhën e profesionit të ushtarakut. Alberti sa mbaroi shkollën, e nisi karrierën në repartin më të largët të garnizonit, në Leftokare, e pastaj për vite të tëra në Poliçan. Ferdinanti e filloi në repartin më të skajshëm të Sarandës, në Cerkodhimë e pastaj në Krane. Bardhyli e nisi në malin e Çajupit dhe vazhdoi për vite në malin e Sinorit. Vladimiri gati tërë karrierën 15-vjeçare e kaloi në repartin më të largët të Korçës e vitin e fundit kishte ardhur në vendlindje. Edhe pse shërbyen në reparte nga më të vështirat, kjo nuk i pengoi të përgatisin e të krijonin efektiva shembullore e të dalloheshin si oficerë pasionantë e të përkushtuar për detyrën. Po shërbimi në skajshmëri të garnizonit u la dhe një hall të përbashkët: U fejuan u martuan, u bënë prindër dhe nuk arritën të merrnin një strehëz në qytet. I tillë ishte fati i tyre…

Këtu te qafa e parë që të fut në Picarin e Kurveleshit, 15 ushtarakë dinjitozë, në pranverën e ’97-tës vunë gjokset e tyre për të mbyllur “varrin” kërcënues te porta e fshatit. Ky operacion mori katër nga shokët më të mirë. Datonte 15 maji i pranverës së trishtuar të ’97-tës. Kur të heq rruga këtej, ndalo një minutë te ky obelisk e ndero ata trima, duket sikur më thotë Halim Saraçi teksa bëjmë një foto te monumenti i tyre. Monumenti që nuk i shterin lulet në çdo kohë mbart në vetvete epikën heroike të asaj beteje të përgjakshme. Është shprehje e mirënjohjes dhe krenarisë për dëshmorët e divizionit dhe krahinës.

Kështu rrodhi tragjedia e atij 15 maji. Kështu ndodhi me ata oficerë të pavdekshëm. Ata që veç betimit të lirisë nuk shihnin ëndrra medaljesh, shpërblimesh dhe karriere, ata që në atë tjetërsim të pamoraltë uronin veçse paqe për këtë popull, ata që rrethi i kapelës iu bë gjerdan i nderit, ata që ende nuk përgjigjen kur ne i pyesim “Çfarë ju ndodhi?”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura