Mosbindje civile për Teatrin Kombëtar

Mar 30, 2018 | 13:14
SHPËRNDAJE

Ilir-Demaliaj-SHBAILIR DEMALIA

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, nuk ka pasur ndonjë histori trashëgimie si kryeqytetet apo qytetet e tjera të Europës, as edhe të Ballkanit, por si çdo qytet që ka historinë e tij me fillimet dhe vazhdimësinë, edhe Tirana ka historinë e saj 400-vjeçare I krijuar rreth viteve 1600 nga Sulejman Pasha, fillimet e saj i pati me ndërtimin e Xhamisë së Sulejman Pashës, një hamam dhe një furrë buke. Tashmë, shqiptarët të gjithë pothuaj kanë dalë jashtë Shqipërisë dhe kudo që kanë shkuar, kanë vënë re, se çdo qytet i ruan fillimet e veta dhe me fanatizëm.

Këto objekte, kudo në botë, janë qendrat më të vizituara turistike. Këto qendra kanë një mbrojtje dhe kujdesje të veçantë nga shteti si trashëgimi kulturore, historike dhe vlera të një periudhe të fillimit të qytetit për vazhdimësinë dhe zhvillimin e qytetit. I ka Tirana fillimet e qytetit? Jo fillimet që nuk i ka, jo vazhdimësinë urbanistike dhe arkitektonike nuk e ka, jo bukurinë e Tiranës nuk e ka më, qoftë dhe atë natyrore, JO, politika kriminale e këtij tranzicioni, në veçanti e Kryeministrit të sotëm dhe kryetarit të Bashkisë për 12 vjet, Edi Rama, ka krijuar një katrahurë, një shëmtirë, që përpos fitimit dhe pastrimit të parave nga banditët, kriminelët, vrasësit me pagesë të krimit politikoekonomik që rrethojnë Edi Ramën, nuk ka pasur asnjë qëllim tjetër përpos përdorimit të krimit për të qenë sa më gjatë në pushtet.

Me katrahurën që ka ndërtuar Rama, i ka prerë qytetit lidhjet dhe vazhdimësinë historike dhe sociale të zhvillimit. Asnjë popull nuk do ta lejonte këtë që ka ndodhur me Tiranën! U shkatërrua Stadiumi Kombëtar, një krim, që Edi Rama duhet të japë llogari një ditë. U shkatërruan para saj “Vilat e Bllokut”, por që janë ndërtuar para se të krijohej Blloku. U shkatërrua Sheshi i Tiranës për të bërë një shëmtirë dhe më shëmtirë pas shëmtirës së Pampersit të Bashës. I është prishur dhe po vazhdon t’i katastrofohet çdo ditë harmonia dhe bukuria Bulevardit të Tiranës, si një nga gjërat më bukura të Tiranës dhe Shqipërisë, dhe jo vetëm…

Po rrënohet me qëllim Hotel Dajti, shkatërruan Muzeun e Shkencave te Natyrës, po… Tirana po shkon përpjetë si… rrugët si arteriet e qytetit po ngushtohen përditë. Tirana nuk ka më frymëmarrje, nuk ka parqe, nuk ka fusha sporti, Tirana gjithmonë e më shumë ngjan me një fabrikë çimentoje. Pse nuk duhet prishur Teatri dhe i gjithë kompleksi i teatrit me ish-magazinat e qumështit deri te ish-selia e PD-së?! Nuk duhen prishur edhe si një mosbindje civile për t’i thyer hundët kësaj bande kriminale në pushtet, për mosvazhdimin e shkatërrimit të mëtejshëm të qytetit. Nuk duhet prishur për kujtesën historike të teatrit të parë shqiptar, po jo vetëm, por edhe si kujtesë historike e zhvillimit të zemrës së Tiranës.

Nuk duhet prishur edhe për harmoninë dhe historinë e gjithë asaj zone.  Imagjinoni atë monstër-maket të ”ndërtuesve” të Edi Ramës, përballë Vilës së Zogut, ish-Pallatit të Pionierëve dhe Shtëpisë së Toptanëve! Tashmë e prishur nga Torre Drini, një shëmtirë tjetër e tranzicionit në harmoninë e gjithë pellgut dhe, me monstrën e fundit “Toptani Center”. Kryetari i bashkisë, ose më saktë, kanakari i Ramës, Erion Veliaj, po na përsërit vazhdimisht shiritin e futur në gojë nga Rama, se këto janë mbeturina fashiste! Këta po përgatisin me këtë, shkatërrimin e mëtejshëm të “Tiranës fashiste” për të ngritur Tiranën e Ramës, duke na bërë objekt të trashëgimisë kulturore, Shallvaret e Spiro Kolekës dhe Piramidën e Enverit.

Godina e Teatrit Kombëtar e projektuar nga italianët në 1936
Godina e Teatrit Kombëtar e projektuar nga italianët në 1936

Me këngën, “botën mizore do ta shkatërrojmë/ në vend të saj, botën e re do të ndërtojmë” po nuk iu vendos barrikada me teatrin, për moslejimin e prishjes së teatrit, atëherë marshimi i bandës që ka kapur pushtetin, nuk do të ndalet. Mos u habisni pas kësaj, kur të fillojë dhe shkatërrimi i ministrive. E filloi Enver Hoxha me Bashkinë e Tiranës duke na ngritur një shëmtirë Muzeu në vend të “botës mizore”! Do të vazhdojë kapitulli i dytë i shkatërrimit të ”botës mizore”, po e lanë prishjen e Teatrit! Një ditë nuk do të jenë as Sarajet e Toptanëve, as Vila e Zogut, as ministritë, as… Tirana një ditë do jetë vetëm me vulën e shëmtirës!

Këtë shkrim po e shoqëroj me një foto të planimetrisë së teatrit në vitin 1936, për arkitektët dhe mbrojtësit e trashëgimisë kulturore, Artan Shkreli, Artan Lame, Maks Velo, ku për një gardh të Pallatit Brigadave që u prish dhe një pemë që u pre në qeverisjen e Berishës për zgjerimin e rrugës, ata gati sa nuk bënë “vetëvrasje” për të mos lejuar prishjen e gardhit dhe prerjen e pemës! Jo, dy Artanët dhe Velo, janë të vdekur dhe të pakallur sot me heshtjen e tyre, për turpin e tyre si arkitektë dhe artistë dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura