“Mos më quani armik, kam pasur koncepte borgjezo-revizioniste, më lini në….”, letra e Beqir Ballukut nga burgu për Enverin

SHPËRNDAJE

abdyl-kellezi-nexhmije-hoxha-beqir-balluku-vito-kapo-dhe-ramiz-alia-905x395

Dashnor Kaloçi/ Publikohet letra e plotë të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku për Enver Hoxhën, e datës 18 Shtator të vitit 1974, e dërguar nga Roskoveci ku vuante fillimisht internimin, i akuzuar si “armik i partisë dhe popullit”. Në plot 24 faqe të asaj letre, Balluku i shpjegon gjithcka ish-shefit të tij, duke filluar që nga periudha e Luftës, e deri në atë ditë që ndodhej aty, larg shokeve dhe i ndarë nga familja. Dhe me damkën e madhe si i “pushkatuar politikisht” ai i lutet Enverit dhe Partisë, që të vënë dorën në zëmër dhe t’i japin edhe njëherë mundësinë që për ato pak vjet të jetës që i kanë mbetur, t’i kalojë pranë shoqërisë socialiste, duke dhënë kontributin e tij qoftë dhe në duke punuar në punë krahu…?!

Emri i tij u bë i njohur që në periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare në gjysmën e parë të viteve ‘40-të kur ai drejtonte njësitet guerile të qytetit të Tiranës, dhe më pas si Komandant i Brigadës së II-të Sulmuese. Pas mbarimit të Luftës, Balluku do të emërohej në postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me gradën gjeneral-major, duke zëvëndësuar aty gjeneral Spiro Moisiun. Që nga ajo periudhë kohë e deri në vitin 1974 që zgjati karriera e tij, Beqir Balluku do të kryente një sërë funksionesh të larta partiake e shtetërore, si: zv-Kryeministër, Ministër i Mbrojtjes, anëtar i Byrosë Politike, dhe deputet në të gjitha legjislaturat.

Ai deri në fundin e viteve ‘60-të konsiderohej si një nga njerëzit më besnikë të Enver Hoxhës, gjë e cila do të provokonte një zili dhe xhelozi nga ana e Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili në një të ardhme e shikonte veten de jure dhe de facto si pasardhësi i Enver Hoxhës. Balluku do të fitonte shumë kredenciale në sytë e Hoxhës për gjestin e tij të besnikërisë ndaj udhëheqjes më të lartë të PPSH-së, kur këta të fundit ndodheshin në një situatë politike mjaft delikate në Konferencën e 81 Partive në Moskë, ku vetë ai (Balluku) do t’i deklaronte ambasadorit sovjetik në Tiranë, Shikin, se; “Nëse udhëheqjes shqiptare do t’i ndodhte ndonjë e papritur e pakëndshme në Moskë, të gjithë shtetasit rusë që ndodheshin në Shqipëri do të ekzekutoheshin pa paralajmërim”. Kështu edhe për këtë fakt, pas prishjes me sovjetikët, figura e Ballukut do të njihte një rritje të menjëhershme të karrierës politike, deri në momentin më kritik të vetë institucionit që Balluku përfaqësonte, heqjen e gradave të ushtrisë shqiptare në vitin 1967. Çarja e parë e heshtur ndërmjet Ballukut dhe Hoxhës do të ndodhte pikërisht në vitin 1967, kur i plotëfuqishmi i Ministrisë së Punëve të Brendshëm për ushtrinë, gjeneral-major Halim Xhelo, do të shkruante letrën e famshme anonime në drejtim të Enver Hoxhës, në të cilën protestohej për zhveshjen e ushtrisë shqiptare nga sistemi i gradave.

Pas zbulimit të letrës dhe burgosjes së Xhelos, Hoxha dhe veçanërisht Shehu, do ta shihnin me një dyshim të madh autorësinë e vërtetë të saj, pasi ajo ishte shkruar nën hundën e Ballukut dhe në mos fshihej ai pas Xhelos, në rastin më të keq duhet të kishte pasur dijeni për ekzistencën e saj. Të paktën kështu aludohej në atë kohë nëpër korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Qëndror të PPSH-së. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, nga fundi i viteve ’60-të dhe fillimin e viteve ‘70-të do të nisnin edhe përplasjet e shpeshta ndërmjet Beqir Ballukut dhe zëvëndësit të tij, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dumes, gjë e cila do të provokonte disa mbledhje të Byrosë Politike, posaçërisht për këtë sherr midis dy figurave ushtarake më të larta. Aq të shpeshta do të ishin debatet e sherret Balluku-Dume, saqë vetë Beqiri do t’i kërkonte Enver Hoxhës në disa mbledhje të jashtëzakonshme byroje dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Gjë e cila asokohe u refuzua në mënyrë kategorike nga Hoxha.

Një tjetër moment kulminant për Ballukun që dukej se “po e mbushte kupën”, çka hodhi shumë dyshime por për dyshen Hoxha-Shehu, do të ishte dhe vizita e Beqir Ballukut në krye të një delegacioni të përbërë nga eksponentë të lartë të Ushtrisë në Kinë në vitin 1972. Gjatë kësaj vizite kryeministri kinez Çu En Lai, do ta refuzonte kërkesën zyrtare të shtetit shqiptar për dërgimin e materialeve të teknologjisë ushtarake, duke ua thënë qartë: “Sado armë t’ju japim ne, Shqipëria nuk e përballon dot një sulm ushtarak të Bashkimit Sovjetik. Mënyra më e mirë e juaja për të rezistuar, është tërheqja nëpër male, apo siç quhet në gjuhën ushtarake, “Teoria e rrëshqitjes”. Ju duhet të krijoni një bosht ballkanik (Tiranë-Beograd-Bukuresht) anti-Moskë”.

Thuhet se menjëherë shifrantët e Sigurimit nxitojnë t’ja raportojnë këtë fakt udhëheqjes në Shqipëri, duke shtuar këtu edhe një tjetër dëshmi misterioze që Beqir Balluku, natën fshehurazi kishte shkuar në ambasadën sovjetike në Pekin dhe kishte negociuar me ambasadorin dhe shefin e KGB-së për Kinën rreth një Grushti Shteti të mundshëm të tij në Tiranë në bashkëpunim me 25.000 spetnazë (desantë) sovjetikë (akuzë kjo e Sigurimit të Shtetit). Si të mos mjaftonin gjithë këto gjëra, Beqir Balluku disa orë para mbërritjes së tij në Pekin, do të takonte në mënyrë incognito në aeroportin e Bukurështit, Ministrin e Mbrojtjes së Rumanisë, Gjeneralin, Ioan Ionita. Detajet e këtij takimi, kanë mbetur gjithashtu të mjegullta.

Ndërkaq vetëm dy vjet pas vizitës së tij në Pekin, do të fillonte edhe aktivi i Ushtrisë famëkeq i gushtit të vitit 1974, i zhvilluar në vilën e Mbretit Zog në Durrës. Në atë mbledhje që zgjati dy ditë me radhë, sipas porosisë së Enverit, Mehmeti dhe Hysniu ftuan të gjithë vartësit e Ballukut që të flisnin dhe diskutonin për “veprimtarinë armiqësore të tij”. Do të ishite pikërisht përmbajtja e “Tezave të Zeza”, ajo që do t’i kushtonte shumë shtrenjtë tre figurave më kryesore të ushtrisë shqiptare; Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos.

Vlen për t’u përmendur fakti, se ditën e shpalljes së Ballukut si “tradhëtar dhe puçist”, ish-shefi i Sigurimit të Ushtrisë, Halim Xhelo, që vuante dënimin në burgun e Burrelit, do të vdiste në mënyrë misterioze në qelinë e tij. (thuhej se ate ditë, ai humbi shpresën se mund të lirohej ndonjë ditë me ndihën e Ballukut). Ndërsa Pleniumi i gushti 1974, do të ishte gjyqi paralajmërues për kastën e ushtarakëve, të cilët vetëm disa ditë më pas do të ndjenin mbi vete të gjithë tërbimin e Hoxhës, tërbim i cili do t’i çonte drejt vdekjes të tre një vit më pas. Por para se të ndodhte kjo, Beqir Balluku u internua në qytezën e vogël të Roskovecit, prej nga ku, më datën 17 Shtator të vitit 1974, do t’i niste një letër të gjatë Enver Hoxhës, ku në 24 faqe të saj ai do t’i shpjegonte gjithçka shefit të tij që i kishte shërbyer me devotëshmëri që nga koha e Luftës. Dhe atë letër të mbyllur në një zarf, Balluku ia besoi vetëm djalit të madh të tij, Çlirimit, i cili e solli dorazi në zyrën e letra-ankesave në Komitetin Qëndror të PPSH-së.

Ç’farë shkruhet në atë letër, si e konsideroi Enveri autokritikën e Beqirit, dhe shënimet e Mehmet Shehut mbi të, bëhet e ditur nëpërmjet këtyre dokumenteve që Memorie.al po publikon të plotë ekskluzivisht në këtë dossier të rradhës, ndërsa ajo që vlen të theksohet është fakti se vetë Beqiri nuk e mësoi kurrë të vërtetën nëse ajo letër mbërriti në duart e Emver Hoxhës…?! Dhe kështu ai duhet të ketë ikur nga kjo jetë me pengun e madh që shefi i tij nuk e kishte marrë letrën, përndryshe do t’i kishte kursyer të paktën jetën. Kjo gjë konfirmohet edhe nga vetë familjarët e Ballukut, të cilat gjithashtu deri para zbulimit të letrës, kanë pasur dhe mbrojtur të njëjtin version si babai i tyre.

LETRA E BEQIR BALLUKUT PER ENVERIN   

Komitetit Qëndror të PPSH-së

Shokut Enver Hoxha

Po ju drejtohem me këtë letër KQ mbas afro dy muaj të përfundimit të shqyrtimit me objektivitet e durim M-L të gabimeve dhe fajeve të mia në drejtim të zbatimit e mbrojtjes të vijës së Partisë në sektorin ku punoja.

E konsideroj të nevojshme që të theksoj qysh në fillim se shqyrtimi i çështjes sime në bazë të analizave M-L në Byronë Politike dhe Pleniumin e Komitetit Qëndror, si dhe masat e drejta që u muarrën në raport me shkallën e gabimeve, fajeve dhe qëndrimeve të mia ndaj tyre në atë kohë, janë masa të bazuara dhe të merituara nga ana ime. Për gjithë këtë punë të madhe, për të gjitha përpjekjet e bërë të prira dhe të frymëzuara nga partishmëria e lartë, për të analizuar e shoshitur problemet me principialitet M-L si dhe kujdesi deri në fund për të shëruar dhe dhënë dorën shokut që bën gabim e faje, siç u bë në mënyrë të plotë në rastin tim, më angazhon dhe më vënë përpara detyrës që t’ju falenderoj nxehtësisht Byronë Politike, Komitetin Qëndror e shokun Enver, dhe njëkohësisht të kërkojë ndjesë për të gjitha telashet që i kam nxjerrë Partisë.

Unë  e them sinqerisht tani që jam pushkatuar politikisht, që jamë ndarë nga gjiri i dy gjërave më të shtrenjta të jetës sime, Partisë dhe popullit tim, të cilën ia kushtova me entusiazëm dhe vendosmëri energjitë dhe qënien time, dhe që kam ëndërruar të eci në këtë rrugë fisnike deri në fundin e jetës, deri në varr, e them tani që jam veçuar nga familja, të cilën e krijova në epokën e Partisë, dhe që kam ëndërruar të jetë pa njolla e ballëlartë në gjirin e shoqërisë tonë socialiste, se si në analizën e Byrosë Politike, të aktivit dhe Pleniumit të Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe pohimi i gabimeve dhe fajeve të mia, nuk ka ndodhur sepse unë kam menduar se kjo është rruga dhe metoda më e mirë për t’u mbrojtur ose nga frika e masave, por për faktin nëse megjithë qartësinë dhe argumentin M-L të analizave, ndërgjegjia ime e sëmurë nuk më ka lënë të shoh shkaqet dhe rrethanat e qënies sime në opozicion me vijën ushtarake të Partisë të Punës armiqësore me qëllim, që kam synuar në çarjen e unitetit në Byro, në mes të shokut Enver dhe Mehmet, që kam punuar për hartimin e një platforme të re tezash, të gjitha këto tek unë kanë rënë si një bombë dhe në kohën e parë kanë krijuar një turbullirë të madhe psikologjike. Pas mbledhjes së Byrosë në këtë gjëndje unë kam vajtur në aktiv mbas 14 ditësh, i bindur thellësisht se gabimet dhe fajet e mia kudrot do t’i dënojnë rreptësisht sepse ata janë të Partisë dhe jo të personave, dhe nuk kam shpresuar absolutisht edhe mbrojtjen më të vogël nga ndonjë shok, duke qenë në këtë gjëndje unë qëllimisht në këtë mbledhje të kuadrove kryesorë të ushtrisë  për një problem të tillë delikat, nuk kam shprehur rezervat që kisha në kokë, por premtova se do të flas në Plenium.

Balluku: Kam pasur koncepte borgjezo-revizioniste

Pra unë gjatë gjithë analizave kam qenë i gozhduar nga mendimi subjektiv se kam ndërrmarë përpunimin e një teme bazuar në konkluzionet e Pleniumit të 12 të Komitetit Qëndror të PPSH-së për zbërthimin e pasurimin e tezave. Unë në autokritikën time të cekët në Byro kam pranuar, se frymëzuesi i këtyre materialeve jam unë si dhe gabimet që theksoheshin në analizë, ndërsa për qëndrimin tim në opozicion me vijën, të punës armiqësore, të synimit të çarjes së unitetit në Byro, unë i përmbahesha mendimit se veti e cilësi të tilla kurrë nuk kanë qenë në karakterin tim, gjatë gjith jetës sime në Parti, pra ato nuk mund të jenë edhe sot, nga këto koncepte borgjeze revizioniste kam qenë i përshkruar nga fillimi i analizimit dhe deri në përfundimin e çështjes sime në Plenium.

Kjo gjëndje e turbullt ideologjike më ka çuar të qëndroj me kokëfortësi para analizave M-L dhe bile pyetjeve të shokëve që ishin një ndihmë për mua, t’i përgjigjem çfarë të them të pohoj ato që thoni ju. Si për gabimet dhe fajet e mia dhe veçanërisht për qëndrimet negative ndaj tyre unë kamë qenë i ndërgjegjshëm se masat ndëshkimore do të ishin të rënda karshi meje.

Balluku: Tani jeta ime si militant është këputur

Tani që jeta ime si revolucionar dhe militant është këputur e shuar në mënyrë tragjike eksluzivisht për fajin tim, me qëllim që të lëhtesoja ndërgjegjien time dhe të mbaj edhe në këtë gjendje siç jam jashtë rradhëve të Partisë të pashuar zjarrin e patriotizmit ndaj kauzës të Partisë dhe të popullit, që megjithë gabimet dhe fajet e rënda që kam bërë, edhe në këtë pjesë të vogël të jetës që më ka mbetur nuk do ta rreshtoj kurrë veten kundër tyre, por do t’i përmbahem me thonj dhe me dhëmb asaj pjese të mirë të jetës sime kaluar në shërbim të popullit e të Partisë, dhe do të dënoj dhe hedh poshtë me neveri e urrejtje pjesët e këqija të saj.

Meqënëse fajet dhe gabimet e mia janë lidhur me disa probleme të rëndësishme parimore të artit ushtarak popullor, në fillim dua të vë në dukje se pas çlirimit të vëndit, nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver, me prioritet ndaj të gjithë sektorëve të tjerë shtetërorë, u fillua nga puna për transformimin e modernizimin e ushtrisë tonë nga ushtri partizane në ushtri të rregullt, detyra e së cilës në momentin e dhënë historik, nuk ishte çlirimi i vëndit, por mbrojtja e fitoreve të revolucionit dhe pushtetit popullor në fuqi kundër agresorit me fuqi të rregullt ushtarake.

Për zbatimin e kësaj detyre, Partia përgatiti kuadrot, siguroi bazën materiale dhe në raport me kontigjentet njerëzore dhe paisjen e tyre hartoi strategjinë dhe planet e mbrojtjes të cilat nga periudha në periudhë janë zhvilluar dhe përsosur deri në ditët tona. Në tërë këtë periudhë nën udhëheqjen e Partisë edhe unë me shokët, me të meta dhe dobësi, kam dhënë kontibutin tim të thjeshtë.

Është me vënd të theksoj se rregulloret tona para daljes së tezave të Këshillit të Mbrojtjes, për luftën në front dhe në prapavijë e përjashtonin dhe nuk e trajtonin fare tërheqjen edhe me urdhër si fenomen në luftim si në fushën taktike ashtu dhe operative, ndërsa për operacionet e kalimit në prapavijat e armikut kur lufta në front ishte e pamundur as që bëhej fjalë fare.

Balluku: Nga cektësia rashë në gabime ushtarake

Në vitin 1966 me porosi të udhëzimeve të mia është përpunuar një material prej 25 faqesh që është quajtur teoria e rrëshqitjes, i cili u hodh poshtë nga konsulta, por duke u larguar nga rregulloret që atë kohë ishin përkthim i rregulloreve sovjetike, unë bie në gabime në trajtimin e problemeve ushtarake, ky fakt flet për cektësinë e trajtimit të lidhjes së këtyre problemeve në kushet e specifikimit të vëndit tonë dhe të ushtrisë.

Ky material sot dhe në të ardhmen ne shkallën e zhvillimit të ushtrisë e mendimit ushtarak nuk ka ansjë vlerë për t’u përdorur, ky material bashkë me një maket të vogël të shtjellimit të tezave, sipas skemës të Këshillit të Mbrojtjes, përpunuar nga një grup pune në atë kohë kishin mbetur në kasafortën time në shtëpi, në mes të materialeve të vjetra të Komisionit të Planit etj, të cilat ia dorëzova shokut Hito. Dalja e tezave të Këshillit të Mbrojtjes në vitin 1967 është një ngjarje e shënuar sepse ato janë një armë e fuqishme në dorë të ushtrisë, ato janë mishërimi i vijës ushtarake të Partisë e mësimëve të shokut Enver si gjatë luftës nacional-çlirimtare ashtu dhe të përiudhës së pasçlirimit.

Balluku: Tezat e Enverit duhet të ishin orientimi ynë

Trajtimi me një frymë të lartë M-L i problemeve politiko-ushtarake, përcaktimi i faktorëve që do të veprojnë përkohësisht në anën e armikut dhe vazhdimisht në anën tonë si dhe përcaktimi i formave të luftimit dhe operacionit, që përmblidhet në ndërtimin dhe aktivizimin fillimisht të mbrotjes strategjike  pozicionale-aktive dhe në të pastajmen të kalimit në kundërmësymje e mësymje për asgjesimin e armikutm janë jo vetëm parime bindëse se një vënd i vogqël si vendi ynë mund të përballojë e thyejë agresorin ose koalicionin e agresorëve, por e vetmja formë e sigurtë për mbrojtjen e vëndit në kushtet tona. Në këtë vështrim të artit ushtarak popullor ka individualitet shqiptar dhe është një pasurim, sistemim e zhvillim i mëtejshëm i mendimit ushtarak, tezat e Këshillit të Mbrojtjes janë shtigje e rrugë të çara nga Partia dhe shoku Enver për mbrojtjen e socializmit e të diktaturës së proletariatit në Shqipëri, kështu i kam vlerësuar, kuptuar e pranuar këto projekt-teza në vitin 1967. Memorie.al

be-ball BEQIR_BALLUKU_ME_FEMIJET BEQIR_BALLUKU_ME_GRUAN BEQIR_BALLUKU_ME_KINEZET_NE BEQIR_BALLUKU_ME_ME_ENVERIN BEQIR_BALLUKU_ME_NUSEN_OSE_ BEQIR_BALLUKU_ME_SHOKET BEQIR_BALLUKU_NE_PUDIUM_ME_ BEQIR_BALLUKU_NE_VARRIM BEQIR_BALLUKU_PER_GJAH BEQIR_BALLUKU_STERVITJE BEQIR_BALLUKU1

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.