“Mos luani me integritetin e Gjykatës Kushtetuese nëse doni çeljen e negociatave”- Bundestagu gjerman: Të gjitha pushtetet në një dorë e rrezikshme

Feb 25, 2020 | 19:11
SHPËRNDAJE

Hans-Joachim Falenski, kryekëshilltar për Politikën e Jashtme në CDU-CSU thotë se Gjermania vendos dy parakushte që duhet të përmbushen nga Shqipëria përpara zhvillimit të Konferencës së parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave.

Hans-Joachim Falenski

Ai veçon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë me gjyqtarë që kanë kaluar vettingun, duke nënvizuar se kjo duhet bërë në përputhje të plotë me Kushtetutën.

“Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi Kushtetutën”, thekson ai.

Më tej, Falenski shtron pyetjen:“Nëse nenet përkatëse të Kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën?”

Ai shtoi se përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë është i rrezikshëm për Gjermaninë. “Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj”, thotë ai.

Ai veçoi edhe lirinë e medias si shqetësim për Gjermaninë, duke përmendur paketën antishpifje, e cila aktualisht ndodhet për shqyrtim në Komisionin e Venecias.

Ai përmend edhe një nga kushtet prej 9 pikash të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave, siç është kushti lidhur me blerjen e votave

“Për Bundestag-un blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci.  Për këtë arsye Bundestag-u ka ndjekur me përparësi ecurinë e dosjeve 184 dhe 339, por gjithashtu edhe me shqetësim deri këto ditët e fundit”, thotë ai.

Deklaratat e tij u bënë gjatë një ceremonie në Presidencë ku u dekorua nga kreu i shtetit, Ilir Meta me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Hans-Joachim Falenski – Kryekëshilltar për Politikën e Jashtme në CDU-CSU

Zt. President!

Zonja dhe zoterinj!

Shumë faleminderit për këtë dekoratë tejet të veçantë, zoti President.

Është një nder i madh të marr këtë medalje të rëndësishme si këshilltar politik në një vend të huaj.  Kjo dekoratë më dorëzohet këtu në Shqipëri – vendi i huaj që është më afër zemrës time për shkak të njerëzve të mrekullueshëm që kam takuar këtu, me të cilët kam folur dhe me të cilët kam pasur privilegjin të punoj.

Në të njëjtën kohë, zoti President, ju po më jepni gjithashtu detyrën e madhe të vazhdoj punën time në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE, në mënyrë që vendi juaj të plotësojë kushtet për hapjen e fazës dhe kapitujve të parë të negociatave për zgjerimit.

Por, kjo kërkon më shumë sundim të ligjit, por edhe më shumë, për shembull, liri të mediave.

Jemi të shqetësuar edhe për lirinë e mediave, e cila me miratimin e paketës së re po bën hapa prapa dhe duke krijuar një precedent shqetësues mbi përpjekjen për të neutralizuar zërat e medias.

Bundestag-u po ndjek gjithashtu diskutimet për një paketë të re ligjesh që janë diskutuar gjerësisht këtu dhe disa dekrete të Presidentit që i konsiderojnë këto ligje si jo kushtetuese.

Një vend kandidat ka nevojë për një sistem demokratik me kontrolle dhe ekuilibra funksionues. Të gjitha pushtetet në një dorë të vetme, në shumicën e rasteve, janë të rrezikshme për demokracinë dhe nuk ju afrojnë aspak më pranë Evropës. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme të krijoni një sistem funksionues të kontrolleve dhe ekuilibrave këtu në vendin tuaj.

Kjo është ideja dhe bindja politike pas 9 kushteve të Bundestag-ut.  Ne shpresojmë që tashmë gjërat të jenë në rrugën e përmirësimit të situatës.

Ju e dini që ne po vendosim dy parakushte që duhet të përmbushen para se të zhvillohet Konferenca e parë Ndërqeveritare.

E para është: Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë duhet të jenë në gjendje të kryejnë funksionet e tyre përkatëse duke siguruar një numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve të cilët e kanë kaluar vetingun.

Çështja nuk është vetëm nëse plotësohet numri i mjaftueshëm. Shumë më e rëndësishme është nëse kjo është bërë në përputhje të plotë me pa përjashtim çdo parashikimi të kushtetutës suaj dhe të mos jetë i njëanshëm.

Dhe kjo përfshin jo vetëm procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun, por edhe procesin e marrjes së vendimeve ose – për shembull – ceremoninë për t’i bërë gjyqtarët të betohen mbi Kushtetutën.

Nëse nenet përkatëse të kushtetutës nuk respektohen plotësisht në këtë moment të rëndësishëm të një fillimi të ri, si mund të besojmë se puna e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese do të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën?

Parakushti i dytë është siç tashmë ju e dini: duhet të adaptohet një reformë zgjedhore.  Ligji i ri duhet të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e ODIHR.

Dhe reforma e re duhet të sigurojë që financimi i partive politike dhe fushatave elektorale të jetë transparente.

Ne e mirëpresim shumë faktin që procesi i hartimit tashmë zhvillohet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës që përfshin të gjitha forcat politike.  Kjo u kërkua nga Bundestag-u bazuar në rekomandimet e raportit të ODIHR të shtatorit të vitit të kaluar.

Ne shpresojmë që kjo të jetë një shenjë e mirë që për të gjitha palët e ardhmja e vendit të jetë përparësi kryesore dhe jo një përllogaritje për përfitime politike.

Në fund është e rëndësishme për ne që të kemi vullnetin politik këtu të të gjitha palëve për të gjetur një marrëveshje siç kërkohet nga Bundestag-u dhe për të vënë në zbatim plotësisht reformën e re ashtu siç edhe ka për qëllim.  Siç shprehet ODHIR: vullneti politik është çelësi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Me lejen tuaj, zoti President, unë dëshiroj të shtoj disa fjalë në lidhje me blerjen e votave:

Kushti ynë numër 5. thotë, se hetimet nga shërbimi i prokurorisë dhe, në rastet e caktuara, procedurat gjyqësore kundër personave të lidhur me blerjen e votave në zgjedhje duhen nisur dhe duhet të sigurohet që procedurat të zhvillohen me rigorozitet dhe në mënyrë të shpejtë.

Për Bundestag-un blerja e votave është rasti më i keq në një demokraci.  Për këtë arsye Bundestag-u ka ndjekur me përparësi ecurinë e dosjeve 184 dhe 339, por gjithashtu edhe me shqetësim deri këto ditët e fundit.

Kjo është arsyeja pse ky kushti nr.5 është kushti mbi të cilin do të kërkojnë llogari të gjithë në grupin e partisë sime: a është përmbushur plotësisht ky kusht?  Me fjalë të tjera: është në krye të listës sonë të përparësive!

Por, ndërkohë më duhet të shprehem se:

Kjo detyrë nuk është kryer në mënyrë të shpejtë dhe as nuk është kryer në mënyrë rigoroze.

Për të përmbushur këtë kusht ju duhet të përdorni institucionet më të mira të përshtatshme që keni.  Dhe ju i keni ato.  Ju lutemi përdorini ato!

Këto raste janë një provë e vërtetë nëse institucionet e drejtësisë të krijuara rishtazi funksionojnë siç duhet siç përcaktohet në kushtin Nr 6 të Bundestag-ut.

Zt, President!

Ju e dini se sa e vështirë ishte për të marrë mbështetjen e grupit të partisë time për mocionin e Bundestag-ut me 9 kushtet. Shumë prej tyre ishin kundër një vendimi pozitiv.

Në fund ne e morëm mbështetjen sepse deputetët në grupin e partisë time kanë besim tek anëtarët tanë që punojnë në fushën e politikës së jashtme dhe çështjeve evropiane dhe tek unë, që ne do të sigurojmë që të gjitha 9 kushtet të përmbushen plotësisht para se të japim dritën jeshile në Konferencat Ndërqeveritare.

Dhe unë e di se edhe njerëzit tuaj të mrekullueshëm gjithashtu kanë besim tek ne.

Kështu që unë mund t’ju bëj një premtim:

Në interes të perspektivës së vendit tuaj për në BE, për grupin e partisë sime, unë do të kontrolloj nëse 9 kushtet do të përmbushen ashtu siç thashë dhe do t’ju mbështes në këtë proces.

Prandaj do të bëj çmos për të siguruar që kjo të ndodhë para se të më duhet një ditë të lë si pensionist grupin e partisë sime!

Faleminderit shumë!

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura