(Mos) identifikimi dhe (mos) paralajmërimi në kohë i risqeve

Aug 4, 2020 | 11:57
SHPËRNDAJE

arben-malaj-1

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Vlerësimi i kompanive të ratingut/renditjes së vendeve në aftësinë e tyre për të marrë borxh me kosto sa më të ulët, ka rëndësi në dy aspekte.

E para, për politikëbërësit për të pasur një ekspertizë të thelluar, sidomos për risqet e padukshme, me të cilat mund të përballen vendet e tyre. E dyta, për kreditorët e huaj – për të ditur shkallën e riskut kur ata blejnë obligacione të shteteve apo financojnë kompani të ndryshme. Rregulli i artë – sa më i keq vlerësimi, aq më e shtrenjtë kostoja e huamarrjes. Së bashku me kompanitë ndërkombëtare të auditimit, kompanitë e ratingut kanë një rëndësi jo të vogël për: (i) të vlerësuar shëndetin e financave publike dhe kompanive huamarrëse; (ii) për të identifikuar dhe paralajmëruar risqet potenciale dhe (iii) për të rekomanduar politika antikrizë të suksesshme. Kompanitë e ratingut dhe të auditimit janë përballur jo rrallë me sfida jo të lehta të kredibilitetit të tyre. Pyetja që shtrohet nga ekspertët është nëse këto kompani ndihmojnë për të identifikuar dhe paralajmëruar në kohë risqet apo duhet të kuptojmë atë që ata kanë dashur të thonë në mënyrën më të vështirë për t’u kuptuar qartësisht.

Edhe këtë sfidë, që profesionalisht të jenë vetë formalisht, disa prej kompanive të ratingut dhe auditimit nuk e kanë kaluar lehtë. Një nga krizat e rënda ishte kur falimentoj një prej “Big five” të auditimit. Ishte kompania Arthur Andersen, e përfshirë në skandalin e kompanisë “Enron” në SHBA (https:// www.britannica.com/event/Enron-scandal). Ishin punonjësit e saj që kishin manipuluar bilancet e “Enron”, të cilët në momentin e parë të nisjes së hetimit ndaj tyre u kapën duke grirë/zhdukur CD dokument që vërtetonte mashtrimin e tyre. Si pasojë e këtij mashtrimi, “Enron” dhe kompania audituese “Arthur Andersen” falimentuan. Koston e mashtrimit dypalësh e paguan shumë rëndë qindra-mijëra aksionerë që humbën kursimet e jetës së tyre.

Në kulmin e krizës financiare globale 2008, jo pak kompani private që ishin audituar dhe rankuar pozitivisht, falimentuan. Kjo hapi një debat kritik sesi është e mundur që kompanitë që falimentuam kishin auditime dhe renditje të manipuluara? Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje Hollywood në filmin “Inside Job” (https://en.wikipedia.org/wiki/ Inside_Job_(2010_film).

Shqipëria, pas vitit 1990, është përfshirë për herë të parë në vlerësimin nga kompanitë e ratingut në vitin 2003, projekti është financuar 100 % nga UNDP. Ministria e Ekonomisë vlerësoi që edhe pse ishte shpejt për të dalë në tregjet e kapitaleve, në një periudhë të ardhshme Shqipëria do t’u drejtohej tregjeve të kapitaleve për financimin e borxhit dhe investimeve publike.

Në 2019, si anëtar i komitetit të Auditimit në Bankën e Shqipërisë, këmbëngula që kompanitë e auditimit të saj duhet të ishin më të qarta në gjetjet dhe rekomandimet e tyre, gjë që nuk u pranua lehtë nga kompania e auditimit. Këmbëngulja bazohej edhe në faktin që në auditimet e mëparshme, kompanitë audituese të BSH-së nuk kishin identifikuar dhe qartësuar në kohë risqet që sillte keqmenaxhimi i arkave të mbajtjes dhe përpunimit të fondeve, mangësi të cilat “lehtësuan” vjedhjen e 7.2 milionë eurove.

Për rëndësinë që kanë, sidomos (mos) identifikimi dhe (mos) paralajmërimi në kohë i risqeve potenciale, po analizoj momente lidhur me raportin e fundit të S&P.

1. Programi stimulues nuk rezulton i fortë, pasi parashikimet për rritjen ekonomike dhe borxhin publik nga periudha e nisjes së paketave “të forta” stimuluese”, deri tani janë në trend përkeqësues. Qeveria nuk ka arritur të bëjë efektive financimet e donatorëve bilateralë të konferencës për tërmetin e 26 nëntorit 2020.

2. Lidhur me vlerësimin për uljen e kredive të këqija, është profesionalisht e qartë se rënia kryesore e kredive të këqija ka ardhur nga pastrimi i tyre nga bilancet e bankave. Kostot e keqmenaxhimit dhe mbikëqyrjes së bankave tregtare janë financuar me paranë e lirë nga interesat e papaguara për depozituesit e vegjël. Këto të “ardhura të munguara” te depozituesit e vegjël kanë ushqyer rritjen e informalitetit dhe varfërisë. Shqipëria ka nevojë për një sistem bankar dinamik, konkurrues dhe të suksesshëm, duke kredituar më shumë ekonominë dhe duke përzgjedhur me mirë projektet konkurruese. Në rast të kundërt, rrezikohet rishfaqja e kredive problematike, jo vetëm për shkak të efekteve negative nga tërmeti dhe pandemia.

3. Konsolidimi fiskal i Shqipërisë nuk ka ardhur nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë dhe e të ardhurave, por nga shkurtimi i pastudiuar i shpenzimeve. Buxheti afatmesëm i Shqipërisë 2020-2027 nuk parashikon rritje të ardhurave as nga miradministrimi dhe as nga reduktimi i informalitetit. Konsolidimi nga shkurtimi i shpenzimeve, kryesisht i atyre për arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale është varfërues dhe nuk ushqen një perspektivë të qëndrueshme. Shqipëria, edhe sipas IFN-së, nuk ka hapësira për të shkurtuar shpenzimet sociale. Këtë e vërtetoi edhe kriza e pandemisë ku mbështetja buxhetore për shëndetësinë është shumë e vogël, edhe poshtë një niveli minimal të “mirëkuptueshëm” në kohë krize. Financimi nga donatorët gjatë krizës është një burim financimi jo i përhershëm.

4. Reduktimi i deficitit primar apo arritja e suficitit primar që nuk mbështeten te rritja graduale e të ardhurave dëmtojnë perspektivën afatgjatë të një rritje më të lartë, më të drejtë dhe të qëndrueshme. Kriza 2008 na mësoi se rritje nëpërmjet rritjes së borxheve të individëve, të biznesit dhe buxhetit, rezultojnë rritje varfëruese dhe ushqejnë krizat e ardhshme. Dhe jo vetëm rastet e Greqisë dhe të Italisë e konfirmojnë këtë.

5. Ndërsa S&P e vlerëson pozitivisht shkurtimin (e pastudiuar) të shpenzimeve, Banka Botërore e vlerëson këtë si një opsion varfërues dhe rekomandon ndërtimin dhe financimin e një sistemi më të drejtë dhe funksional të mbrojtjes sociale.

6. Vlerësimi për risqet e projekteve miliardadollarëshe të partneriteteve publike private preferenciale nuk del i qartë. Mungon një projeksion me disa skenarë i ecurisë së borxheve, i risqeve të ekonomisë shqiptare dhe i stabilitetit të financave publike me disa alternativa risku, nga më të voglat deri më kërcënueset, duke e shoqëruar me rekomandime për politika fiskale, monetare dhe reformat strukturore efektive. Me një eksperiencë 150-vjeçare dhe me njohjen e historive të krizave të borxheve të shume vendeve të tjera, S&P mund të bëhet i dobishëm kur jep rekomandime antikrize.

7. Shpesh, kompanitë e ratingut kanë përfshirë në vlerësimet e tyre ecurinë e vendeve përkatëse në procesin e integrimit europian. Në momentin aktual, maxhoranca e ka bllokuar çeljen e negociatave, ndërsa raporti i S&P – nuk ka asnjë vlerësim paralajmërues për kostot e këtij bllokimi apo ngadalësimi.

Ne duhet të mbajmë parasysh se Greqia e pagoi shumë keq përpunimin “shkencor” të statistikave të financave publike nga kompani konsulente që nuk e paralajmëruan në kohë për problemet e thella dhe risqet e rënda të ekonomisë dhe financave të saj publike. Atë që grekët e “përfituan” përkohësisht nga zbukurimi/ fshehja e problemeve konkrete, e paguan kur kriza financiare shpërtheu në formën e saj më të ashpër në 2008, ku papunësia për të rinjtë arriti 50% dhe kur grekët humbën rreth 1/3 e pasurisë së tyre. (Greece condemned for falsifying data. https://ww.ft.com/content/33b0a48c-ff7e11de-8f53-00144feabdc0 )

Prandaj, është koha që çdo vlerësim, edhe ndërkombëtar, ta lexojmë me përgjegjshmërinë e sfidave reale të vendit tonë, sfida të cilat shqiptarët i ndiejnë në jetën e përditshme.

* Ish-ministër i Financave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura