‘Mos e vrit mendjen’, përgjimet në qeli për vrasjet me pagesë që fundosën bandën e Tafilit

Jul 5, 2017 | 11:21
SHPËRNDAJE
Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje një dënim të ri me burgim të përjetshëm për Admir Tafilajn. Sipas Prokurorisë, gjatë kohës që ishte duke vuajtur një dënim të përjetshëm në qeli, Tafilaj ka drejtuar një grup të strukturuar kriminal, të angazhuar në vrasje me pagesë, në vitin 2014.
Admir Tafili
Admir Tafili
Në seancën e djeshme, prokurorët Besnik Muçi dhe Edvin Kondili i thanë trupit gjykues se nga shqyrtimi gjyqësor rezultuan të provuara akuzat e ngritura ndaj të pandehurve. “I pandehuri Admir Tafilaj ka porositur vrasjet, duke marrë përsipër dhe ndërmjetësimin për kryerjen e pagesës, i pandehuri Kristi Pine ka kryer ekzekutimin dhe i pandehuri Elson Merdani ka ndihmuar në kryerjen e këtyre veprave penale duke siguruar armë”, thuhej në pretencën e Prokurorisë.
Për të bashkëpandehurit e Tafilajt u kërkua një total me 131 vite burg. Kështu, dënim me burgim të përjetshëm u kërkua edhe për të pandehurin Kristi Pine. Ai i shpëtoi dënimit kapital për shkak të pendesës dhe bashkëpunimit me drejtësinë.
Përfundimisht, prokurorët kërkuan dënimin e tij me 10 vjet burg. Për të pandehurin Elson Merdani u kërkuan 35 vite burg dhe për të pandehurin Dritan Peksani 25 vite. Për të pandehurin Alfred Qefalia u kërkua dënim me 27 vite burg, ndërsa për të pandehurin Klajdi Shermadhi 21 vjet heqje lirie.
AKUZAT DHE KRIMET
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, rezultoi e provuar se të pandehurit Admir Tafilaj, Kristi Pine, Elson Merdani dhe Dritan Peksani, në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të “vrasjes me paramendim” të shtetasit Ibrahim Mani. Të pandehurit, Tafili, Pine, Ardian Ozuni, Alfred Qefalia dhe Klajdi Shermadhi në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë të shtetasit Edmond Çakmashi në 5 shtator 2014.
Të pandehurit Tafili, Pine, Aleksandër Gora, Merdani kanë kryer veprën penale të “sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të Leonard Muratit, në tetor-nëntor 2014. Të pandehurit Kristi Pine, Fatos Koka, Merdani dhe Albano Beqiraj, në bashkëpunim kanë kryer veprën penale të “sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” të Majlind Lilës.
Po ashtu, të pandehurit Pine, Tafilaj, Qefalia dhe Ozuni kanë konsumuar veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, ndërsa i pandehuri Dhimitër Zito veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Po ashtu, Tafili, Pine dhe Merdani akuzoheshin edhe për “krijim të grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
PSE U VRA BRAHIM MANI
Nga hetimi gjyqësor rezultoi e provuar se të pandehurit Kristi Pine, Admir Tafilaj, Elson Merdani dhe Ditan Peksani në 25.06.2014 në qytetin e Shkodrës kanë ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Ibrahim Mani. Në pretencën përfaqësuesit e akuzës, theksuan dy mundë- si si motiv të vrasjes së të moshuarit në Shkodër.
Nga hetimi dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motiv hakmarrje mes fiseve Mani dhe Prroni nga Shkodra, pasi Brahim Mani ka qenë në hasmëri me familjen Prroni nga fshati Oblikë, e nisur në vitin 1993. Po ashtu, shprehej Prokuroria në pretencë, vrasja mund të jetë kryer dhe për shkak të faktit se i dënuari Admir Tafilaj ka pasur dyshime se shtetasi Ibrahim Mani mund të ketë dhënë informacione te shtetas të tjerë, me të cilët Admiri dhe familja e tij kanë hasmëri. I pandehuri Tafilaj ka porositur Kristi Pinen për të realizuar vrasjen e Brahim Manit, i cili është vrarë në 25.06.2014.
PER MURATIN
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda rreth muajit tetor 2014 të pandehurit Kristi Pine, Aleksandër Gora dhe Admir Tafilaj, në bashkëpunim midis tyre dhe në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar, banues në Durrës, kanë përgatitur kushtet për vrasjen e shtetasit Leonard Muratit në Durrës.
Nga hetimi ka rezultuar se Admir Tafilaj i ka kërkuar Kristi Pines të takohet me të pandehurin Gora dhe pasi janë takuar, ky i fundit i ka propozuar të vrasë një biznesmen nga Durrësi të quajtur Leonard Murati. Për vrasjen e tij ofrohej shuma 50 mijë euro dhe nëse vriste edhe nipin do të paguante 100 mijë euro. Këtë porosi e ka marrë Admir Tafilaj nga persona ende të paidentifikuar. I penduari, Pine, ka pretenduar se vrasja e Murtit nuk është kryer prej tij, por nga dy persona të tjerë. “Pavarësisht se kjo vrasje nuk është kryer nga Kristi Pine, i dënuari Tafilaj ka marrë një shumë prej 25 mijë euro, shumë të cilën e ka marrë shtetasi Elson Merdani, prej të cilave i ka dhënë Kristit 3 mijë euro”, thuhej në pretencë.
Anetaret e grupit te vrasesve me pagese

PERGJIMI NE QELI

Sipas Prokurorisë, përgatitjet për kryerjen e vrasjes së Leonard Muratit provohet dhe nga një bisedë telefonike të datës 31 tetor 2014 mes Kristi Pines dhe Admir Tafilajt, i cili ndodhej në qeli. Telefonata është kryer përmes telefonit që përdorej nga A. B., i cili thirrej nga Tafili me emrin “Xhike”.

Biseda bën fjalë për sigurimin e armëve dhe motoçikletës që do të përdorej nga Kristi Pine për të realizuar vrasjen e Leonard Muratit. Konkretisht, në mënyrë të koduar i shpjegon se kishte marrë dy armë dhe motorin, dhe detajin tjetër që për armën tip “Skorpion”, Klajdi nga Durrësi nuk i kishte siguruar ende fishek- ët, që ishin të kalibrit 7.65. Biseda ka këtë përmbajtje:

Xhiku: Hë mir ca bone.

Tafilaj: Ca bone ti?

Xhiku: Hiç sa erdha këtu të lokali

Tafilaj: Ku osht ai.

Xhiku : Këtu osht.

Tafilaj: Ma jep pak.

Kristi: Hë mor vëllai.

Tafili: Hë ca je tu bo.

Kristi: Hic rehat, rrim qetesi.

Tafili: Mirë.

Kristi: Mir mor mir, ka ngel për një gjo të vogël dhe në rregull të gjitha.

Tafili: Ca ka ai që ka ngel.

Kristi: Këshu mor burrë karamele 7.65 do munohet vetë me i gjet, kaq. Vetëm për ata ka ngel, Aifon katërta osht taman, kurse Aifon pesa nuk osht tamam. Vetëm ajo mungon. Karikusi tamom.

Tafili: Po ka ai mor vëlla.

Kristi: Kush?

Tafili: Miri.

Kristi: Jo jo i ka 7.62-sh, të dy Aifonet i kam këtu me vete, i kam marrë una ishin gati. Nesër iki atje una prap. Do iki vonë në darket, që të marr dhe atë makinën.

Tafili: A e kishin marre atë.

Kristi: Po po në rregull të gjitha. Ti ca je tu bo mir ke qenë.

Tafili: Mir krejt.

Kristi: Hajde vëlla mos u mërzit ore.

Tafili: A ke mësu me i dhonë makinës.

Kristi: Makinës nuk kam mësu me i dhonë fare, s’ma ka mësu Xhiku.

Tafili: Po motorrit ?

Kristi: Po pra motorrit di un, “Skuter” se këshu me marsha sdi.

Tafili: A e kanë marrë jashu ata.

Kristi: Po ashu si i thash una, nuk bohet llaf.

Tafili: Dhe unë ashtu i pata çu fjalë.

Kristi: Në rregull janë të gjitha or vëlla mos e vrit menjen ti. Vetëm ato mungojnë…

Tafili: Po mir.

Kristi: Hajde vëlla mos u bej merak për 3-4 ditë besoj se jena në rregull, më kupton, hajde vëlla im ja kalofsh mirë

PRETENCA

Admir Tafilaj burg përjetë

Kristi Pine 10 vjet burg

Elson Merdani 35 vjet burg

Dritan Peksani 25 vjet burg

Alfred Qefalia 27 vjet burg

Klajdi Shermadhi 21 vjet burg

Aleksandër Gora 5 vjet burg

Fatos Koka 3 vjet burg

Albano Beqira 3 vjet burg

Dhimitër Zito 2 vjet burg

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura