“Mos dëgjo çfarë të thonë këta që të krehin bishtin, unë të them të vërtetën rreth…”/ Kur pioneri i mjekësisë moderne shqiptare “sfidonte” përballë Enver Hoxhën

Apr 23, 2020 | 17:37
SHPËRNDAJE

Në Korçë e njohin edhe sot si doktori duarartë. Kjo është historia e jashtëzakonshme e doktor Sotir Polenës, i cili u spikat nga eminencat e mjekësisë europiane për profesionalizmin e lartë në kirurgji dhe obstetri.

polena-768x433

Mjeku engjëll me këmishë të bardhë shpëtoi qindra jetë shqiptarësh duke krye operacione që edhe sot konsiderohen të vështira. Jeta iu ndërpre për shkak të një incidenti me bisturi në sallën e operacionit.

 

Në afërsi të kinemasë verore në qendër të Korçës, në këtë ndërtesë dominuese e me stil eklektik jeton familja Polena. Historia e jashtëzakonshme e familjes Polena është shkruar nga mjekë të shquar që jetuan e punuan që nga gjysma e dytë e shekullit të XIX dhe vazhdon akoma sot prej 4 brezash apo 140 vitesh.

Ndër ta është pioneri i mjekësisë moderne shqiptare, doktor Sotir Polena. Nuk ka njeri në Korçë sot që mos të ketë dëgjuar për historinë e tij.Për me shume se 80 vjet kjo ndërtesë, dikur klinika e parë shqiptare rrethohej nga pacientë që udhëtonin nga çdo cep i Shqipërisë për tu mjekuar apo operuar nga dora e doktor Sotirit. Emri i mjekut të dashur korçar ishte kthyer për shqiptarët në simbol shprese, shërimi dhe lehtësim i dhimbjeve. Sot në këtë banesë jetojnë pasardhësit e doktor Sotir Polenës. Aty na pret mjeku Adhon Polena, biri i tij, sot në pension.
75-vjeçari e ka të vështirë të na rrëfëje gjithë historinë e krenarisë por dhe te dhimbjes se dinastisë familjare
“Është shume e vështire në një interviste të vetme të përshkruash një rruge kaq të gjatë, është një rrugë 140 vjeçare që vijon…”,-shprehet ai.

Rrëfimin e nis nga gjyshi i tij Kostandin Polena, mjek i shquar të cilit iu dha e drejta nga Perandoria Osmane ta ushtronte profesionin në çdo cep të saj. Ai zgjodhi të ishte kirurgu i parë obstetër në Korçë në spitalin e hapur nga amerikanët në vitin 1916. Jeta e doktor Kostandinit ishte mbushur me tragjedi të paimagjinueshme familjare. Nga tetë fëmijë vetëm dy i jetuan, Nikoja dhe Sotiri. Dhimbja e vuri përfund kur edhe Nikoja 30 vjeçar edhe ai mjek pasi u kthye nga Shtetet e Bashkuara u mbyt me të fejuarën 19 vjeçare Julian në liqenin e Ohrit. Fëmija i vetëm që e gëzonte ishte Sotiri.

“I’u dha e drejta e ushtrimit të profesionit në gjithë Perandorinë Osmane në degën e kirurgjisë dhe obstretisë, u kthye në Korçe ku u martua dhe lindën tetë fëmijë. Kostandini vazhdoi punën si mjek këtu në Korçë. Hapi klinikën e parë në vitin 1889. Kryente të gjitha llojet e operacioneve qoftë kirurgjikale, obstretikale operonte sytë, hiqte perdet e syve. Po kështu edhe në patologji. Patën shumë fatkeqesi. Nga tetë fëmijë mbeti vetëm me një fëmije. Humbja e tetë fëmijëve ndodhi në moshë të re, nga 6 vjeç dëri në 30 vjeç. Dy vajza i kanë vdekur brenda një dite, Ishin 6 dhe 8 vjeç. Një djalë humbi jetën kur ishte 17 vjeç, ndërsa një djalë tjetër ia helmuan turqit kur ishte 21 vjeç, kur ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasi kishte mbaruar studimet në universitetin e Harvardit.

Humbi një vajzë tjetër 19 vjeç dhe vdekja e fundit ajo që e tronditi më shumë ishte vdekja aksidentale e djalit tjetër Niko Polena. Pastaj ndodhi një tragjedi e madhe, në Shën Naum, ishin mbledhur shumë intelektualë, ishte elita e Korçës, konsuj të ndryshëm ishte dhe Niko më të fejuarën e tij 19 vjeçare. Fatkeqësisht atje u batua varka dhe ranë të gjithë në liqen. Atje u mbytën nëntë veta, xhaxhai im Niko me gjithë të fejuarën, konsulli serb më të gjithë të shoqen, konsulli grekë me gjithë të shoqen dhe dy marinarët serb. I sollën këtu u bë varrimi, çfarë të të thëm, ishte mars 1930. Në këtë kohë gjyshi mbeti vetëm me të shoqen ishte 75 vjeç, aq sa jam unë sot”,-thotë 75 vjeçari.

Adhon Polena shkëputet nga tragjeditë që kanë ndjekur gjyshin e tij dhe flet për studimet brilante të babait të tij Sotirit në Gjermani.

I diplomuar me nderimet më të larta dhe me mentor shkencëtare të laureuar më pas me çmimin NOBEL, ai spikati me talentin e tij në fushën e kirurgjisë dhe obstetrisë në Europë kudo qe ushtroi profesionin.

“Doktor Polena mbaroi gjimnazin grek në Korçë, në 1922 ishte në Follorinë, studio atje dy simestra dhe u largua të studionte në Gjermani në Mynih, në universitetin e mjekësisë. Kreu studimet në vitin 1927 përfundoi provimet dhe më pas mbroi tezën për e tij të doktoraturës, në klinikën e mjekut Staverbuk që ka fituar edhe çmimin Nobel. Ata kanë qenë profesorë me emër, ishin shkencëtare të mirëfilltë. Doktoratura e tij ishte diplomë më lavdërime më të larta, kjo diplomë të haptë dyert në gjithë botën. Mbrojtjen e doktoraturës e bëri nën udhëheqjen e profesoit Heker, ishte kryekirurg. Tema e tezës së tij përshtatej me kirurgjinë, shkruajti edhe një libër u botua nën kujdesin e ministrisë së shëndetësisë në 1928. Më pas kaloi në Shtutgard, më pas ai u emërua si asistent i brendshëm në spitalin kirurgjikal. Por ai u kthye në Korçë”,-thotë Adhoni Polena.

Por thonë se balta është më e ëmbël se mjalta. Ndaj mjeku 28-vjeçar papritur vendos kthehet në vendlindje për t’i shërbyer popullit të tij.

Eminencat e mjekësisë europiane e kishin vendosur emrin e tij në manualet e mjekësisë për realizimin e operacioneve të vështira, të pamundura për kohen. Sotir Polena ishte mbuluar në atë kohe nga ofertat e punës për të punuar madje edhe në klinikat mjeksësore të Rokfelërëve të pasur në Amerikën e largët.

“Nuk e di cfarë i bënte që të ktheheshin në Shqipëri, kishin një ndjenjë patriotizmi shumë të theksuar, ishte periudha e mbretërisë e mbretit Zog. Edhe xhaxhai im Niko atëherë, ishte mes Amerikës dhe kujtonte rrugicat me baltë të Korçës. Gjyshi im ishte në mes të Athinës, mund të punonte në gjithë Perandorinë Osmane, por gjithë karrierën e tij e zhvilloi në Korçë. Babai kishte oferta për të qëndruar në Gjermani, profesori i tij gjerman i cili i udhëhoqi temën e doktoratures i propozoi që të punonin së bashku. E dyta, një tjetër mjek shefi i kirurgjisë në Shtutgard i propozoi të qëndronte mjek kirurg duke parë talentin e tij.

Një mjek grek i propozoi që të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të drejtonte një nga klinikat e Rokfelerit në atë kohë. Nga Greqia iu kërkua të punonte si mjek në Athinë. Sotiri asnjë nuk pranoi nga gjithë këto oferta që i propozuan. Ai u kthye në Korçë”.

I biri Adhoni thotë me siguri se natyra e babait të tij nuk ishte për jetë tipike akademike. Ai e donte jetën në emër të jetës! Me kthimin në Korçë mjeku i ri filloi të shkruante historinë e tij si ndër pionerët e mjekësisë moderne shqiptare.

“Donte macet, qentë ishte njeri i apasionuar pas gjithçkaje, një jetë akademike nuk mund t’i japë këto. Ai vijoi punën në Korçë, paraqiti dokumentet për të ushtruar profesionin këtu, se nuk do të thotë gjë që po të diplomoheshe jashtë në atë kohë e të filloje direkt. Jo, jo nuk të linte njeri ashtu! Në atë kohe ministër i shëndetësisë ka qenë Refat Frashëri, duhet të ekzaminoheshin gjithë dokumentacionet dhe pastaj të jepej e drejta e ushtrimit të profesionit. Fillimisht 2-3 vjet ka punuar si mjek privat, pastaj në gusht të 1933 nisi në spitalin e shtetit në Korçë”

Pas tërmetit shkatërrimtar të vitin 1931, doktor Sotiri punoi me mish e shpirt dhe ndërtoi klinikën e parë në vend. I biri me detaje tregon sa moderne ishte ajo për kohën.

“Ai punonte me mish e me shpirt për popullin. Punonte pa u lodhur, punonte me një profesionalizëm të shkëlqyer. Prandaj mori famë. Në Korçë ai u emërua operator i spitalit të shtetit. Drejtori i spitalit të Korçës në atë kohë vuri re dhe e mori mjek. Filloi punë si kirurg dhe obstetër gjinekolog. Atëherë kirurgët i bënin të gjitha punët.

Përpara se të fillonte në spitalin e shtetit, ai ndërtoi klinikën. Pasi i ndërroi jetë i ati në vitin dhjetor të vitit 1930. Në 14 janar 1931 këtu në Korçë ra tërmet i fuqishëm.

U rrëzua edhe kisha e Shën Sotirit këtu pranë. Madje ai personi që punonte atje e zunë rrënojat e kishës por nuk vdiq. Pasi ra tërmetit, Sotiri ndërtoi disa barraka ai ndërtoi edhe një klinikë. Gjatë kësaj kohe ai ndërtoi këtë pjesën mbrapa e kompletoi.

Është ndër të parat shtëpi të ndërtuar me beton, babai im e projektoi vetë këtë klinikë, përbëhej nga biblioteka, dhoma e vizitave, laboratori, dhoma e sterilizimit, salla e operacionit dhe dhoma post operatore.

Ishin edhe dy dhoma me dhjetë shtretër në total për pacientët. Përpara sallës ishte dhe farmacia. Ishte një korridor I madh ku prisnin pacientët për vizitë dhe vendi ku qëndronte portieri. Se nuk të linte njeri ashtu. Kishte rregulla e ligje atëherë, nuk të linte njeri që mos të zbatoje ligjet. Jo si tani, futesh i paidentifikuar. Ishin edhe dhomat poshtë dhe kjo dhomë që u ndërtua fillimisht. Këtu kanë lindur edhe dy motrat binjake dhe vëllai i madh. Dhomat ishin ndërtua me soleta të shtruara, me pllaka shumë të bukura. Cdo dhomë ishte pajisur me zile telefoni. Ja si tek kjo dhoma mund ta shikosh vendin ku ishin, zile telefon dhe prizë.

Në korridor ishte një tabele e madhe, çdo pacientë I binte ziles dhe dilte numri i shtratit në koridor. Kishte dhe çentral telefonik brenda në shtëpi. Ishte një klinikë moderne për atë kohë. Se sot thotë hajde në klinikë, nuk janë klinika këto, janë kabinete por jo klinika. Fjala klinikë vjen nga kline do të thotë shtrat pra një ambient shëndetësor i pajisur me shtretër. Klinika e babait tim kishte edhe laborator klinik brenda, bëheshin analizat e gjakut, ishte e kompletuar shumë mirë për kohë, ishte e para klinike në Shqipëri. Në vitin 1935 u hap klinka e dytë ku sot është ajo që quhet “Shtëpia me gjethe” në Tiranë. Klinika u hap nga mjeku Jani Basho, ai ishte një mjek i shkëlqyer, ishin njëri më i mirë se tjetëri në atë kohë”.

Doktor Adhoni tregon se babai i tij gjatë luftës së dytë botërore Sotiri ka shpëtuar shumë partizanë nga pushkatimi i sigurt, madje ai ka dëgjuar të thuhej se Sotiri ka shpëtuar edhe Korçën nga shkaterrimi i nazistëve.

Kurrë nuk bëri dallim mes të sëmureve, nuk kishte rëndësi nëse pacienti ishte një partizan, një ballist apo nazist. Sotir Polena kishtë bërë betimin e Hipokratit dhe tek ky betim poltika nuk hynte fare.

“Ai ka sakrifikuar jetën e tij për të shpëtuar të tjerët në Kohen e LIIB. Shumë partizanë në Korçë i merrnin nazistët për t’i pushkatuar. Jo thoshte doktor Sotiri, ata nuk kanë asnjë faj. U dilte garant partizanëve. Ata shpëtonin nga pushkatimi. Në një artikull shkruhej se mjeku Polena në Korçë, i aftë i shkolluar në Greqi dhe Gjermani e ka mirë edhe me partizanët dhe gjermanët. Besohet se ka shpëtuar Korçën nga zjarri. . Ishte e vërtetë kjo. Do ta digjnin gjermanët! Gjermanët thoshnin ne luftojmë me trupat e bijëve tanë, për një gjermanë do vrasim 100. Sotiri i porositi komunistët të bënin kujdes. Korça mund të digjej vërtetë” .

Mjeku me duart e rrufeshme, ky ishte epiteti që e shoqeroi gjatë gjithe jetes doktor Polenen.

Nuk tha kurrë u lodha, ishtë gjithmonë në çdo orë të ditës dhe natës në shërbim të pacientëve madje portieri i spitalit shpesh mendonte se doktori flinte i veshur dhe me kravatë.

Për 23 vjet rresht punoi si drejtor i spitalit të Korçës njëkohësisht ishte kirurgu numër një i saj. I biri thotë ai babai ka kryer gjatë gjithë karrieres 40.000 ndërhyrje. Emri i tij shumë shpejt nisi të përhapej në të gjitha anët e vendit. Sotir Polena arriti të realizonte operacione gati të pamundura për kohën, ndoshta po kaq të vështira edhe për kohët e sotme.

“Babai im ishte drejtori më jetëgjatë i spitalit të Korçës. Qëndroi në këtë detyrë 23 vjet. Deri në 1962 kur doli në pension. Më pas deri në 1966 ishte shefi i kirurgjisë në Korçë. Gjithësej kishte kryer 40.000 ndërhyrje kirurgjikale. Ai ishte optimist, kishte temperament të veçantë. Ishte djalë guximtar optimist, entuziast, I kapur nga një perëndi ky është kuptimi i fjalës entuziast. Në karakterin e tij ishin ndërthurur karakteristikat e mjekut, kishte harmonizuar inteligjencën, kulturën e thellë e gjithanshme, teknika e përsosur kirurgjikale por ai kishtë një shpirt të madh dhe human. Është vlerësuar gjatë gjithë kohës. Ka aplikuar kirurgjinë në të gjithë degët dhe nëndegët e saj, është konsultuar me gjithë pionerët e kirurgjisë moderne në Shqipëri. Ka kryer operacione që edhe në kohën e sotme nuk bëhen.

Një pjesë e operacioneve të rëndësishme mban vulën e tij. Ka aplikuar në të gjitha specialitetet e mjekësisë. Por ai krijoi një armatë infermierësh që kanë punuar më përkushtim të lartë në gjithë vendin, ka përgatitur edhe profesor Koço Gliozhenin etj. Por karakteristika e tij ishte se ishte i gatshëm në cdo rast dhe cdo çast nuk tha kurre u lodha! Ne mes të natës ai ishte gati kur e kërkonin. Ishte gjithmonë në gadishmëri. Fitoi respektin e popullit. Thërritej edhe 2 ose 3 herë gjatë një nate edhe kravatën e lidhte tek dera duke ikur, portieri i spitalit thoshte me humor nuk ka mundësi, doktor Polena fle veshur. Babai shkonte në spital më herët se vetë portieri madje”.

Pajisjet mjeksore qe përdorte doktor Sotiri, i biri 75 vjecar i ruan ende si syte e ballit. Me krenari shpjegon funksionet që kanë pasur dikur. Dëshira e tij është që të krijojë një muze te vogel të mirëfilltë por mundësite nuk jane ende.

Talenti i Sotir Polenes spikati në neurologji, në qepjen e venave, tek ortopedia e deri tek ndërhyrjet e guximshme maksilofaciale dhe gjinekologjike.

Dr. Polena arriti gjithçka jo vetëm se ishte një perfeksionist por edhe se kishte një zemër të madhe.

Për të ishin të gjithë të barabartë nga kopshtari deri tek burrat e shtetit. Enver Hoxha ishte një nga ata persona të cilit i thoshte gjithmonë atë që mendonte. E kishte njohur Hoxhën kur ishte mësues në Liceun e Korçës por një ditë marsi në vitin 1957 diktatori e vizitoi personalisht në këtë dhomë dhe i kërkoi diçka të pazakontë…

“Në mars të vitit 1957 në këtë dhomë ka ardhur, Enver Hoxha me Liri Belishovën. Një episod interesant do ta tregoj. Mamaja ime kur erdhi Enveri në shtepi kafen e bëri tek dhoma e pritjes në syrin e tij edhe pse hasi me habinë e Hoxhës. Madje kafen e parë ia dha babait Sotirit. Mes babit tim Sotirit dhe Enver Hoxhës u zhvillua një bisedë interesante. Enveri pyeti babain: përse nuk bëhesh komunist? Babai i’u përgjigj se “Kanë kaluar 13 vjet që është çliruar vendi, mos dëgjo çfarë të thonë këta që të krehin bishtin, unë do të them të vërtetën. Populli po vuan. Nuk po bëhen ato gjera që kemi diskutuan të dy kur ishim të rinj vite më parë kur ishim të rinj. Për këtë arsye nuk mund të bëhem komunist! Enver Hoxha iu ktheu: ti je mjek, unë jam politikan.

Për këtë ke të drejtë, se mjekësia ka të drejtë të shërojë njerëz, kurse poltika të detyron edhe të vrasësh. Enveri nuk ia merrte për keq, ata llafoseshin “zhveshur”. Babai atë që kishte e thoshte drejtë, e kishte pjesë të karakterit, nuk lëkundej kurrë, por Enver Hoxha nuk ia merrte për keq. Ai e njihte. Enveri i tha më tej “mirë komunist nuk do të bëhesh, e kuptova, por unë dua që ti të bëhesh deputet!” Ishte një periudhë në atë kohë që këta intelektualët të cilët kishin studiuar në perëndim kanë qenë gjithmonë në survejim. Edhe babai im ka qenë në survejim nga Sigurimi i Shtetit. I kanë bërë shumë provokacione. Babai duhej që për hir të poltikës të zbutej pak, shumë deputetë ishin nga radhët e intelektualëve midis tyre ishte dhe babai im. Ai qëndroi deputet vetëm 4 vjet vetëm një legjislaturë Nga viti 1958 deri në vitin 1962”.

Pakush e di se kjo banesë nuk ka qenë vetëm klinika më e famshme e Shqipërisë por pas vdekjes së tij, edhe një shesh xhirimi e Kinostudios. Një fakt tjetër interesant është se doktor Sotir Polena është mishëruar në personazhin e doktorit në filmin “I teti në bronz”

“Ky film në fakt I është kushtuar Fuat Babanit, ai që ishte I teti në bronx. Por midis atyre një nga personazhet kryesor ishte Kristo Borova pra babai im Sotir Polena, Në peridhën e luftës ishte plotë klinka me partizanë. Këtu i vinte në allçi babai që mos të njiheshin, këtu më duket ka qenë edhe Fuat Babani u shtrua dhe ai kishte një këmbë të thyer e të plagosur u mjekua këtu, është ngjarje e vërtetë. Pastaj skenari u zbukurua nga Dritëro Agolli. Këtu janë xhiruar disa filma shqiptarë. Kam sakrifikuar shumë për Kinostudion, u rregulloja ambientin. Ata u miqësuan me mua, ju kam dhënë shumë”.

Gjatë kohës që Sotir Polena punonte me bisturi, preu ne nje moment dorën e tij. Ajo prerje së cilës nuk I dha rëndësinë e duhur iu shndërrua në plagë. I dhënë gjithnjë pas pacientëve të vet, e harroi veten ndërsa ditët kalonin. Vetëm dy vjet më vonë ai u nis drejt spitalit universitar te Vjenës në për të kuruar plagën e bisturisë.

Mjekët austriake u kujdesën për të, bënë të pamundurën, por kirurgu shqiptar nuk mundi të mbijetonte. Kirurgu qe kishte shpëtuar jetën e mijëra shiqptarëve, nuk mund të shpëtonte dot jetën e tij!Sotir Polena nderroi jete në spitalin Universitar të Vjenës më tre korrik të vitit 1967 pa mbushur 65 vjeç.

Kirurgu me duart e rrufeshme ia trashëgoi profesionin fisnik tre fëmijëve të tij e me pas mbesave dhe nipërve. Mesa duket familja e Doktor Polenës nuk do të rreshti kurrë së nxjerri doktorë brez pas brezi gjithmone në shërbim të njerëzve

“Kur vdiq la pas gruan e tij, 6 fëmijë, tre prej të cileve u bënë mjek, të tjerët u bënë arsimtare. La 10 mbesa e nipër 3 prej te cileve u bene mjekë. Në familjen time ka qenë e panderprerë linja e mjekësve. Edhe une mjek jam…”
Ky ishte Doktor Polena, qe nuk pati kohe te clodhej por gjith jeten e kaloi duke punuar per te mirën e njerzve.
Letra e cila ju gjet në xhaketë, në kthimin e trupit të pajetë nga Vjena, citonte rreshtat e fundit të shkruara prej tij, nga filozofi indian Tagore:-Fjeta dhe enderrova qe jeta eshte gezim, u zgjova dhe pashë që jeta është detyre, veprova sipas kësaj dhe nxora si përfundim se detyra është gëzim!

C’pati në dorë e bëri, pa kursim i derdhi energjite e tij per Korçen dhe për mijëra pacientë.

Funerali i tij ishte madheshtor para pallatit të kulturës. Korça e përlotur mori pjesë në atë ceremoni të përmortshme. Ajo përcillte mjekun human bujar e të pa kursyer. Mbi arkmortine e tij ishin vendosur katër urdherat e punës, diplomat, medaljet dhe dekoratat që rrezatonin tek syte e mallëngjyer të mijëra bashkeqytetareve. Korça mburrej me të, ai krenohej për Korçën . Vallë a nuk ishte ky fillimi i rrugës drejt pavdekësise për mjekun human Sotir Polena? A mund të harrohet ai?

/BalkanWeb/

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura