“Mos bëni cicla micla- Spiun”/ Zbardhet debati, PS i ndalon Tufës studimin e Luftës së LANÇ: Ndihem kristal, por problemi është…

Jul 17, 2019 | 12:13
SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Partia Socialiste ka miratuar propozimin e deputetit Spartak Braho, duke i hequr të drejtën Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit të drejtuar nga Agron Tufa të hetojë krimet e periudhës së Luftës para vendosjes së regjimit komunist.

Me forcën e kartonit, socialistët vendosën që ky institut të shqyrtojë vetëm dokumentet nga 29 nëntor 1944 deri në 1990. Sipas deputetëve të maxhorancës, përmes librave të botuar nga anëtarë të institutit, janë bërë kriminelë partizanët që dhanë jetën e tyre për Shqipërinë. Kundër këtij vendimi u shprehën deputetët e opozitës dhe vetë drejtuesit i institutit, Agron Tufa.agron tufa

Deputeti Myslym Murrizi kërkoi që në ligj të përcaktohet verifikimi i lidhjeve me ish-regjimin komunist dhe Sigurimin e Shtetit për çdo përfaqësues të Parlamentit. Murrizi kujtoi se pas miratimit të ligjit, vetëm 8 deputetë me vullnet të lirë e kanë bërë këtë verifikim. Maxhoranca u tërhoq pas debateve në komision nga pajisja e anëtarëve të institutit të Agron Tufës me certifikata sigurie.

DEBATI NË KOMISIONIN E LIGJEVE

Myslym Murrizi: Tetë deputetë kanë guxuar të shkojnë tek Autoriteti i Dosjeve që kanë qenë apo jo këlysh të Sigurimit të Shtetit. Përse nuk shkoni ju tjerët? Aty e keni Genta Sulën, po ju pret krahëhapur. A kanë këllqe spiunët të shkojnë? Naftën jua paguaj unë, 2 mijë lekë të vjetër për letër ju jap unë. Shkoni dot? Brrylin shkoni. A ka njerëz këtu nga DSIK? Si mund të besoj unë që certifikatën e sigurisë në DSIK do ta japë Mark Ndreca, që ka qenë 11 vjet oficer Sigurimi. Apo do ta japi Agim Cani ish-oficer Sigurimi që punon atje. Keni mend apo jo? Do t’i japim moral ligjit? Për kartonë thoni ju? Po ka tërmet këtu sa të duash (i drejtohet Gjiknurit), keni vota ju sa të duash. Unë për këtë kam ardhur. S’kam ardhur për Agron Tufën se ai është i zoti i vetes. Edhe po nuk punoi këtu, do të punojë diku tjetër. Por që të ketë certifikatë sigurie. Sa veta kanë këtu kryetar certifikatë sigurie?

Ulsi Manja: Të gjithë kanë.

Myslim Murrizi: Nga i gjithë Parlamenti, 31 deputetë kanë certifikatë sigurie. Ti i kërkon shoferit të Agron Tufës certifikatë sigurie, kur s’e kanë 120 deputetë. Kjo është hipokrizi. Ore, kaq rehat jeni ju? Keni marrë nismë për shkarkimin e Metës. Sot keni marrë nismë për shkarkimin e Malajt. Kaq rehat qenka ky komision sa seancën e fundit ta bëjë që të heqë këtë robin (Agron Tufa) nga puna? Shkruaje këtë ligj kryetar, bëjeni se edhe ti s’ke konflikt, se s’ke qenë spiun.

Ulsi Manja: Mua nuk më korrespondon mosha.

Myslym Murrizi: S’ka lidhje mosha se edhe Jari 16 vjeç ishte, por ishte ‘Venusi’. Bëjeni këtë ligj për politikën. Mos bëni cicla micla

Ulsi Manja: Ne këtu s’jemi për z.Tufa. Por që të mos baltoset me ligj një periudhë shumë e ndritur. Nëse z.Tufa dhe instituti i tij do ta bëjnë si duhet detyrën për të studiuar periudhën e komunizmit 1944-1990, bashkëpunëtorët e Sigurimit do të ishin me emra dhe mbiemra dhe jo në administratë. Por po u more me partizanët që kanë derdhur gjakun për këtë vend dhe të shkruash libra dhe të bësh kriminelë partizanët. Prandaj ka spiunë në administratë.

Adriatik Alimadhi: Do doja të mos i prekim shumë familjet që janë pushkatuar gjatë sistemit komunist, por edhe pasi u krijua partia kriminale komuniste. Në arkivin e shtetit keni të gjitha krimet që kanë bërë kriminelët komunistë dhe kriminelët partizanë. Ju nuk e doni këtë periudhë sepse e vërteta tashmë ka filluar të flasë. Mua më ndan me ju bota njerëzore që përfaqësoni. Kush është Partia Komuniste? A vini ju prej saj apo jeni shkëputur? Çfarë të keqe ka të hetohet kjo periudhë? Unë jam ballist. Kam marrë të gjitha poshtërsitë: tradhtar, bashkëpunëtor, na kanë vrarë, pushkatuar, burgosur. Çfarë të keqe ka të dalë e vërteta? Herët apo vonë, shqiptarët do ta marrin vesh. Instituti i zotërisë ka nxjerrë disa krime të komunistëve dhe kjo ju djeg shumë juve.

Ulsi Manja: Të bëj si të dojë, por jo me lekët e shtetit.

Adriatik Alimadhi: Ore, ju e kuptoni ç’keni bërë? Keni vrarë ajkën e patriotizmit shqiptar. Jeni krenarë ju për vrasjet?

Alket Hyseni: Tradhtarin e vret ligji, s’e vrasim ne. Edhe sot kështu është.

Ulsi Manja: Kush është me propozimin e z.Alimadhi? Nuk miratohet.

Adriatik Alimadhi: Ngelët te Sparaku edhe ju…

Spartak Braho: Kujdes kur më drejtohesh mua.

Adriatik Alimadhi:Pse kujdes? Pse ka problem?

Spartak Braho: Kaq po të them. Korab Lita: Unë do të kërkoja që maxhoranca të tërhiqej nga propozimi për pajisjen me certifikatë sigurie të institutit. Ata janë një institut studimor, ndaj edhe e shoh të panevojshme

Ulsi Manja: Kam një pyetje, si veproni në praktikën tuaj për marrjen e dokumenteve?

Agron Tufa: Është një qasje e jashtëligjshme për të vendosur këtë kusht total deri te pajisja e shoferit me certifikatë sigurie. Ne nuk kërkojmë informacion të klasifikuar si sekret shtetëror. Po deshët bëjeni për të gjithë administratën këtë kriter dhe ne jemi dakord. Këtë detyrim s’e ka SHISH, s’e ka Autoriteti i Dosjeve, s’e kanë Forcat e Armatosura dhe këta e kërkojnë te ne. Unë vetë jam dakord, personalisht ndihem kristal, por problemi është cilat duar na e shërbejnë atë.

Bashkim Fino: Mendoj se kur instituti bën studime për materiale të paklasifikuara. Unë do bëja një propozim që të hiqet certifikata e DSIK-ut. Duke hequr këtë fjalën bëjmë shumë mirë.

Spartak Braho: Unë jam dakord që të hiqet. Duhet të keni parasysh që te ligji për DSIK-un është parashikuar që pajisen me certifikatë sigurie personat që kanë të bëjnë me dokumentacion të klasifikuar si sekret shtetëror.

Adnor Shameti: Në dritën e analizës që drejtori na sqaroi si dhe me propozimet e z.Fino, unë gjykoj që të tërhiqet ky nen.

Ulsi Manja: Miratohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura