Mori pensionet e një muaji të 50 të moshuarve, arrest me burg postierit

Jul 31, 2015 | 14:12
SHPËRNDAJE

Gjykata e Beratit me kërkesë të Prokurorisë së rrethit, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Klodian Xhaferraj, me funksion postier, pasi dyshohet se ka përvetësuar pensionet që u takonin për muajin qershor rreth 50 të moshuarve.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit.

Foto ilustruese e nje postieri
Foto ilustruese e nje postieri

HETIMI

Nga hetimi i Prokurorisë së Beratit, nisur në bazë të kallëzimit të filialit të Posta Shqiptare Berat, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjësi i postës, në funksion të pozicionit të tij, ka pasur për detyrë të shpërndajë pensionet për muajin Qershor 2015.

Por, ka rezultuar se shuma prej rreth 500 mijë lekë të reja nuk ka shkuar në destinacion, pra tek pensionistët.

Shtetasi Xhaferraj është pyetur fillimisht nga prokuroria për këtë rast dhe ka pranuar se ka tërhequr shumat e parave për pensione në datat 18-19 qershor 2015.

Por, lidhur me faktin se këto para nuk janë shpërndarë, ai ka nxjerrë justifikime të ndryshme, të cilat nuk konsiderohen të besueshme për organin e prokurorisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura