Mori certifikatë për babysitter, e burgosura: Nuk doja ta vrisja burrin

Oct 13, 2015 | 10:15
SHPËRNDAJE

“Senet kan’ ndryshu me kohë, kohë, kohë/ S’jena mo, mo, mo…”- Nuk se gratë e burgosura të Burgut 325 në “Ali Demi” e kishin përzgjedhur mes të tjerash sepse gjenin veten, përndryshe, nuk do të ishin duke e kërcyer. Kënga e Getoarit, në orën 10:00 të mëngjesit dëgjohej edhe jashtë portave të burgut.

Nuk dimë në ishte pikërisht ahengu, pra, mosprishja e tij, arsyeja pse, këtë herë, depërtimi deri në ambientin e përbashkët argëtues të grave ishte i pamundur. Fotografitë, jo që jo! Ndonjë nga punonjësit e vjetër nuk ngurronte të pëshpëriste se në fakt këto ishin rregullat e reja. Më shumë se një vit më parë, kemi qenë në po ato ambiente për të folur me gratë e burgosura. Pak prej tyre refuzonin të flisnin, ndryshe nga sot, kur e disponueshme ishte vetëm njëra prej tyre (së paku, këtë na thanë), Lule Doçi.

Lule Doci
Lule Doci

Urdhri ishte që Lulja ta bënte bisedën në dhomën e takimeve, në praninë e punonjëses sociale, ndaj së cilës e burgosura dukej shumë mirënjohëse. Vajza punonte aty prej vitesh dhe dallohej menjëherë mirëkuptimi i buzëqeshur që krijonte me të gjitha. Ndërsa nuk është asnjëherë e butë, as edhe korrekte, sjellja e të tjerëve, njerëzve që përcjellin zëra dhe praktikisht nuk kanë asnjë funksion. Sidoqoftë, kur mbërrin te qëllimi, harrohen të tëra.

Pak ditë më parë, në media, u njoftua se gratë e burgosura kishin marrë certifikata ku zyrtarizoheshin si të afta për t’u kujdesur për fëmijët. Kur e dëgjon nga larg, ti i vë një pikëpyetje të madhe dobisë së gjithë kësaj, ndërsa, kur i takon ato gra aty, që të vetmen dritare kanë pikërisht këto kurse që u ofrojnë, mendon që është mirë për to, edhe nëse askush, askurrë, nuk do t’i besojë fëmijën një të dënuare për vrasje.

Kursi për kujdestare fëmijësh nuk ishte i ri në burgun e grave. Prej pesë vitesh, të gjitha ato që kanë qenë aty, kanë pasur rastin të certifikohen. I bëjnë pothuajse të gjitha ato që u ofrohen, sado që nuk janë ofertat më të mira që do të donin. Interesi i të gjithave, prej kohësh tashmë, është të më- sojnë anglisht, por kjo gjë nuk është bërë ende e mundur. Përveç kursit për kujdestarinë e fëmijëve, mundësitë e tjera ishin për guidë turistike dhe sekretari.

Lule Doçi ishte certifikuar në të tria. Tani shpresonte vetëm që të miratohej kursi i gjuhës, ndërsa nuk linte asnjë minutë të ditës të lirë. Në pjesën e parë të ditës, punonte në serrat e burgut, e gjithë ç’i mbetej e shfrytëzonte për të qëndisur, për të bërë punë me grep dhe për të shfrytëzuar bibliotekën e burgut.

Hera e fundit që i kishte rënë një libër në dorë, kishte qenë përpara 32 vitesh, kur ishte martuar. Ajo nuk e kujton se në ç’rrethana mund të ishte gjendur në shtëpinë e saj të re një libër për David Coperfilld, por i kujton ekzaktësisht emrin këtij të fundit, pa fshehur në portret edhe “mjaltin” e atyre ditëve të para të martesës që shumë shpejt u kthyen në makth…

Lule, për çfarë je dënuar?
Për vrasje. Kam vrarë bashkëshortin.

Sa kohë ke këtu?
4 vite, kam edhe 4 të tjera për të bërë.

Ke fëmijë?
Kam pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Më i vogli është 16 vjeç, ndërsa djali më i madh është 33 vjeç.

A vijnë ata të të takojnë?
Po vijnë sa herë që janë në Tiranë, sepse jetojnë në Greqi.

Ku keni jetuar përpara se të hynit në burg?
Në fshatin Karicë, komuna Baz e Burrelit.

Pse mbërriti situata deri këtu, pse e vratë burrin?
Ka qenë një moment i zi, kur kam humbur kontrollin. Ai më rrihte vazhdimisht, përditë, pa asnjë arsye. Shpeshherë kam kërkuar ndihmë edhe nga policia, por askush nuk e ka marrë serioze këtë ankesë, nuk është gjendur asnjë polic të më ndihmojë. Me siguri që po të ishin marrë masa kohë më parë, mund të mos kishte ndodhur ajo që ndodhi. E mallkoj veten për atë që kam bërë. Vërtet kam vuajtur shumë për 32 vite, por nuk do doja ta kisha vrarë.

Do të thotë që ju nuk e kishit menduar më parë si zgjidhje për të gjitha vuajtjet, si të vetmen mundësi për të shpëtuar?
Jo, asnjëherë, ishte vetëm një moment i zi.

Oborri i perbashket ne Burgun  325
Oborri i perbashket ne Burgun 325

Si jetonit atje në Karicë, punonit?

Po, punoja në bujqësi. Njësoj si këtu që e kam kohën të organizuar për të gjithë ditën, ashtu edhe atje. Në mëngjes sa zgjohesha pija kafen, punoja në bujqësi. Në drekë kthehesha të pushoja pak, për të punuar sërish. Me drekën e me punët merreshin vajzat. Kisha edhe një orar timin, çdo drekë që doja të shihja lajmet. E bëja çdo ditë këtë gjë.

Po aty, kur dëgjonit lajmet që tregojnë për raste si i yti shpesh, a ju ka shkuar ndonjëherë në mendje që mund të bënit të njëjtën gjë për ta zgjidhur situatën në të cilën ndodheshit?
Jo, jo, asnjëherë. Unë e kam dashur burrin dhe po të kthehesha edhe një herë mbrapa, do të martohesha prapë me të, nuk doja të arrinin punët deri këtu. Kjo nuk është fare e lehtë për t’u besuar… Kjo është ajo që ndiej, kjo është e vërteta ime. Unë përditë i lutesha Zotit që situata në shtëpi të ndryshonte, por se si nuk e dija, këtë jo, nuk e kisha çuar nëpër mend.

Si jeni martuar? Ta ka zgjedhur familja burrin, apo…
Jo, më ka rrëmbyer, e kam dashur vetë, ndërsa familja ime nuk donte.

Fëmijët çfarë thonë, ata kanë humbur babain…
Po çfarë të thonë, ata e shihnin se si jetonim ne përditë.

Të ndryshojmë bisedën. Pak ditë më parë, ishe një nga 26 gratë që dolën në televizor si të certifikuara për kujdestari fëmijësh. Për çfarë mendon se mund të të duhet ky kurs, ti ke rritur pesë fëmijë, ç’të re mësove?
Unë i bëj të gjitha kurset që ofrohen këtu, e kam bërë edhe këtë. Mund të na hyjë në punë kur të dalim jashtë. Gjërat pak a shumë dihen, por qoftë edhe angazhimi në një gjë të re, ne na ndihmon. Ato që janë të reja e prej të cilave mësova ishte kursi për sekretari dhe për guidë turistike.

Cila nga të tria mendon se mund të të hyjë në punë kur të dalësh jashtë?
Po, për shembull, guida turistike. Unë vetë jam nga Kruja dhe do më pëlqente shumë që të shoqëroja turistët si në qytetin tim, por edhe në malin Qafështamë, që është tri orë larg me makinë. Është një zonë shumë e bukur turistike, si Thethi. 

Ke qenë në Theth?
Jo, nuk kam qenë, po natyra është pak a shumë e njëjtë. Është mbajtur që në komunizëm si zonë shumë e bukur.

A mendon se ata turistë që do shoqëroje, apo prindërit që do të të punësonin nesër, e kanë të mundur t’i besojnë një ish-të dënuare për vrasje?
Unë do doja që të kalonte si plagë, unë e di sa po e vuaj dhe pavarësish se vetë do ta kem gjithë jetën, nuk dua të më gjykojnë edhe të tjerët. Pastaj, në rastin e turistëve, ata nuk kanë pse ta dinë. Certifikatat janë për të gjithë njësoj, si ata që i ndjekin kurset jashtë, si ne brenda, nuk thuhet se ku është bërë kursi.

Po ti vetë, nëse do të kishe mundësi të zgjidhje, kujt do t’ia lije fëmijën, një njeriu që ka vrarë dikë apo tjetrit?
Ndoshta tjetrit, nuk e di, por unë nuk do doja ta dënoja veten në pafundësi, përderisa ligji nuk më ka dënuar me burgim të përjetshëm. Këto janë mundësi të mira për ne, na mësojnë diçka.

Jo, shumë mirë që janë, por mund të ishte diçka më e dobishme, rrobaqepësi për shembull, do të të pëlqente?
Më pëlqen shumë të punoj me bizë, të qëndis. E kam bërë këtë punë që 10 vjeçe. Edhe këtu punoj vazhdimisht, aq sa më vijnë porosi nga jashtë dhe nuk kam kohë t’i bëj të gjitha.

A ke ndonjë punë që mund ta blej?
Tani kam vetëm atë që jam duke punuar, të tjerat m’i mori vajza jashtë.

Vajza i mori që t’i shiste jashtë? Po i ndihmon fëmijët me para nga burgu?!
Epo i mori, i duheshin, nuk e di.

Çfarë bën tjetër këtu përveç punës së dorës?
Paradite punoj në serë, angazhohem në çdo aktivitet që bëhet këtu, jam tjetër njeri këtu. Kam qenë gjysma e kësaj që sheh këtu.

Ke shtuar në peshë?
Kam qenë e humbur fare.

Shkon në bibliotekë?
Po, shkoj shpesh e lexoj. Kur kam qenë e vogël më pëlqente shumë të mësoja, por aq mundësi kisha.

Dhomat e gjumit ne Burgun 325
Dhomat e gjumit ne Burgun 325

Deri në ç’klasë ke shkuar në shkollë?

8 klasë.

Pas klasës së 8-të, nuk ke prekur më asnjë libër deri sa erdhe në burg?
Jo, vetëm kur u martova më kujtohej që ishte në shtëpinë e burrit një libër për David Koperfilld. E lexova atë, më pëlqeu, mësoje gjëra të çuditshme. Pastaj jo më, deri sa erdha këtu, jo.

Si shkon me të burgosurat e tjera? Në burgjet që shohim nëpër filma, është gjithmonë njëra që drejton të tjerat, ajo së cilës i frikësohen dhe jep urdhra. A ka aty brenda një të tillë?
Unë nuk ngatërrohem me asnjë, shoh punën time dhe po të veprosh kështu, nuk ke pse krijon ngatërresa.

Nga oborri dëgjohet muzikë, çfarë po ndodh?
Kanë ditëlindjen dy të burgosura dhe po kërcejnë. Kështu bëjnë sa herë në raste ditëlindjesh. Marrin ca gjëra për të ngrënë dhe kërcejnë nja dy orë, aq është leja.

Të vjen keq që nuk je me to tani në festë?
Jo, nuk para shkojmë edhe në raste të tjera. Vajzat e reja shkojnë më shumë, ne s’kemi më moshë.

Nazime Visha, për shembull?
Aty është, duke kërcyer.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura