“Monumentet në rrezik, restaurimet me nivel të ulët”

Jul 21, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Buxhetet janë shumëfishuar, por restaurimet lënë për të dëshiruar, ndërsa ende nuk mund të thuhet se trashëgimia materiale kulturore e ka kaluar fazën e rrezikut.

Nga mbledhja e djeshme e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë
Nga mbledhja e djeshme e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë

Në këtë përfundim arrin Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, i cili dje u mblodh në një tryezë diskutimi, për të bërë një analizë të punës 6-vjeçare të këtij Forumi dhe për të ngritur problemet më shqetësuese të momentit. Edhe pse organizatorët kishin bërë ftesat përkatëse, asnjë përfaqësues institucioni shtetëror nuk ishte i pranishëm në këtë tryezë.

E megjithatë, Forumi, i cili në shumicën e herëve i ka fituar “betejat” përmes komunikimit mediatik, shfrytëzoi rastin për bërë një listë të denoncimeve të deritanishme dhe të rreshtonin shqetësimet e radhës. Gazetari Erjon Tase, anëtar i Forumit, përmendi rastet e denoncuara, që nga çështja e Kalasë së Lezhës, Kishës së Vlashit, Parkut të Butrintit, Sinagoga e Sarandës, Siti arkeologjik i Komanit etj., të cilat janë përmbyllur herë pozitivisht e herë nuk kanë gjetur reagim në instancat përkatëse.

Parku i Butrintit
Parku i Butrintit

“Gjatë këtyre 6 viteve, ne kemi ndarë një aktivitet aktiv denoncues. Tre vjet me një qeverisje të djathtë dhe tre vjet me një qeverisje të majtë. Kështu besoj kanë marrë përgjigje dhe ata zëra që e kanë quajtur Forumin të majtë. Realiteti tregoi se kanë qenë të gabuar. Forumi është një grup vullnetar njerëzish dashamirë për kulturën që nuk ka të bëjë me politikën, por me mbrojtjen e trashëgimisë sonë”, u shpreh anëtari i Forumit, arkitekti Arben Biçoku.

PROBLEMET

Cilësia e ulët e restaurimeve të monumenteve të kulturës, mungesa e transparencës dhe dialogut ishin disa nga shqetësimet e ngritura nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. “Gjendja për ne vazhdon të jetë shqetësuese. Megjithëse sot ka mjaft investime në fushën e trashëgimisë kulturore, gjendja në të cilën paraqiten monumentet, sitet historike, për ne është sërish e mjerueshme. Boll të hedhim një vështrim mbi Gjirokastrën, një sit që prej 11 vitesh është nën mbrojtjen e UNESCO-s, për të kuptuar se gjendja është për të ardhur keq. Kemi shtëpi të rrënuara, një drejtori rajonale që thotë se nuk kemi ç’të bëjmë, nuk i mirëmbajmë dot. Për ne gjendja është më komplekse sesa kaq. Ne kemi vërejtje për cilësinë e punës që bëhet, për personelin që kujdeset dhe mirëmban monumentet, për nivelin e punës profesionale dhe asaj shkencore”. Ajo çka përbën një shqetësim të madh për Forumin është cilësia e punimeve në monumente dhe organigramat e fryra, ku më shumë ka burokratë se specialistë.

Mungesën e specialistëve dhe cilësisë së ulët deri diku e “justifikon” edhe “Ka drejtori rajonale që kanë inxhinierë, por nuk kanë njerëz që bëjnë punë konkrete, pra, ka njerëz që merren vetëm me shkresurina, punë zyre, por jo punë restauruese të mirëfilltë. Restaurimet janë kthyer të gjitha në tendera. Cilësia lë shumë për të dëshiruar. Kemi denoncuar boll objekte që janë restauruar me tendera dhe në vend që të përmirësojnë, kanë përkeqësuar situatën. Po ju përmend disa raste, si Varri i Kolë Idromenos, një restaurim që lë shumë për të dëshiruar, apo lyerja që iu bë Kullës së Sahatit të Tiranës, apo restaurimet e mureve të Sinagogës së Sarandës. Ne kemi nxjerrë shumë denoncime për nivel të ulët restaurimi, nivel të ulët të punës shkencore që bëhet në raport me monumentet. Shohim një mungesë të theksuar të punës shkencore. Mungojnë sot standarde të caktuara restaurimi, mungojnë konkluzione, mbasi bëhet një punë restauruese për të thënë çfarë është bërë mirë apo keq”.

Një tjetër shqetësim ishte edhe mungesa e transparencës, e dialogut, e shkëmbimit të mendimeve me grupet e interesit dhe shoqërinë civile, arroganca e treguar në disa raste vendimmarrjesh, si në rastin e hotel “Dajtit” apo stadiumit “Qemal Stafa”, për të cilat ka pasur mjaft kontestime.

RIJETËZIMI

Një nga problemet e ngritura në takimin e djeshëm ishte edhe ai i rijetëzimit dhe dhënies me qira të monumenteve. Arkitekti Biçoku u shpreh se askush nuk është kundër rijetëzimit të monumenteve të kulturës dhe as bashkëpunimit me privatët, “por deri më tani nuk kemi asnjë shembull të suksesshëm”.

Sipas tij, ky proces nuk duhet të ndërmerret tani, në mungesën e strukturave monitoruese, që do të garantonin moscenueshmërinë e monumentit dhe funksionit të tij. Biçoku u shpreh se, fatkeqësisht, nuk shihet interes për monumente në skaje të Shqipërisë, por mundësisht në qendër të qyteteve dhe për to janë të interesuar vetëm biznese që lidhen me hotelerinë, restorantet, çka janë edhe dëmtuesit më të mëdhenj të trashëgimisë. Ndërsa akademik Vasil Tole, duke iu referuar udhëzimit të nxjerrë nga Ministria e Kulturës, në tetor të vitit 2015, në lidhje me rijetëzimin, renditi disa shkelje ligjore në të. Ai iu referua nenit 39 të Ligjit për trashëgiminë, që, sipas tij, e përcakton shumë qartë se cilat monumente i nënshtrohen këtij procesi.

Sipas tij, përpara daljes së udhëzimit, Instituti i Monumenteve të Kulturës duhej të nxirrte një udhëzim mbi kriteret dhe kushtet që duhen plotësuar për rijetëzimin, duhej të shpallej lista e objekteve të gatshme për këtë proces. “Së dyti, udhëzimi duhej të përjashtonte disa monumente, si kisha, xhami, kala dhe kështjella për shkak të funksionit të tyre, sepse jo gjithçka jepet me qira”, tha Tole. Sipas tij, po ashtu Ministria e Kulturës duhej të shpallte listën e pronarëve të objekteve, të cilët duhet të jenë të parët që duhet të ftohen për të marrë pjesë në këtë proces.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura