Monumentet në Gjirokastër, në rrezik nga ndërhyrjet e gabuara

Mar 30, 2016 | 14:32
SHPËRNDAJE

Braktisja, konfliktet mes pronarëve dhe ndërhyrjet e mëparshme të gabuara po rrezikojnë seriozisht shtëpitë karakteristike në Gjirokastër, pjesë e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Specialistët e DRKK Gjirokastër, duke riparuar shtëpinë e familjes Ciu
Specialistët e DRKK Gjirokastër, duke riparuar shtëpinë e familjes Ciu

Momentalisht Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, është duke ndërmarrë ndërhyrje emergjente në Pazarin Historik. Sidomos pas shirave të shumtë të këtij viti, specialistët po përballen jo vetëm me dëmtime serioze të banesave, por edhe me konflikte mes pronarëve, të cilët në shumicën e herëve i kanë braktisur këto shtëpi, duke i lënë në mëshirë të fatit, por në rastin e Gjirokastrës, edhe të shtetit.

“Nën 50 m² çati ndodhen tri prona, pale sa pronarë, megjithatë ja situata. Të shpëtojmë dërrasën e çatisë të paktën dhe më pas ndërhyrja restauruese”. Me këtë koment shoqëron një seri fotografish nga këto ndërhyrje më të fundit DRKK Gjirokastër, në faqen e vet në Facebook.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila shkruan: “Banesat gjirokastrite të braktisura nga pronarët e të pakujdesura nga kujdestarët e monumenteve për gati tri dekada, janë një sfidë e madhe menaxhimi, restaurimi, financimi dhe rijetëzimi”.

Së fundmi, DRKK ka ndërmarrë ndërhyrje shpëtuese në banesën CIU, monument kulture i kategorisë së dytë.

“Do të na marrë disa ditë kjo banesë për arsye të punëve gjysmake të kryera më parë. Nuk janë as gjysmake në fakt, janë ndërhyrje kriminale. Janë njësoj si ato ndërhyrjet kirurgjikale që kur mbyllen, ‘harrohen’ disa instrumente kirurgjikalë brenda trupit të pacientit”, njofton DRKK, Gjirokastër. Nuk janë të rralla rastet, kur në monumente janë bërë ndërhyrje të gabuara restauruese, të cilat kanë sjellë dëmtimin e mëtejshëm të objekteve.

“Detyra jonë është të mbajmë banesat e harruara, ose edhe më keq akoma të dëmtuara nga ndërhyrjet e gabuara”, shkruan në Facebook Mirela Kumbaro. Ministrja Kumbaro, vazhdimisht e ka theksuar se kërkohet një bashkëpunim më i mirë mes privatëve dhe shtetit. Së fundmi ajo është vënë në shënjestër për shkak të një udhëzimi që lidhet me dhënien me qira të monumenteve të kulturës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura