Yllka Mujo nderohet me Çmimin e Karrierës në Monte Karlo

Mar 2, 2015 | 17:18
SHPËRNDAJE

Aktorja Yllka Mujo është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Komedisë në Monte Karlo. Mbrëmjen e së shtunës u zhvillua mbrëmja gala e ndarjes së çmimeve të edicionit të 12-të të festivalit, që ka për organizator një prej prezantuesve dhe aktorëve më të njohur komikë në Itali, Ezzio Greggio.

Aktorja Yllka Mujo dhe ministrja Kumbaro në ceremoninë e çmimeve në Monte Karlo

Gjatë ceremonisë, në skenën e festivalit u ngjit edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Pak ditë më parë bëri jo pak bujë lajmi i përfshirjes së aktores shqiptare si anëtare e jurisë së këtij festivali, e aq më tepër kur ajo u shfaq në krah të një prej aktoreve më të adhuruara italiane, me një karrierë ndërkombëtare, Maria Grazia Cucinotta. Por pa dyshim më i rëndësishëm është lajmi që Mujo vlerësohet me një çmim karriere në një festival kombëtar.

Komedia, së cilës i kushtohet festivali, është vetëm një nga zhanret e lëvruara nga Mujo. Në skenën e teatrit, ajo ka realizuar disa role të tilla, madje më i fundit ishte pikërisht në komedinë “Vanja, Sonja, Masha etj.”, që pati një sukses të jashtëzakonshëm në skenën e Teatrit Kombëtar.

Yllka Mujo është një nga aktoret më të mëdha shqiptare, karriera e së cilës fatkeqësisht, për shkak të sistemit të mbyllur diktatorial, nuk ka mundur ta kalojë shumë kufirin shqiptar. E megjithatë, edhe në ata pak filma që kanë mundur të shfaqen në kinematë botërore, ajo ka marrë vlerësime pozitive.

Një nga këta filma është edhe “Muaji i mjaltit” me regji të Goran Paskaljeviç, në të cilin Yllka Mujo është vlerësuar si një nga aktorët më të mirë të këtij prodhimi kinematografik. Ndërsa në Shqipëri e në trevat shqipfolëse ajo vlerësohet për një numër të madh karakteresh si në teatër, ashtu edhe në kinematografi.

Në teatër, ku është punësuar prej vitit 1974, ajo ka interpretuar në veprat “Orët e Kremlinit”, “Luiza Miler”, “Vizita e inspektorit”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Zbutja e kryeneçes”, “Natë me hënë”, “Këngëtarja tullace”, “Zonjusha Zhuli”, “Mbretëresha e bukur”, “Fernando Krafi më ka shkruar këtë letër”, “Xhaxha Vanja”, “Koprraci”, “Filumena Marturano”, “Udhëtim i gjatë drejt natës” etj. Në kinematografi, ku është shfaqur në moshë fare të re, mund të përmendim filmat “I teti në bronz”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Taulanti kërkon një motër”, “Lule të kuqe, lule të zeza”, “Muaji i mjaltit”, “Shqiptari” etj.

Nasho Jorgaqi, fakte të reja mbi jetën dhe veprën e Fan Nolit

Në prag të 50-vjetorit të ndarjes nga jeta të një prej njerëzve më të rëndësishëm dhe të diskutuar të historisë politike dhe të letrave shqipe, Fan S. Noli, ribotohet monografia dyvëllimëshe nga studiuesi Nasho Jorgaqi. “Jeta e Fan S. Nolit” rikthehet për lexuesin pas 10 vjetësh, por në një variant të ripunuar e të pasuruar, nga shtëpia botuese “Elve”.
 

Në këtë variant, autori ka sjellë fakte dhe ngjarje të reja, interpretime vende-vende më të plota, figura të tjera plotësuese, mbështetur në dokumente arkivore, në kujtime të panjohura dhe informative të shtypit të kohës. Vend më të gjerë zënë të dhënat nga publicistika dhe epistolari i Fan Nolit. Po kështu, jeta dhe veprimtaria e tij politike është ndriçuar nga dokumente të reja, të zbuluara në arkivat amerikanë, rusë, britanikë etj. “Jeta e Fan S. Nolit” është rezultat i një pune gati gjysmëshekullore nga ana e prof. Nasho Jorgaqit, i cili e ndjek atë përgjatë gjithë jetës së tij që nga vendi i lindjes, deri në Amerikën e largët. 

Paraqitja e jetës së Nolit në këtë vepër është kronografike e kronologjike. Vëllimi i parë përfshin ngjarje deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kurse në vëllimin e dytë përfshihet periudha e pasluftës. Kjo vepër ofron për lexuesin gjithë dritëhijet e jetës së Fan S. Nolit, ofron mundësi për të kuptuar personalitetin e tij kompleks dhe në një farë mënyre edhe veprime të ndërmarra në aksh momente të jetës së tij apo historisë së Shqipërisë. Ka mes tyre momente lëkundjesh, që e kanë bërë figurën e tij jo rrallë qendër diskutimesh.

Portreti i tij plotësohet edhe më, përmes personazheve bashkëkohës të Nolit, që nga Konica e Ahmet Zogu, tek emra, që janë përmendur pak ose aspak më parë. Botimi i ri është pajisur edhe me analiza e vlerësime të studiuesve e kritikëve që i kanë bërë botimit të parë, duke e cilësuar veprën “enciklopedi noliane” (prof. P. Prifti), “mesazhe universale të një pune mjeshtërore” (prof. J. Bulo), “vepër madhore monumentale” (prof. K. Krisafi), “kaleidoskopi i Nolit, ringjallja e një jete” (prof. M. Zeqo) etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura