Monitorimi për kanabis, sot fluturim në Lazarat e Shkodër

May 27, 2014 | 8:19
SHPËRNDAJE

TIRANE – Avioni italian i Misionit Interforze të Policisë italiane dhe Guardia di Finanza, do të kryejë sot monitorimet e para për kanabis në Lazarat dhe në zonat e Malësisë së Shkodrës. Nga një mbledhje që u zhvillua të premten mes përfaqësuesve të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, ishte parashikuar që fluturimet të nisnin dje, por për shkak se ende nuk ka ardhur nga Italia baza logjistike, operacioni u shty për sot.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se dje është bërë plani i veprimit nga ana teknike bashkë me përfaqësuesit e Policinë italiane dhe është dërguar kërkesa në Itali për bazën logjistike. Sot vijnë aparaturat e posaçme që do të montohen në avionin e Interforze, i cili ndodhet në Aeroportin e Rinasit që prej së premtes. Sipas Policisë, këto aparatura nuk kanë të bëjnë vetëm me fotografimin apo filmimin e parcelave me bimë narkotike, por edhe me identifikimin e bimës Cannabis sativa.

“Është një lloj aparature e posaçme që arrin të evidentojë bimën narkotike, ndan bimët e zakonshme nga ajo narkotike edhe nga lartësitë e mëdha”, tha një zyrtar i Policisë së Shtetit. Pas montimit të këtyre pajisjeve, sot pas mesdite do të fillojnë fluturimet e para në Lazarat dhe në Shkodër, ku ka të dhëna operative për parcela të mbjella me bimë narkotike. Gjatë takimit që u zhvillua dje mes përfaqësuesve të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, u përcaktuan edhe modalitetet e monitorimit të territorit përmes avionit të posaçëm. PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura